Gjykata e Prishtinës ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë nga Muhamet Musliu, i cili po akuzohet se ka nxitur dhe përhapur ideologji ekstreme fetare sipas propagandës së ISIS-it.

Marrëveshja mbi pranimin e fajësisë e lidhur mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Muhamet Musliu është aprovuar sot më 19.08.2025 në Gjykatën e Prishtinës nga gjyqtari Vesel Ismaili.


Paraprakisht, prokurorja Fikrije Fejzullahu ka kërkuar nga Gjykata që të aprovohet marrëveshja e arritur mes PSRK-së dhe të akuzuarit për nxitje të përçarjes, Muhamet Musliu, shkruan Kallxo.com

Në këtë marrëveshje Prokuroria Speciale ka rekomanduar dënimin prej 1 viti dënim me burgim me kusht që mos të kryej vepra penale për 3 vite verifikuese për vepra të tilla apo vepra të tjera penale.

Sipas PSRK-së marrëveshja është arritur në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, i akuzuari është përfaqësuar nga mbrojtësit e tij gjatë procedurave penale, i njëjti është në dijeni për pasojat dhe benefitet e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

“Prokuroria Speciale konsideron se në rastin konkret marrëveshja e arritur mes PSRK-së dhe Muhamet Musliut është në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, për faktin që i akuzuari që nga fillimi i procedurës penale, është këshillu mjaftueshëm me mbrojtësit e tij për pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë dhe marrëveshjes se arritur, ashtu që sipas kësaj marrëveshje të akuzuarit i është shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 1 viti me kusht që i njëjti brenda tri vitesh nuk kryen veprën penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’, dhe as ndonjë vepër tjetër penale”, tha prokurorja Fejzullahu.

Më tej, prokurorja Fejzullahu tha se Prokuroria beson fuqishëm që më një dënim të tillë do të arrihet qëllimi i dënimit.

“Prokuroria fuqishëm beson që me një dënim të tillë do të arrihet efekti i ndalimit, parandalimit individual dhe gjeneral te kryerësit e mundshëm të veprave penale të kësaj natyre dhe se me këtë dënim, besohet të arrihet risocializimi optimal i të akuzuarit”, tha prokurorja.

Më tej prokurorja i propozoi Gjykatës që marrëveshjen si të tillë ta aprovoj dhe të akuzuarit Muhamet Musliu t’i shqiptoj dënimin sipas kësaj marrëveshje.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Musliu, avokati Visar Rrecaj kërkoi nga Gjykata që të aprovojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë duke thënë se e njëjta është lidhur në përputhje me dispozitat ligjore.

Avokati Rrecaj tha se i akuzuari është njoftuar për pasojat dhe beneficionet e marrëveshjes për pranim të fajësisë, dhe kërkoi nga Gjykata që t’i ndërpritet masa e paraburgimit të akuzuarit Musliu.

“Dënim ky që është në përputhje të plotë me dispozitat e lartcekura, e mjaftueshme për fillimisht korrektimin por edhe parandalimin e personave të tjerë që të kryejnë vepra të tilla penale dhe kërkojmë nga kjo Gjykatë që marrëveshjen ta aprovoj në tërësi”, tha avokati Visar Rrecaj.

Fjalën e avokatit të tij e mbështeti i akuzuari, Muhamet Musliu, i cili tha se i ka kuptuar pasojat e marrëveshjes, e ka lidhur marrëveshjen vullnetarisht dhe se nuk ka çfarë tjetër të shtoj. Krejt në fund gjyqtari Vesel Ismajli aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet gjatë ditës së sotme më 19.08.2025DOSJA E PROKURORISËSipas aktakuzës së datës 12.08.2025 i pandehuri Muhamet Musliu po akuzohet se ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mos durim midis grupeve fetare si dhe ka propaganduar ideologji ekstreme fetare, në atë mënyrë që i njëjti përmes rrjetit social “Facebook”, në profilin e tij ka shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse, duke publikuar fotografi dhe materiale propagandistike që përmbajnë skena të dhunshme, si prerje koke atyre që nuk respektojnë fenë islame.

Sipas aktakuzës i akuzuari Musliu  ka bërë thirrje për masakra ndaj hebrenjve dhe të krishterëve si dhe për të përhapur frikë në tokat joislame, sipas metodave të propagandës së ISIS-it, ashtu që duke publikuar foto dhe video të personave të ndryshëm të radikalizuar ka shpërfaq në publik thirrje të ekstremizmit fetar duke i përkrah veprimet të cilat janë bërë nga Organizata Terroriste Islamike, nga të cilat postime potencialisht mund të jetë prishë rendi publik.

Me këtë i pandehuri Muhamet Musliu po akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.