Lëvizja palestineze Hamas ka njoftuar se ka dërguar një "përgjigje pozitive" te ndërmjetësit rajonalë dhe ndërkombëtarë lidhur me propozimin më të ri për armëpushim në Gaza, duke hapur kështu mundësinë për vazhdimin e negociatave me Izraelin me qëllim përfundimin e luftës së gjatë.

"Lëvizja ka dorëzuar një përgjigje pozitive te ndërmjetësit dhe është plotësisht e gatshme të hyjë menjëherë në raundin e ri të bisedimeve për mekanizmat e zbatimit të kuadrit të propozuar," thuhet në njoftimin e Hamasit të publikuar në Telegram. Shtohet se vendimi u mor pas konsultimeve me fraksionet dhe forcat politike palestineze.


Ky deklarim vjen pasi burime pranë Hamasit gjatë ditëve të fundit kanë theksuar se lëvizja kërkon garanci të qarta që propozimi i ri, i formulua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit, do të çojë në përfundimin e plotë të luftës.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte deklaruar më parë se Izraeli kishte pranuar kushtet e nevojshme për finalizimin e një armëpushimi 60-ditor, gjatë të cilit të dyja palët do të punojnë për një zgjidhje afatgjatë të konfliktit. Trump në mëngjesin e së premtes paralajmëroi se pret përgjigjen e Hamasit brenda 24 orësh, duke shprehur shpresën që një rezultat pozitiv do të mundësojë vazhdimin e negociatave formale, indirekte.

Në propozim thuhet se parashihet lirimi i një numri prej 10 pengjeve izraelitë të gjallë gradualisht dhe kthimi i trupave të 18 personave të tjerë në këmbim të burgosurve palestinezë. Gjithashtu, përfshihen dispozita për dërgimin urgjent të ndihmave humanitare në Gaza, tërheqjen e trupave izraelite nga disa zona dhe fillimin e bisedimeve për përfundimin përfundimtar të konfliktit dhe lirimin e pengjeve të mbetura që nga dita e parë e armëpushimit.

Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar. Forcat izraelite kanë vazhduar sulmet ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës. Raportet lokale thonë se helikopterët dhe artileria izraelite kryen sulme në mëngjesin e së premtes në pjesën jugore të Khan Younis. Gjatë natës, së paku 15 palestinezë u vranë në sulme ndaj tendave ku ishin strehuar persona të zhvendosur, njoftoi spitali Nasser.

Zyrtarët izraelitë thonë se marrëveshja për armëpushim është e arritshme, por detajet kyçe janë ende në proces përpunimi. Një zyrtar i lartë pranë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu tha se po vazhdojnë përgatitjet për miratimin e marrëveshjes, ndërsa lideri izraelit po përgatitet për vizitën në Uashington javën e ardhshme.

Ministri i Energjisë i Izraelit, Eli Cohen, tha për portalin Ynet se ekziston "ka përparim në marrëveshje," duke theksuar seriozitetin e përpjekjeve diplomatike aktuale.

Fati i rreth 50 pengjeve izraelitë që janë ende në Gaza mbetet çështje kyçe, dhe besohet se rreth 20 prej tyre janë ende gjallë.

Pavarësisht vazhdimit të dhunës, përgjigjja pozitive e Hamasit ndaj ndërmjetësve jep shpresë se një armëpushim i pritur prej kohësh mund të jetë pranë. Parashikohet që hapat e ardhshëm të përcaktohen gjatë fundjavës, me përfshirjen e delegacioneve në negociata indirekte, të cilat mund të zhvillohen në Egjipt ose Katar. /Telegrafi/