Nga Gjykata Kushtetuese në një njoftim për opinionin bëjnë të ditur se janë hapur dy lëndë mbi bazën e iniciativave të dorëzuara, me të cilat kontestohen disa dispozita të Ligjit për Kundërvajtje.
"Për shkak të interesit të shtuar publik dhe pyetjeve nga gazetarët, informojmë se në Gjykatën Kushtetuese janë hapur dy lëndë pas iniciativave të dorëzuara, me të cilat kontestohen ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, në pjesën që lidhet me vendosjen dhe funksionimin e sistemit elektronik të mbikëqyrjes në trafik, i njohur në opinion si projekti “Qytet i Sigurt – Safe City”", thuhet në njoftim.
"Lënda e parë – У.бр.25/2026: Dispozita të kontestuara - Neni 4 paragrafi 5, neni 5 paragrafi 3, neni 8 kapitulli 7-a, neni 48-a (pjesa “dorëzim”), neni 48-b (pjesa “lëshimi i procesverbalit për kundërvajtje në komunikacion me urdhërpagesë rrugore”), neni 7-b (pjesa “pranimi i përgjegjësisë për kundërvajtje”), neni 48-v, neni 48-g (“mospranimi i përgjegjësisë për kundërvajtje”) dhe neni 15 i Ligjit për Kundërvajtje, të datës 23.01.2026".
"Parashtruesit theksojnë se me këtë projekt vendoset një detyrim ligjor për të gjithë qytetarët që të kenë numër personal telefoni dhe adresë elektronike, në mënyrë që të realizohet komunikimi dhe pranimi i njoftimeve për kundërvajtje të mundshme. Gjithashtu, ata pretendojnë se është problematike fakti që në asnjë pjesë nuk parashihet respektimi i nenit 7 të Kushtetutës, në lidhje me përdorimin e gjuhëve, gjatë komunikimit përmes mesazheve telefonike apo mjeteve elektronike. Sipas tyre, qytetarët nuk janë vënë në pozitë të barabartë, pasi sistemi zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, duke pretenduar se në këto territore “nën lupë” vihet popullsia shqiptare, e cila është më e përfaqësuar në krahasim me qytetet e tjera të vendit", thuhet në njoftim.
Gjykata gjithashtu thekson se lënda e dytë është hapur me iniciativë të Ylli Paçukut.