Haradinaj: Gjykata sqaroi votimin – s’kemi votë për Haxhiun, por do të votonim kandidatë tjerë nga LVV

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj deklaroi sot para seancës së Kuvendit se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar disa aspekte kyçe për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
“Do të kthehemi në parlament pas vendimit të Gjykatës, tashmë dihet është sqaruar se duhet të jetë votim i hapur dhe njëkohësisht është sqaruar se një kandidat që nuk merr votën s’mund të kandidojë mbi tri herë, po ashtu është edhe afati 30-ditor edhe njëherë”, tha Haradinaj.
Ai konfirmoi se AAK nuk do të mbështesë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, por u shpreh i gatshëm të mbështesë një kandidat tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilin e cilësoi si “unifikues”.
“Nëse sot do të ishte Konjufca ose Saranda ose Shqipe Selimi do të votonim”, u shpreh ai.
I pyetur për skenarin ku Kuvendi nuk arrin të konstituohet as pas afatit 30-ditor, Haradinaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokim të qëllimshëm të institucioneve.
“Për fat të keq, unë besoj që qëllimi i tij nuk ka ndryshuar është me vazhdu me mbajt peng Kosovën, me udhëheq me Kosovën pra në mënyrë jo të ligjshme, me mbajt peng Kosovën”, përfundoi Haradinaj./Telegrafi/







































