I harruar nga të gjithë, ylli i Chelseat ndërpren kontratën dhe largohet nga klubi

Chelsea ka konfirmuar se Raheem Sterling është larguar nga klubi me marrëveshje të ndërsjellë, teksa anësori anglez po kërkon një skuadër të re gjatë afatit kalimtar të janarit.
Lojtari që nuk bënte më pjesë në planet e klubit ka lënë përfundimisht Stamford Bridge, me paraqitjen e tij të fundit zyrtare për Chelsean që daton në maj të vitit 2024.
Chelsea ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje me Sterling për ndërprerjen e bashkëpunimit, duke i hapur rrugë 30-vjeçarit për të gjetur një ambient të ri ku të vazhdojë karrierën e tij.
“Raheem Sterling sot është larguar nga Chelsea me marrëveshje të ndërsjellë, duke i dhënë fund tre vjet e gjysmë si lojtar i klubit tonë, pasi u transferua në verën e vitit 2022 nga Manchester City".
“E falënderojmë Raheem për kontributin e dhënë si lojtar i Chelseat dhe i urojmë sukses në fazën e ardhshme të karrierës së tij”, thuhej në njoftimin e Chelseat.
Sterling ishte degraduar nga trajneri Enzo Maresca, përpara largimit të italianit, me ish-reprezentuesin e Anglisë që ra ndjeshëm në hierarkinë e skuadrës.
Ai u huazua te Arsenali në sezonin 2024/2025, por “Topçinjtë” paguan një penalitet për ta kthyer lojtarin në Stamford Bridge, duke insistuar që ai të rikthehej te klubi amë.
Megjithatë, Sterling nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje këtë sezon dhe tashmë do të kërkojë një klub të ri.
Sipas The Athletic, Sterling ka stërvitur i ndarë nga skuadra e parë gjatë gjithë sezonit, pavarësisht faktit se përfiton më shumë se 300 mijë paund në javë, në kuadër të një kontrate shumë të majme.
Maresca ishte veçanërisht i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij kur u pyet për situatën e sulmuesit, teksa ishte ende në bankinën e Chelseat./Telegrafi/




















































