Kryetari i zgjedhur i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Blerand Stavilecit, Kujtim Gashit dhe Betim Gjoshit, pasi që sipas tij, një video që është publikuar nuk paraqet ndonjë parregullsi.

“Të gjitha pretendimet e PDK-së për të krijuar opinion se ka pasur parregullsi janë të pavërteta, pra dy javë nga humbja e zgjedhjeve PDK-ja mundohet të shpif dhe të dezinformon opinionin me servilët e tyre të cilët janë duke punuar për ta duke u munduar që të përhapin sa më shumë dezinformata. Ne në këtë rast do të paraqesim kallëzime penale për shpifje për Blerand Stavilecin, Kujtim Gashin me Gjoshin, si dhe padi për dëmshpërblim për komisionarët tanë të cilët janë përfolur pa drejtësisht në këto video”, tha ai.


Haskuka ka sqaruar edhe videon që është publikuar nga Partia Demokratike e Kosovës, duke thënë se komisionerja e vendvotimit që shihet në video nuk e ka bartur drejtpërdrejtë kutinë, pasi që ka vërejtur që komisionari i PDK-së ka tërhequr formularin për përputhje të rezultateve nga dera e klasës.

Ai po ashtu heqjen e formularëve nga dera e klasave nga komisionari i PDK-së e ka konsideruar të kundërligjshme.

Sipas tij, komisioneri i PDK-së ka marrë urdhra nga zyrtarët e lartë të PDK në Prizren, të cilët kanë paguar nga 20 euro për bartje.

Haskuka tha se shiritat e kutisë në fjalë kanë qenë në rregull dhe votat kanë qenë të njëjta sikurse që janë nënshkruar nga komisionarët.

Ai shtoi se të gjitha këto shpifje drejtë tij PDK po i bënë për të mbuluar kriminalitetin e organizuar dhe parregullsitë që janë duke i bërë në komunën e Prizrenit. /kp/Telegrafi/