Gjithmonë e stiluar për duartrokitje: Princesha Charlene në fustanin më të bukur të bardhë

Princesha e mrekullueshme shkëlqeu në ceremoninë e ndarjes së Topit të Artë, ku mahniti me një fustan elegant të bardhë dhe me praninë e saj la të gjithë pa fjalë
Princesha Charlene e Monakos mori pjesë të hënën mbrëma në edicionin e 69-të të ndarjes së këtij çmimi prestigjioz në Paris dhe vërtet pushtoi publikun me paraqitjen e saj të kuruar me kujdes për këtë rast.
Dikur e quajtur “princesha më e trishtë”, ajo këtë herë rrezatoi vetëbesim, duke ndezur atmosferën me një paraqitje plot dritë e finesë.
Dukej si një divë e vërtetë e Hollivudit, aq sa për një moment ishte e vështirë të besoje se ndodheshim në një ngjarje sportive dhe jo në tapetin e kuq më prestigjioz.
Bukuroshja monakase shkëlqeu me një fustan të bardhë nga shtëpia e modës Elie Saab, që mund të konsiderohet si një nga daljet e saj më të bukura, edhe pse ajo tashmë është parë shpesh në krijime të mrekullueshme, transmeton Telegrafi.

Kreacioni që mbante titullohet Cady, i punuar nga mëndafshi, dhe rrezaton elegancë, atë të thjeshtën me të cilën princesha tashmë identifikohet, duke dërguar mesazhin se “më pak është gjithmonë më shumë”.
Fustani me mëngë të gjata, me supe lehtësisht të fryra, përqafon butësisht linjat e trupit dhe në pjesën e pasme shfaq një dekolte të madhe asimetrike, aty ku qëndron edhe gjithë hijeshia e tij.
Kësaj veshjeje mahnitëse ajo ia shtoi një çantë të bardhë “clutch”, këpucë sateni po ashtu të bardha, si dhe vathë të mëdhenj e të shkëlqyer, të cilët dolën më në pah falë flokëve të mbledhur në një topuz elegant e të ulët dhe buzëkuqit të kuq të ndezur.

/Telegrafi/



















































