Gratë me aftësi të kufizuara prezantojnë artin e tyre në Javën e Distrofisë në Prizren

Punimet e realizuara nga gratë e vajzat me aftësi të kufizuara janë ekspozuar gjatë kësaj jave në Sheshin e Lidhjes në Prizren. Aty edhe po shiten punëdoret e ndryshme unike. Kjo ekspozitë shitëse realizohet në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Javës së Distrofisë, me moton “Barazia për të gjithë”.
Resmije Rahmani nga Organizata e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës ka theksuar se qëllimi i këtij aktiviteti në kuadër të Javës së Distrofisë ka qenë që të tregohet se edhe gratë me aftësi të kufizuara janë të afta për punë.
“Po ne kemi dashur ti bëjmë disa aktivitete të ndryshme që të tregojmë që jemi të aftë për shumë fusha të jetës, si çdo person tjetër. Këto punime janë bërë nga katër vajza, me mua dhe tri të tjera, pra kjo është një punë grupore. Tri javët e fundit, ne i kemi punuar këto punime me shumë përkushtim. Për herë të parë punimet i kemi nisë prej fillimit deri në fund vetë, ashtu qysh kemi menduar që do të duken bukur. Edhe kur nuk ka qenë bukur, ka ndodhë që një tabak e kemi bërë dy herë, sepse nuk na ka pëlqyer pamja e parë qysh e kemi bërë”, ka thënë Rahmani.
https://youtube.com/shorts/tP7fe6VDgqU
Sipas saj, ndonëse sivjet nuk është përkrahur financiarisht shënimi i Javës së Distrofisë, megjithatë është ndërmarrë nisma për shënimin e saj.
“Tri ose katër vitet e fundit merremi me këto, por gjithmonë kemi punuar me mësuesen, që ka qenë aty të na ndihmonte, të na këshillonte. Sivjet s'kemi pasë përkrahje prej askujt për Javën e Distrofisë. Atëherë kemi vendosur vetëm ta bëjmë dhe vetëm ta nisim, sepse kemi pas material që na ka mbetur prej viteve të kaluara dhe kemi dashtë ta shfrytëzojmë, për këto punime që janë në shitje dhe të tregojmë që edhe ne jemi pjesë e kulturës, edhe pse Drejtoria ose Komuna në njëfarë mënyre na e mohon këto, pasi na kanë refuzuar për projektet për kulturë. Domethënë i vjen se neve nuk na takon kultura që është për keqardhje për mendimin tim”, është shprehur ajo.
Aktivistja nga Prizreni ka pohuar se mjetet nga shitja e këtyre punimeve do të shfrytëzohen për blerjen e materialit për realizimin e punimeve tjera.
“Prapë do të blejmë material për punime të tjera, se pasi nuk kemi mbështetje tjera, na duhet prapëseprapë me ato mjete që fitojmë ti bëjmë materialet tjera si ngjyra, si tabakët e drurit që nuk janë gatshme, se na duhet pastaj me i ngjyrosë edhe me i përgatitë për shitje. Edhe ndonjë herë nëse fitojmë më shumë, e organizojmë një si piknik, relaksim ashtu sa sadopak, si një stimulim për vajzat që punojnë”, ka bërë të ditur Rahmani.
Krahas saj, edhe Ajfera Mustafa ka realizuar disa punime që janë vënë në shitje.
“Kam realizuar punë dore me rruaza, ngjyrosje druri, etj. Këtë punë e bëj me kënaqësi. Ka disa vite që merremi më punë dore, dhe në njëfarë mënyre ma lehtëson shpirtin se e bëj me qejf dhe bashkë me shoqërinë”, ka thënë Mustafa, raporton Telegrafi.
Ndërkaq Sulltane Qafleshi ka pohuar se ka realizuar më shumë punime me ngjyra dhe më pak me rruaza.
“Fillimi ka qenë i vështirë, por tani ia kemi marrë dorën dhe e kemi më lehtë. E kemi si hobi. Mirëpo kjo punë me jep liri, disi ndihem e çliruar”, është shprehur ajo.
Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 31 maj në Sheshin e Lidhjes në Prizren, ku çdo ditë nga ora 12:00 deri në orën 18:00 shiten punimet unike.
Java e Distrofisë 2025 me moton “Barazia për të gjithë” organizuar nga OPDMK do të përmbyllet me 31 maj 2025 me disa aktivitete ndërgjegjësuese dhe kulturore në Sheshin e Lidhjes, duke synuar adresimin e çështjeve me të cilat ballafaqohen Personat me Aftësi të Kufizuara. /Telegrafi/










































