Gjimshiti: I kam krenuar familjarët, tani jap gjithçka për fitore ndaj Portugalisë

Betim Zeqiri
Mbrojtësi fantastik e zëvendësoi të lënduarin Elseid Hysaj, duke treguar se është një nga mbrojtësit më të mirë që ka Kombëtarja,dhe e ardhmja i përket atij.
Ndaj danezëve Gjimshiti ishte fantastik, si në mbrojtje që nuk linte fare hapësira në krahun e djathtë, ai shpesh herë ndihmonte edhe sulmin e ‘kuqezinjve’.
Në një intervistë për Telegrafin, Gjimshiti tregon emocionet që kishte në ndeshjen e parë si dhe flet për ndeshjen e nesërme që Shqipëria do ta zhvillojë në ‘Elbasan Arena’, ndaj Portugalisë.
Telegrafi: Çfarë pritje tu ka bërë në grumbullimin e Kombëtares?
Gjimshiti: Disa lojtarë i kam njohur nga afër pasi luajmë në Zvicër, ndërsa mund të them se jam pritur shumë mirë. Të gjithë bashkëlojtarët pa dallim më kanë pritur shumë mirë dhe ma kanë bërë sa më të lehtë integrimin në ekip.
Telegrafi: Cilat ishin emocionet e Gjimshitit në debutim me Kombëtaren shqiptare?
Gjimshiti: Kamë hyrë në ndeshje me shumë emocione dhe ajo u pa në minutat e para. Isha shumë i emocionuar por pastaj gjithçka shkoi mirë falë edhe ndihmës që ma dhanë shokët e skuadrës në fushë, më bënë që të ambientohem më lehtë.
Telegrafi: Çfarë mendoje kur i pa tifozët shqiptarë në një numër shumë të madh?
Gjimshiti: Vërtetë jam befasuar. Nuk e prisja dhe nuk e dija se aq shumë tifozë do të vinin në stadium. Kanë qenë shumë të zhurmshëm dhe kjo na ka dhënë zemër që të luajmë edhe më mirë. Tifozët tanë janë e bukura e kësaj Kombëtare.
Telegrafi: Barazuat ndaj Danimarkës 0-0, a e keni pritur këtë rezultat?
Gjimshiti: E kemi pasur parasysh që duhet të kemi kujdes të madh dhe që nuk duhet të pranojmë gol. Ofensiva e tyre ishte shumë e mirë por në fund ia arritëm të marrim një pikë. Them të drejtën në Danimarkë kemi udhëtuar për fitore, por edhe një pikë nuk ishte keq.
Telegrafi: Sigurishtë keni marrë shumë urime për paraqitjen ndaj Danimarkës dhe debutimin tuaj... Cili ishte urimi më i mirë?
Gjimshiti: Kam marrë shumë urime dhe momentalisht nuk di se për cilin të them ishte më i miri. Më së shumti më kanë uruar familjarët të cilët kam arritur t’i bëjë krenar me ndeshjen time. Për mua gjitha urimet që kam marrë kanë qenë speciale dhe i falënderoj të gjithë ata që gjetën kohë të shkruajnë së paku një fjalë.
Telegrafi: Ndeshja e radhës është ndaj Portugalisë së Cristiano Ronaldos, a do ta ndalojë Berati fituesin e ‘Topit të Artë’?
Gjimshiti: Së pari dua të sqarohem se nuk kam dhënë asnjë fjalë se do ta ndaloj Ronaldon apo gjëra të tjera. Natyrisht nëse do të jem në formacion do të jap 200% nga vetja ime për të mirën e Kombëtares. Tifozët shqiptarë do të na përkrahin nga tribunat dhe ne do të japim më të mirën në fushë.
Telegrafi: Cili është synimi i Shqipërisë për ndeshjen ndaj portugezëve?
Gjimshiti: Dëshira jonë është që t’i marrim tri pikë, por duhet të kemi parasysh se kemi një kundërshtarë të fuqishëm si Portugalia. Varësisht se si do të shkoj ndeshja, por edhe barazimi nuk do të ishte rezultat i keq.
Telegrafi: Sa ka gjasa Kombëtarja shqiptare që të kualifikohet për në ‘Euro 2016’?
Gjimshiti: Kemi gjasa shumë të mëdha që të kualifikohemi por gjithçka e kemi në dorën tonë. Motivimi është jashtëzakonisht i madh në ekip dhe kjo besoj na ndihmon.
Telegrafi: Diçka për fund?
Gjimshiti: I falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur, dhe i bëjë thirrje tifozëve shqiptarë anë e mbanë botës të na përkrahin edhe më shumë që së bashku ta realizojmë ëndrrën tonë të kualifikohemi për në kampionatin evropian. /Telegrafi/






















































