Hysaj: Ka qenë vit i vështirë, shpresojmë ta mbyllim me fitore

Shqipëria do të zhvillojë ditën e shtunë ndeshjen e katërt miqësore të muajit nëntor, që përkon edhe me sfidën e fundit për këtë vit kalendarik.
Kuqezinjtë do të luajnë kundër Armenisë në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 17:30.
Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, teksa iu përgjigj interesit të mediave u shpreh se kuqezinjtë duhet të marrin një fitore kundër Armenisë, për të harruar këtë vit të vështirë. Ai falënderon edhe tifozët për mbështetjen, ndërsa flet edhe për lojtarët e rinj në Kombëtare.
Ndeshja kundër Armenisë – Besojmë që duhet të marrim një fitore sepse ka qenë një vit i vështirë dhe nuk kemi pasur fitore. Besoj që duhet një fitore për ta mbyllur dhe për të harruar këtë vit që kaloi sepse kemi kaluar momente të vështira e momente të mira. Por kështu e ka futbolli dhe të gjithë çunat e duan një fitore kundër Armenisë.
Mungesa e lojtarëve – Gjithmonë mirë është që të jemi të gjithë si ekip. Si edhe përpara kemi pasur mungesa në ndeshjet e kaluara dhe kjo mund t’i vështirësojë ndeshjet tona dhe lojën tonë, por në Kombëtare duhet të vijnë të gjithë me qejf, pasi Kombëtarja është ëndrra e të gjithëve. Dhe është një komb që na vjen mbrapa, e pamë edhe në ndeshjen me Italinë, i falënderoj të gjithë tifozët sepse po na mbështesin. Dhe në kualifikueset e Kampionatit Evropian 2024 duhet të tregojmë që jemi një grup i fortë dhe të tregojmë vlerat tona sepse i kemi.
Individi apo skuadra? – Duhet të jemi skuadër. Individ është edhe Messi dhe nuk po arrin të fitojë Kupën e Botës me Argjentinën. Ne jemi një grup i mirë, jemi një grup lojtarësh që duhet të bashkohemi akoma sepse ka edhe çuna të rinj që nuk e kuptojnë akoma mirë. Duhet të jemi të mirë ne të vjetrit që t’i fusim në grup mirë dhe t’i japim një dorë sepse janë lojtarë me rëndësi dhe duhet që ta kuptojnë që mund të japin më shumë.
Mesazhi për tifozët – Me Italinë stadiumi ishte plot sepse kombëtarja italiane ka shumë mbështetës këtu, por ne jemi të vetëdijshëm se tifozët nuk na kanë braktisur kurrë. Na kanë mbështetur dhe na kanë qëndruar afër dhe na kanë mbështetur kudo ku kemi luajtur, jo vetëm në Shqipëri. Janë ndër pikat tona më të forta dhe duhet t’i falenderoj shumë, ndaj ne duhet të fitojmë ndaj Armenisë edhe për tifozët, që të mbyllim këtë vit me fitore. /Telegrafi/























































