Një numër i konsiderueshëm organizatash ekstremiste të djathta në Serbi dyshohet se funksionojnë si zgjatime të fshehta të regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Madje të njëjtat dyshohet se përdoren për të kontrolluar rrugën, për të frikësuar kundërshtarët politikë dhe për të krijuar atmosferë tensioni në shoqëri.


Në shumë raste, emrat e njerëzve të afërt me pushtetin – përfshirë edhe ish-ministrin e Brendshëm Aleksandar Vulin – janë përmendur në dëshmitë e ish-anëtarëve të këtyre grupeve si figura mbështetëse apo ndërmjetëse të lidhjeve me policinë dhe shërbimet e sigurisë.

Sipas analistëve, në pamje të jashtme, këto grupe paraqiten si opozitare ndaj Vuçiqit, por në praktikë, ato janë një instrument politik i kontrolluar nga ai.

Sociologu Dario Hajriq nga gazeta Danas thekson se ekzistenca e këtyre grupeve nuk është spontane, por pjesë e një strategjie të mirëorganizuar të pushtetit për të manipuluar opinionin publik.

Sipas tij, organizatat ekstremiste të djathta shërbejnë si “krahu rrugor” i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), duke vepruar në terren përmes dhunës, kërcënimeve dhe frikësimit të qytetarëve.

“Autoritarët përdorin frikën si mjet. Kur njerëzit ndihen të kërcënuar, ata kërkojnë mbrojtje – dhe këtë e ofron pushteti përmes grupeve që vetë i kontrollon”, thekson Hajriq, raporton Danas.

Ai shton se roli i këtyre organizatave është të krijojnë përshtypjen se SNS është një “parti e qendrës” që ruan stabilitetin përballë “ekstremizmit”, edhe pse në realitet vetë regjimi përdor metoda shumë më të ashpra e represive.

“Ekstremistët bëjnë që Vuçiq të duket si i moderuar, ndërsa në prapaskenë janë në një ‘zinxhir të shkurtër’ me shërbimet e sigurisë dhe shpesh financohen nga vetë strukturat e pushtetit”, shton ai.

Një nga grupet më aktive është organizata “Patrullat Popullore”, e udhëhequr nga Damnjan Knezheviq, e cila së fundi paralajmëroi një protestë kundër asaj që e quan “zëvendësim të popullsisë”.

Knezheviq u arrestua nën dyshimin për nxitje të urrejtjes racore, pasi kishte deklaruar publikisht se do të “përballet me migrantët dhe protestuesit përpara Parlamentit”.

Në të njëjtën ditë, Antifashistët e Beogradit organizuan një kundër-protestë, duke e akuzuar grupin për përhapje të urrejtjes ndaj migrantëve afrikano-aziatikë “nën maskën e patriotizmit”.

Por “Patrullat Popullore” nuk janë të vetmet. Në skenën e ekstremit të djathtë në Serbi veprojnë gjithashtu “Levijatan” dhe “E Djathta Serbe”, të udhëhequra përkatësisht nga Pavle Bihali dhe Misha Vaciq. Të dy këta, së bashku me ish-liderin neo-nazist Goran Davidoviq (Firer), kanë formuar kohët e fundit Partinë e Nacionalistëve Serbë.

Edhe pse grupi neo-nazist “Nacionalni Stroj” i Davidovicit ishte ndaluar në vitin 2011 për nxitje të urrejtjes racore dhe fetare, ai u rikthye në Serbi në vitin 2020, pa pasoja ligjore, duke paralajmëruar rifillimin e aktivitetit politik.

Sipas dëshmive të ish-anëtarëve të këtyre organizatave, ekzistojnë lidhje të drejtpërdrejta mes liderëve të ekstremit të djathtë dhe figurave të larta në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.

Ish-anëtari i “Levijatanit”, Boris Knezheviq, ka deklaruar për median Nova se udhëheqësi i grupit, Pavle Bihali, “mburrej me marrëdhënie të mira me Nebojsha Stefanoviqin dhe më pas me Aleksandar Vulinin, si dhe me drejtues të lartë të policisë kriminale (UKP)”.

“Bihali thoshte shpesh se, që nga momenti kur Vulin u bë ministër i Brendshëm, ai ishte ‘njeriu i tij’ në qeveri”, ka theksuar Knezheviq.

Këto lidhje ngjallin dyshime të thella se një pjesë e grupeve ekstremiste gëzojnë mbrojtje politike dhe institucionale, duke i lejuar të veprojnë të pandëshkuara edhe kur nxisin urrejtje racore apo dhunë publike.

Ekstremizmi i djathtë në Serbi nuk është fenomen i ri. Që nga vitet 2000, Lëvizja “Obraz” ka qenë një nga organizatat më aktive dhe radikale, e njohur për kundërshtimin e ashpër ndaj ngjarjeve liberale dhe përfshirë në ndalimin e paradës së parë të krenarisë në Beograd në vitin 2009.

Ky grup u ndalua në vitin 2012 për nxitje të urrejtjes kombëtare dhe fetare.

Sot, ish-udhëheqësi i tij, Mladen Obradoviq, është pjesë e një strukture të re të quajtur “Srpski Zbor”, e cila u prezantua publikisht këtë muaj në Beograd. Në këtë organizatë janë përfshirë edhe Dejan Miroviq, profesor në Universitetin e Mitrovicës, dhe Ratko Ristiq, profesor në Fakultetin e Pylltarisë dhe këshilltar në Asamblenë e Beogradit.