LAJMI I FUNDIT:

Gary Linekeri dhe sfera e re problematike e fjalës së lirë

Gary Linekeri dhe sfera e re problematike e fjalës së lirë
Ilustrimi: Ewan White / FT

Nga: Stephen Bush / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Ndjekja e paanshmërisë mund t’i shtyjë njerëzit të bëjnë gjëra të çmendura. Një numër i gazetarëve që njoh abstenojnë nga votimi për t’iu përmbajtur këtij parimi. Kjo gjithmonë më ka shtyrë që ta zbuloj botën sipas pikëpamjes fisnore: i vetmi gjykim kritik që bëjnë për politikën ndodhë atëherë nëse duhet të shënojnë në një kuti të kuqe apo të kaltër në kohën e zgjedhjeve? Në mënyrë të pashmangshme, nëse rritni një fëmijë, nëse kujdeseni për të afërmit e moshuar, nëse vozisni, përdorni transportin publik, merrni banesë me qira, keni hipotekë ose një mori pronash, arrini në përfundimet nëse vendi juaj drejtohet mirë apo keq.

Tim Davie, drejtori i përgjithshëm i BBC-së, po përballet me pasojat e momentit të vet të çmendurisë. Pasi e ndaloi Gary Linekerin, ish-reprezentuesin e Anglisë që të prezantojë temat kryesore të futbollit – për shkak të postimeve të tij të papërmbajtura në Twitter ndaj retorikës konservatore për azilin dhe imigracionin – tani ka bërë kthim në drejtim të kundërt. Linekeri është kthyer dhe korporata do të ketë “rishikim të pavarur” për udhëzimet e veta për mediat sociale.


Rishikimi do të ishte mirë të niste duke theksuar se ish-futbollistët dhe të tjerët që prodhojnë programet e zbavitjes për BBC-në, prej kohësh kanë gëzuar liri më të madhe sesa ata që punojnë në lajme. Askush në BBC nuk kërkoi ta hiqte ekspertin sportiv Ian Wright, ose ta detyronte t’i tërhiqte vlerësimet e veta duke thënë se e kishte admiruar Margaret Thatcherin sepse ishte “grua e fortë” si nëna e tij dhe se ajo ia lejoi atij që të mbante “një pjesë të mirë të parave që kam fituar”. Askush në korporatë nuk kërkoi ta ndalonte Linekerin pasi mbështeti Remain-in më 2016 [mbetjen e Britanisë së Madhe në BE] ose kur më 2017 u bëri thirrje laburistëve që ta “hedhin [Jeremy] Corbynin në koshin e plehrave”. Një arsye se pse BBC-ja tani duhet të anulojë ose të kufizojë pjesën më të madhe të mbulimit të futbollit, ka të bëjë me atë se parimi është se ish-futbollistët mund të bëjnë komente politike jashtë roleve të tyre të transmetimit.

Kështu siç ndodhë, pajtohem me Wrightin se norma më e lartë e taksave kur Margaret Thatcher erdhi në pushtet, me 83 për qind, ishte shumë e lartë, si dhe me Linekerin se do të kishte qenë më mirë që gjatë gjithë kohës Britania e Madhe të mbetej në BE dhe që Jeremy Corbyn të mos e udhëhiqte Partinë Laburiste në zgjedhjet e vitit 2017 dhe të vitit 2019. Por, nuk jam dakord me Linekerin se retorika e Mbretërisë së Bashkuar, për imigracionin, tingëllon si ajo e Gjermanisë së viteve 1930. Krahasimi është dyfish i çuditshëm: minimizon dhunën e qartë të retorikës naziste dhe injoron ngjashmëritë shumë më të mëdha mes retorikës së atëhershme britanike dhe të retorikës së tashme britanike.

Por, as unë dhe askush tjetër nuk kemi të drejtë të presim që personazhi i famshëm që prezanton temat kryesore të futbollit do të jetë në një linjë me ta në lidhje me taksat, rregullimet institucionale të Mbretërisë së Bashkuar, udhëheqjen e Partisë Laburiste ose mënyrën e duhur për të menduar ose folur për politikën britanike të imigracionit kur ata janë jashtë transmetimit.

Gabimet e BBC-së në trajtimin e aferës Lineker i bëjnë jehonë mënyrës sesi Disney reagoi në polemikën rreth cicërimave [në Twitter] – që ishin të ngarkuara me konspiracion – të aktores Gina Carano. Carano u pushua nga roli i saj si mercenarja Cara Dune në serinë The Mandalorian, me arsyetimin se nuk mbështeste “vlerat” e njëjta si të Disney-t. Por, Carano nuk u punësua për “vlerat” e saj dhe, për rrjedhojë, nuk duhej të pushohej nga puna për shkak të tyre.

Bob Chapek, CEO i atëhershëm i Disney-t, si dhe Davie, përballen me sfidat e ngjashme: presioni nga politikanët që i shtynë ata në drejtimin konservator, presioni nga stafi që i lëviz ata në drejtimin liberal. Kësaj duhet shtuar faktin se mediat sociale kanë krijuar një sferë të re për fjalimet. Cicërimat e Linekerit padyshim nuk janë private, por ato nuk janë as mesazhe të korporatës apo vërejtje profesionale.

Ndonëse Twitteri është publik, njerëzit ndjekin të famshmit dhe figurat tjera për të pasur një pikëpamje të pazbukuruar se kush janë ata. Por, ndjekja e njerëzve që admirojmë në një arenë të mediave sociale, pothuajse në mënyrë të pashmangshme përfshin mësimin për gjërat për të cilat nuk pajtohemi me ta për të tjerët. Është e arsyeshme të nxjerrim konkluzione nëse duam ose jo ta ndjekim atë person, apo nëse do ta shohim një film që ka të bëjë me rekomandimin e tij. Por, postimet e ashpra në Twitter rreth politikës së migracionit, të cilat bëjnë me dije se ke nevojë të madhe ta lexosh librin e Louise Londonit, Whitehall and the Jews, nuk janë tregues i arsyeshëm për t’ju penguar që ta prezantoni futbollin.

Kjo në mënyrë të pashmangshme do të thotë se disa njerëz do të përballen me kufizimet më të mëdha për atë që thonë në mediat sociale. Bartja e mosmarrëveshjeve të brendshme të organizatës suaj në publik është padyshim e papranueshme, ndërkohë që është e arsyeshme të supozohet se njerëzit do të kenë tolerancë më të lartë për cicërimat e çuditshme nga aktorët sesa nga një profesionist mjekësor.

Por, pavarësisht natyrës së saktë të rolit, përfundimi që duhet të arrijë rishikimi i BBC-së është i njëjti me atë që duhet të bëjnë politikanët dhe CEO-t: se e vetmja gjë e arsyeshme që pritni nga një shërbim është profesionalizmi, jo se mbulesa e tyre në mediat sociale do të jetë e lirë nga çdo gjë që ju duket e pakëndshme. /Telegrafi/