Galatasaray i ka dhënë një ultimatum Victor Osimhenit, ndërkohë që e ardhmja e sulmuesit nigerian vazhdon të jetë e paqartë. Sipas raportimeve nga Fanatik, klubi turk tashmë ka arritur një marrëveshje me Napolin për shumën e transferimit, por mungesa e përgjigjes nga lojtari po vë në sprovë durimin e drejtuesve të klubit.

Osimhen e kaloi sezonin 2024/25 si i huazuar te Galatasaray, ku shkëlqeu me 26 gola në 30 ndeshje në Superligën turke, duke ndihmuar skuadrën e Okan Buruk të fitojë titullin me 11 pikë epërsi ndaj Fenerbahçes.


Megjithatë, pavarësisht suksesit në fushë, e ardhmja e tij mbetet pezull. Galatasaray ka bërë përpjekje për ta transferuar përfundimisht, por sulmuesi ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare.

Nënkryetari i klubit, Abdullah Kavukcu, ka dalë publikisht duke e kritikuar pritjen e zgjatur: "Ai po na lë të presim, por koha po mbaron. I kemi ofruar më shumë se çdo klub tjetër evropian. Tani është radha e tij të marrë një vendim".

Sipas mediave, Galatasaray i ka bërë me dije kampit të Osimhenit se negociatat do të mbyllen pas pushimeve verore, nëse nuk ka një qëndrim të qartë nga lojtari dhe agjentët e tij.

Përveç interesimit të Galatasarayt, në lojë janë futur edhe klube të tjera. Juventusi ka shfaqur interes konkret, ndërsa nuk përjashtohet as një transferim në Ligën Profesionale Saudite, ku disa skuadra janë të gatshme të ofrojnë kushte shumë të favorshme financiare. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app