Çeku: Adelina e viteve ’90 ishte krenaria jonë, zëri i guximit, i lirisë dhe i gruas shqiptare që nuk dorëzohet

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur këngëtaren e njohur shqiptare, Adelina Ismaili, pas koncertit të saj që shënoi 40-vjetorin e karrierës artistike.
Ky takim ishte një mundësi për t’i shprehur mirënjohje dhe respekt për kontributin e saj në muzikën shqiptare.
Koncerti i Ismailit ka qenë një event i veçantë, ku ajo riktheu energjinë dhe emocionet që e kanë bërë të njohur që nga vitet ’90.

Publiku ka përjetuar një udhëtim në kohë përmes këngëve që kanë shënuar breza, duke shfaqur fuqinë dhe pasionin e saj për artin.
Postimi i plotë (pa ndërhyrje):
"Dje, Adelina Ismaili mbajti koncertin që shënoi 40-vjetorin e karrierës së saj plot ngjyra, ndërsa sot pata nderin ta pres në zyrën time, ku e urova për punën e jashtëzakonshme që ka bërë deri më tani dhe i dëshirova vazhdimësi në krijimtari e art.
Adelina e viteve ’90 ishte krenaria jonë, zëri i guximit, i lirisë dhe i gruas shqiptare që nuk dorëzohet.
Sot ajo vazhdon të mbetet diva e muzikës sonë: e fortë, e pakrahasueshme dhe po aq frymëzuese sa dikur.
Faleminderit, Adelina, për artin, kujtimet dhe energjinë që vazhdon të na dhurosh". /Telegrafi/



























































