Gashi: Fitorja e VLEN është kthim shprese për shqiptarët
Kemi biseduar me kryetarin e Alternativa, Afrim Gashi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por edhe për pyetje personale. Çfarë rezultati prisni mes Taravarit dhe kundërkandidatit Osmani në zgjedhjet presidenciale? Gashi: Dallimi mes kandidatit të koalicionit shqiptar VLEN dhe kandidatit të koalicionit multietnik, i a.q. Fronti Europian, është substancial. Së pari, në kohën që BDI-ja kalkulonte që ta mbështesë Stevo Pendarovskin, ne bëmë thirrje që të kemi kandidat konsensual shqiptar, sepse, si asnjëherë më parë, për shkak të matematikave elektorale, në këto zgjedhje ka gjasa reale që kandidati shqiptar të shkojë në raundin e dytë dhe pse jo të zgjidhet president i Maqedonisë së Veriut. Dhe, kur nga BDI-ja kishte heshtje, ne e kandiduam Dr. Arben Taravarin, të cilit kohë më parë edhe vetë Ali Ahmeti i kishte shfaqur gatishmëri për mbështetje. Megjithatë, pasi që ne e propozuam, BDI-ja vendosi ta sabotojë kandidatin shqiptar, duke e kandiduar Bujar Osmanin dhe duke kërkuar mbështetje nga komunitetet joshumicë. Dhe, ky sabotim nuk ka të bëjë personalisht me Arben Taravarin, por ka të bëjë drejtpërdrejt me mundësinë që një kandidat shqiptar të futet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Me fjalë të tjera, për ne Arben Taravari nuk është në garë me Bujar Osmanin, por ai garon me krejt kandidatët e tjerë për të kaluar në raudin e dytë. Ky është dallimi themelor mes Arben Taravarit dhe Bujar Osmanit. I pari është kandidat i shqiptarëve, i dyti është kandidat i mbështetur nga komunitetet joshumicë. I pari është kandidat për ta bërë betejën që shqiptari të bëhet president, i dyti është kandidat që ta sabotojë mundësinë që shqiptari të bëhet president, duke i bërë shërbim një kandidati maqedonas. I pari është kandidat pa asnjë aferë dhe me plot suksese në detyrat që i ka pasur, i dyti, si ministër i Jashtëm dhe kryesues i OSBE-së, është kandidat të cilit e kaluara i flet keq në relacion me kauzën shqiptare, veçmas në raport me Kosovën. Prandaj, është evidente se fitues i këtyre zgjedhjeve në kampin shqiptar do të jetë Dr. Arben Taravari, ndërsa humbës jo vetëm elektoral, por edhe kombëtar, do të jetë kandidati i koalicionit të a.q. Fronti Europian.
Tjetër. Kjo fitore ka shumë rëndësi në kohën kur na ka degraduar kaq shumë përfaqësimi politik dhe në kohën që BDI-ja na ka kthyer në komb simbolik pa përmbajtje. Ke ministër të Financave dhe të Ekonomisë me emra shqiptarësh, ndërsa në anë tjetër ke varfëri dhe mungesë zhvillimi pikërisht te shqiptarët. Ke ministër Arsimi me emër shqiptari, ndërsa arsimi shqip është buzë greminës, madje nxënësve shqiptarë në disa shkolla nuk u lejohet as të mësojnë shqip. Ke ministër të Jashtëm me emër shqiptari, i cili ishte edhe kryesues i OSBE-së, por ai flet për Kosovës gati si me gjuhën e Serbisë. Ose, ke kryeministër teknik me emër shqiptari, i cili pushtetin e tij e dëshmon nëpër zyra të administratës ose duke shkarkuar shqiptarë nga pozicione ekzekutive, por që nuk guxon të prekë në asnjë të temë që i avancon shqiptarët ose që ua turbullon ujin maqedonasve. Prandaj neve na duhet kjo fitore, që shqiptari të dalë nga vetëkaqësia e përfaqësimit simbolik në përfaqësimin përmbajtjesor dhe kuptimplotë politik.
Kjo për ne është një betejë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë jam fort i bindur se kjo fitore është një kthesë dhe një shpresë për të ndryshuar kursi i kauzës shqiptare në RMV, por edhe që të ruhet kursi europian i këtij shteti. Çdo opsion tjetër do të ishte fatal për shqiptarët dhe, në përgjithësi, për vendin.

Po momenti më i keq? Sigurisht që ka pasur edhe momente të këqija, por edhe ato nuk mund t’i gjykoj vetëm me peshore personale. Për mua moment i rëndë ka qenë ndarja e Lëvizjes BESA. Unë kam qenë njëri ndër themeluesit e asaj partie, madje – veç për informacion – kam qenë autor i platformës politike të saj. Andaj, pas suksesit të saj në zgjedhjet e vitit 2016-të, kur ishte evidente se ajo parti do të ishte e ardhmja politike e shqiptarëve të Maqedonisë, ndodhi përçarja, që nga kjo perspektive ishte e evitueshme dhe e dëmshme, por për fat të keq kishte shumë ndërhyrje nga jashtë që e luftonin suksesin e atij subjekti.







































