Sekretari i punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe,WËilliam Hague, theksoi se Britania është një mike dhe partnere e Kosovës dhe ajo do të vazhdojë ta ndihmojë në konsolidimin e shtetësisë së saj. Ai vlerësoi raportin e Studimit të Fizibilitetit për Kosovën dhe theksoi mbështetjen e Britanisë për hapjen e dialogut për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Sekretari i jashtëm britanik theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave në vend e posaçërisht të reformës kushtetuese dhe asaj zgjedhore si dhe vendosjen e sundimit te rendit dhe të ligjit, duke thelluar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.


Ai tha se procesi i zgjerimit të BE me të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, dhe në këtë mes edhe të Kosovës, është i një rëndësie të madhe për gjithë Evropën duke theksuar se harta e Evropës Juglindore tashmë është përmbyllur.

Hague vlerësoi rolin e presidentes Jahjaga në luftimin e korrupsionit përmes krijimit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, duke thënë se Presidentja po vazhdon të luaj një rol të madh si faktor uniteti për të gjithë qytetarët në vend.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart ndihmën që Britania e Madhe i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha fushat dhe theksoi se Britania është pjesë e pandashme e historisë së Kosovës, shtetit që është bërë një faktor paqeje, stabiliteti dhe promotor i fqinjësisë së mirë.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca, Jahjaga ka theksuar rëndësinë e përkrahjes së Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, që po lehtësohet nga BE-ja me mbështetje të fuqishme të SHBA-së.

Presidentja Jahjaga theksoi se kjo është mënyra më e mirë për normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve që kemi pasur një të kaluar të vështirë. Ajo tha se i ka dhënë mbështetje takimin e nivelit të lartë, në cilësi të barabartë, të kryeministrave të dy shteteve të pavarura dhe sovrane, të Kosovës dhe të Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, si dhe i ka dhënë përkrahje takimeve të niveleve më të larta shtetërore, që do të ndihmonte të ardhmen tonë dhe do të ndihmonte në stabilitetin e rajonit.

Duke vlerësuar se Plani Ahtisaari është mënyra më e mirë për integrimin e komunitetit serb, Presidentja Jahjaga tha se ky plan ka dhënë rezultate në pjesën më të madhe të territorit të Republikës së Kosovës dhe ai garanton integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.

Ajo tha se e mirëpret përkushtimin e BE-së për integritetin territorial të Kosovës, që është nënvizuar në Studimin e Fizibilitetit.

Presidentja Jahjaga tha se strukturat ilegale dhe kriminale në tri komunat në veri të territorit të Kosovës vazhdojnë të jenë pengesë të zhvillimit dhe theksoi se Republika e Serbisë duhet të ndërpresë përkrahjen për to dhe t’i shpërbëjë ato. /Telegrafi/