Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në homazhet përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të masakrës së Rezallës dhe fshatrave përreth, ku në vitin 1999 u vranë dhjetëra burra dhe djem nga regjimi serb.

Në fjalën e saj, Haxhiu e përshkroi atë ngjarje si një krim gjenocidal të pamëshirshëm.


“Më 5 prill të vitit 1999, në Rezallë të Skenderajt dhe në fshatrat përreth u zbatua plani i shfarosjes nga regjimi i Serbisë. Djem e burra nga mosha 13 vjeç deri në moshën 90 vjeç u ndanë nga familjet e tyre, u plaçkitën, u nxorën dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe më pas u pushkatuan”, tha ajo.

Haxhiu theksoi gjithashtu se regjimi serb tentoi të fshihte gjurmët e krimeve.

“Trupat e tyre i rrëmbyen dhe me trupat e tyre hapën varre masive në Serbi. Qëllimisht ishte që t’i fshehin gjurmët e krimit gjenocidal. Por gjurmët e krimit nuk do të fshihen kurrë e krimet e Serbisë nuk do të harrohen kurrë. Ato do të mbahen mend gjatë e përherë në kujtesën e familjarëve të tyre, por edhe në kujtesën tonë kolektive", u shpreh Haxhiu.

Haxhiu u zotua se institucionet e Kosovës do të punojnë për drejtësi.

“Si institucione të Republikës së Kosovës do të angazhohemi që të ketë drejtësi edhe për masakrën e Rezallës por edhe për të gjitha masakrat, vrasjet, dhunimet, shkatërrimet e dëbimet që Serbia i ka bërë në Kosovë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”, tha Haxhiu. /Telegrafi/