Hodhi inerte në trotuar duke ndotur ambientin, dënohet 33-vjeçari në Vlorë

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka dënuar një 33-vjeçar në Vlorë për hedhje të inerteve në trotuar, duke ndotur kështu ambientin dhe penguar lëvizjen e lirë të këmbësorëve.
I njëjti është proceduar edhe penalisht, ndërkaq dënimi për të është 20.000 lekë, diku rreth 200 euro.
“Strukturat e Policisë në Vlorë, gjatë monitorimit të territorit me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë evidentuar dhe goditur një rast të ndotjes së mjedisit dhe bllokimit të lëvizjes së lirë të këmbësorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe verifikimeve në terren, u procedua penalisht shtetasi A. A., 33 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas, pasi kishte kryer punime rikonstruktive në banesën e tij, kishte hedhur inertet në trotuar, duke cenuar sigurinë dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve, si dhe duke ndotur mjedisin.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/a i Kodit Penal.
Paralelisht me veprimet procedurale të kryera nga Policia e Vlorës, këtij shtetasi, nga Policia Bashkiake Vlorë, në zbatim të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit urban, iu vendos masa administrative 20.000 lekë”, thuhet në njoftim.
Policia e Vlorës apelon për qytetarët që të mbrojnë mjedisin dhe të denoncojnë në numrin 112 çdo paligjshmëri që konstatojnë. /Telegrafi/


















































