Haxhiu akuzon PDK-në se po anon kah Lista Serbe duke abstenuar Rashiqin, LDK-në se po vepron kundër aktvendimit të fundit të Kushtetueses

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Lidhja Demokratike e Kosovës ka vepruar kundër aktvendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancat konstituive, pasi nuk ka marrë pjesë në votim disa herë. Krahas kësaj, sipas tyre, Partia Demokratike e Kosovës duke abstenuar në votimin e Nenad Rashiq për nënkryetar të Kuvendit, po “tregon se është me Listën Serbe”.
Pas mbylljes së seancës konstituive nga kryeparlamentari Dimal Basha, nënkryetarja e Kuvendit nga LVV-ja, Albulena Haxhiu tha se mandati duhet dhënë partisë fituese për të dëshmuar numrin e nevojshëm prej 61 votave për krijimin e qeverisë së re.
“Është e rëndësishme që ata që tashmë janë zgjedhur në mënyrë kushtetuese nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të vijnë në këtë takim dhe t’i shohim qëndrimet e tyre për të ecur tutje. Duhet të na jepet mandati për ta dëshmuar numrin 61, ne ende nuk jemi në këtë proces.
Besojmë që kur të vijmë në atë moment do ta shihni se a i kemi 61 apo jo, apo kush do të jenë ata që do ta përbëjnë numrin 61… LDK-ja në vazhdimësi ka vepruar kundrejt aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, sepse aktvendimi i Kushtetueses ka thënë se urdhërohen të gjithë deputetët që të jenë të pranishëm të votojnë pro, kundër apo abstenim. Ata në disa seanca nuk kanë marrë pjesë në votim… Në anën tjetër, PDK-ja me votën abstenuese po tregon që janë me Listën Serbe, realisht… Nuk kanë guxim, nuk kanë vullnet dhe janë në linjë me Listën Serbe”, tha Haxhiu.
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se janë të interesuar që të ecin përpara për formimin e qeverisë së re ose të shkohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, raporton KosovaPress.
“Për herë të parë pas shumë vitesh, qytetarët serbë në Kosovë patën mundësi që të zgjedhin një alternativë përtej kontrollit dhe ndikimit të Listës Serbe. Për herë të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës pas shumë vitesh kemi një deputet që është për të e pranueshme Republika e Kosovës dhe që nuk e përdor votën e tij për ta sabotuar shtetin e Kosovës nga brenda…
Është e papranueshme që një subjekt politik që nuk e njeh shtetin tonë dhe që punon sistematikisht kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të pretendojë të ketë rol në procese demokratike që vetë i mohon. Ne nuk guxojmë që të mbesim peng i atyre që e mohojnë ekzistencën tonë si shtet. Është shumë e rëndësishëm që ne të ecim për para me kryesinë aktuale, përveç kryetarit e kuvendit me nënkryetarët e zgjedhur. Ne jemi të interesuar që të ecim përpara ose me qeverinë e re ose me zgjedhje, nuk kemi asnjë alternativë tjetër”, tha Haxhiu.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati tha se nuk kishte arsye të thirrej një seancë tjetër konstituive brenda 48 orëve.
“Nuk kishte pse të thirrej seancë tjetër. Nëse këta, PDK e LDK insistojnë që pse u përmbyll. Pyetja ime do të ishte se pse do të duhej të thirrej seanca pas 48 orëve. Kush mund të hedhet në votim, cili do ishte qëllimi i një seancë të tillë…Ajo çfarë po thonë përfaqësuesit e opozitës është e pavërtetë dhe as vetë ata nuk i besojnë. Po të ishin të interesuar ta testojnë se Kurti i ka numrat për qeveri do ta tejkalonin edhe këtë sfidë pa kurrfarë problemi”, tha Murati.
Ndërkaq, Murati tha se në vijim duhet që mandatari i partisë fituese të dërgohet te presidentja Vjosa Osmani, për çka potencoi se do të thirret mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm.
“Kemi dy rrugë përpara ose duhet të konsiderojmë të përmbyllur konstituimin e kuvendit që është konsumuar pika 4 e rendit të ditës objektivisht nuk ka pasur si të procedohet tutje ose duhet të shkohet në zgjedhje të reja. Nuk mund të pretendohet që vendi mund të mbahet i bllokuar sa herë t’i teket…Procedurat në vijim janë të parapara në Kushtetutë.
Fillimisht duhet mandatari i partisë fituese të dërgohet te presidentja, të nominohet, neve na duhet një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm, që besoj se do të bëhet gjatë ditëve në vijim…Pas nominimit nga presidentja të mandatarit për kryeministër, pastaj do të kemi edhe seancën e cilën do të votojë”, tha Murati.
Seanca për konstituimin e legjislativit të nëntë nisi me 15 prill, pas zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
Nga atëherë e deri sot është tentuar 61 herë për konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në tentimin e 59 u zgjodh kryetar, Dimal Basha, por jo edhe kryesia e plotë. Sot dështuan të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb pas disa tentimeve për tre deputetët e këtij komuniteti. /Kp/



















































