LAJMI I FUNDIT:

Hazard kritikon lojën e Chelseat ndaj Man Cityt: Mund të luaja edhe tri orë pa e prekur topin fare

Hazard kritikon lojën e Chelseat ndaj Man Cityt: Mund të luaja edhe tri orë pa e prekur topin fare
Danilo vs Eden Hazard (Getty Images)

Eden Hazard ka kritikuar qasjen e Chelseat në humbjen 1-0 të së dielës në Manchester City – duke pretenduar se ai mund të kishte luajtur edhe për tre orë tjera pa prekur fare topin.

Hazard u vendos si ‘9-sh’ i rremë, por dështoi ta kryente këtë rol pasi Man City dominoi gjithë ndeshjen dhe fituan fal golit të Bernardos Silva në minutën e parë të pjesës së dytë.

Skuadra e Pep Guardiolës ka përfunduar 902 pasime të sakta – rekord për një ndeshje të Ligës Premier dhe gëzuan 71.2 për qind të posedimit të topit, derisa Chelsea nuk arriti të bëjë asnjë goditje drejt portës.


“Kur largoheni nga fusha, ju keni përshtypjen se ju keni vrapuar [shumë], por që nuk keni luajtur një lojë të futbollit”, ka thënë fillimisht Hazard për HLN.

“Kjo është për të ardhur keq, mund të kishim luajtur për tre orë dhe unë ende nuk do të prekja një top”.

Hazard (Getty Images)

“Ishte pak më mirë vetëm në fund – në 10-15 minutat e fundit kemi pasur më shumë posedim, por ne duhet të përpiqeshim ta bënim këtë lojë”.

“Nuk e di, kur menaxheri më thotë të luaj përpara, përpiqem të jap gjithçka. Ne nuk kemi luajtur një lojë të mirë [në City]. Për mua personalisht është e vështirë të luash një lojë të mirë, kur vetëm tri herë prek topin”.

“Unë u përpoqa të hidhesha [për topa të gjatë], por kundër Otamendit dhe Laportes nuk është e lehtë. Kundër Barcelonës kemi pasur të paktën disa shanse. Në atë ndeshje mund të kishim shënuar, këtu nuk kemi krijuar asnjë”.

“Ishte e komplikuar, sapo kishim topin, ne ishim të rrethuar nga tre ose katër lojtarë. Ne kemi humbur edhe disa pasime të thjeshta”.

“Ne do të punojmë shumë për të luajtur më mirë javën e ardhshme”, përfundoi belgu. /Telegrafi/