LAJMI I FUNDIT:

Gati 900 persona hoqën dorë nga shtetësia shqiptare vitin e shkuar

Gati 900 persona hoqën dorë nga shtetësia shqiptare vitin e shkuar

Shqiptarët jo vetëm po largohen, por po braktisin përfundimisht vendin. Për një pasaportë evropiane apo australiane gati 900 persona hoqën dorë nga shtetësia shqiptare vitin e shkuar. Në krahasim me vitin 2023, numri i atyre që “ikin pa kthim” u rrit me 52 raste ose 6.1 për qind.

“Të paktë janë shtetet të cilat të lejojnë dy nënshtetësinë. Normalisht shteti i cili të pret pretendon që të lini shtetësinë tuaj e të përfitoni atë të vendit ku jetoni. Marrja e nënshtetësinë është një procedurë e tejzgjatur dhe personat e kualifikuar kanë përparësi. Mund të shkoj ky proces deri në 7-8 vjet”, thotë për A2 CNN Rafael Todhe, jurist në Gjermani.

Përherë e më shumë shqiptarët po heqin dorë nga pasaporta e vendit të lindjes për të marrë atë të një shteti që u ofron më shumë, së paku në një drejtim, atë të ekonomisë. Të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se në dekadën e fundit janë mbi 6 mijë e 600 shqiptarë që kanë hequr dorë nga pasaporta shqiptare.


“Shumë vende të bashkimit europian nuk e lejojnë dyshtetësinë, ndër to gjermania, Austria, Holanda, Spanja nuk e lejojnë. Shtete ku flukset e emigrimit të shqiptarëve janë më të mëdha”, thotë Todhe.

Po çfarë po e shtyn të heqin dorë nga shtetësia? “Pjesa më e madhe që i shtynë janë 3 indikatorë një punë më e mirë arsim më i mirë shëndetësi më e mirë. Nuk përfitojnë nga shumë përparësi që shtetet japin. Nëse e marrin atë janë shtetas europian dhe përfitojnë së pari lëvizjen e lirë, ndryshimin e vendbanimit”, thotë për A2 CNN Eldisa Cirogu, studiuese e emigracionit.

Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 52 për qind e të larguarve nga vendi janë të rinj të grup-moshës 15-35 vjeç.

“Përveç tkurrjes ekonomike, forca e madhe e punës largohet, nga na tjetër ne perceptojmë një tkurrje demografike, plakje më e shpejtë e popullsisë sonë”, thotë Cirogu.

Sipas të dhënave nga EUROSTAT, më shumë se 521 mijë qytetarë shqiptarë kanë marrë në 20 vitet e fundit shtetësinë e njërit nga vendet e Bashkimit Europian.