Site icon Telegrafi

Gjykata Speciale nuk lejon Hashim Thaçin të marrë pjesë në varrimin e babait

Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.

Lajmin e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur indinjatën dhe revoltën ndaj këtij vendimi.

Sipas OVL UÇK-së, refuzimi i Gjykatës Speciale për të lejuar Thaçin të japë lamtumirën e fundit babait të tij është një veprim i padrejtë dhe çnjerëzor, i cili bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë.

“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.

Po ashtu, organizata e veteranëve e ka konsideruar këtë vendim si një përpjekje të qëllimshme për të poshtëruar jo vetëm Thaçin dhe familjen e tij, por edhe ish-luftëtarët e UÇK-së.

Në reagimin e saj, OVL UÇK-ja ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave të të drejtave të njeriut që të reagojnë ndaj këtij vendimi, duke kërkuar që raste të tilla të mos përsëriten.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta tolerojë heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtarëve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë”, përfundon reagimi.

E derisa varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në orën 15:00, familja tashmë ka hapur dyert për të gjithë ata që duan të shkojnë për ngushëllime, në Burojë të Skederajt.

Që nga orët e hershme të mëngjesit shumë familjarë, të afërm të tyre dhe qytetarë, po shkojnë për ngushëllime te familja e ish- presidentit Thaçi.

Në fshatin e ish-presidentit Thaçi kanë shkuar për ngushëllime dhe bashkëpartiakët e tij.

Ndërsa ata po i pret për ngushëllime djali i ish- presidentit Endrit Thaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version