'Hixhama', terapia e njohur shekullore që çliron trupin po integrohet në spitalet turke

Në një dhomë të ndriçuar mirë në një spital privat në Stamboll, mjeku Erdal Dilekci bën dhjetëra prerje të vogla e të shpejta në shpinën e një pacienti si pjesë e një terapie shekullore të njohur hixhame.
Pacienti, infermieri 26-vjeçar Furkan Ali Sayan, shtrihet i qetë ndërsa mjeku më pas vendos tetë gota në trupin e tij për të nxjerrë toksinat dhe për të lehtësuar dhimbjet.
Gjatë 15 minutave të ardhshme, gotat mbushen ngadalë me gjak, shkruan Reuters.
Ky trajtim dhe të tjerë po zhvendosen gjithnjë e më shumë në klinikat kryesore si një plotësues i mjekësisë moderne.
Të inkurajuar nga ndryshimet legjislative një dekadë më parë, tani 66 nga 81 provincat e Turqisë kanë mjekë të çertifikuar që kryejnë metoda tradicionale në spitale.
Dilekci është midis qindra mjekëve turq që integrojnë mjekësinë tradicionale.
"Ne përdorim rreth 15 metoda të ndryshme, duke përfshirë terapinë me ozon, proloterapinë, akupunkturën dhe terapinë me shushunjë", tha ai.
Ai theksoi se trajtime të tilla nuk janë alternativa ndaj mjekësisë moderne, por shpesh përdoren në kombinim, veçanërisht për gjendje kronike si fibromialgjia, migrena dhe dhimbjet e kyçeve.
Procedurat janë të përshtatura për secilin pacient, bazuar në ngarkesën e toksinave, historinë e ilaçeve dhe përgjigjen ndaj seancave të mëparshme.
Hixhama, në veçanti, është e sinkronizuar me ciklet hënore për të rritur efektivitetin e saj.
"Ne preferojmë javën pas hënës së plotë. Studimet shkencore kanë treguar se tërheqja gravitacionale e hënës mund të mbështesë efektivitetin e saj", tha mjeku. /Telegrafi/







































