Më 16 dhjetor ka qenë afati i fundit për aplikim për të gjithë atë që kanë synuar pozitën e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Në emrat e siguruar nga Telegrafi, del se për këtë pozitë kanë aplikuar 12 persona, përfshirë guvernatorin aktual Fehmi Mehmeti.
Përveç Mehmetit, për ta drejtuar institucionin më të lartë financiar janë në garë edhe Nexhat Kryeziu, Shkëndije Himaj, Emanuel Bajra, Mentor Nimani, Bezad Halilaj, Artan Ajazaj, Valdrin Krasniqi, Mentor Geci, Genc Rraci, Ardian Uka dhe Arta Hoxha.
Himaj së bashku me Safet Merovcin dhe Besnik Bislimin kishin qenë kundër kandidatë të Mehmetit më 2018.
Sipas shpalljes që ishte bërë nga BQK-ja, emërimi do të jetë për një mandat pesë vjeçar duke filluar më 29 mars 2023 ose në datën e emërimit.
Në bazë të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës, guvernatori si kryeshef ekzekutiv i këtij institucioni është pjesë e Bordit dhe kryesues i Bordit Ekzekutiv. Neni 38 i këtij Ligji përcakton edhe mënyrën e emërimit të shefit të saj.
Në pikën 1 të këtij neni thuhet se guvernatori dhe anëtarët joekzekutiv të Bordit të BQK-së emërohen për një mandat prej pesë vitesh, ndërsa pika dy e këtij neni thotë se kurdo që paraqitet boshllëk do të konstituohet një panel përzgjedhës që ka kompetenca për shqyrtimin e të gjithë kandidatëve i përbërë nga anëtarët e tjerë të Bordit të BQK-së dhe Guvernatori, ku asnjëri prej tyre nuk kërkon riemërim.
“Paneli do t’i përzgjedhë të gjithë aplikantët në bazë të kualifikimeve dhe performancave gjatë intervistimit dhe do të japë shpjegim me shkrim për një përzgjedhje te tillë. Lista me radhitjen e të gjithë aplikantëve që konsiderohen nga paneli se kanë përmbushur kriteret do të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe Qeveri, e cila mund t’i japë një mendim Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kusht që ky mendim të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës brenda pesëmbëdhjetë ditëve”, thuhet në pikën dy të nenit 38.
Mirëpo, në fund kompetencat për përzgjedhjen e guvernatorit i takojnë Kuvendit të Kosovës.
“Nga ajo listë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të përzgjedhë një individ për secilën pozitë në bordin e Bankës Qendrore që duhet të plotësohet. Pasi që Kuvendi i Republikës së Kosovës të ketë bërë përzgjedhjen e fundit do t’ia përcjellë presidentit këto propozime, i cili pastaj do të miratojë dhe do të emërojë një person për të plotësuar pozitën”, thuhet tutje në nenin 38 të Ligjit për BQK-në.
Aktualisht, BQK-ja udhëhiqet nga Mehmeti. Këtij të fundit i skadon mandati në mars të vitit të ardhshëm e që ishte emëruar më 2018.
E plotësuar / Ndryshe, Arta Hoxha për Telegrafin e ka mohuar se ka kandiduar për këtë pozitë.
“Të informoj që unë nuk kam aplikuar për pozitën e guvernatorit”, ka thënë shkurt ajo. /Telegrafi/