Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Askush me mend në kokë nuk besonte se Putini do të merrte seriozisht pjesë në raundin e fundit të bisedimeve për paqe në Stamboll. Dhe, kështu ka ndodhur. Kërkesat e tij vijnë drejtpërdrejt nga manuali i negociatave të ministrit të Jashtëm sovjetik, Andrei Gromyko: kërko maksimumin, paraqit ultimatume dhe mos lësho pe për as një centimetër.


Kushtet e Putinit për një marrëveshje përfundimtare nuk ndryshojnë nga diktatet e tij që nga fillimi, përfshirë njohjen ndërkombëtare të okupimit nga Moska të katër rajoneve që ai i konsideron si territor rus, si dhe një garanci se Ukraina nuk do të bashkohet kurrë me ndonjë aleancë ndërkombëtare. Madje, edhe rrugët e tij drejt një armëpushimi të përkohshëm përfshijnë tërheqjen e forcave ukrainase nga të katër rajonet, çmobilizimin e ushtrisë, ndërprerjen e ndihmës ushtarake ndërkombëtare dhe zgjedhjen e një qeverie të re.

Me fjalë të tjera: kapitullim i plotë, me Ukrainën që dorëzon sovranitetin, që ndahet, izolohet, çarmatoset dhe drejtohet nga një qeveri kukull e Rusisë në Kiev. Kjo nuk do të thotë që negociatat nuk duhet të vazhdojnë. Qeveria ukrainase ka sinjalizuar tashmë se do të jetë e gatshme të pranonte përkohësisht pushtimin e territoreve që Rusia veçse ka zaptuar. Por, është e vështirë të imagjinohet se si Putini do të tërhiqet nga pozicioni i tij maksimalist, pa ndryshime të mëdha në fushën e betejës ose në situatën ekonomike.

Presidenti Trump provoi një qasje më të butë ndaj Putinit, duke ofruar perspektivën e përfitimeve të mëdha ekonomike përmes një normalizimi të marrëdhënieve ShBA-Rusi. Putini nuk e ka pranuar këtë, edhe pse si lakmitar ka tentuar ta zbusë Trumpin dhe ta nxisë që të braktisë Ukrainën me mashtrimin e tij të shtirur për përfshirje në negociata. Trumpi ashiqare e ka kuptuar këtë. Ai ka thënë se ishte "shumë i zemëruar" nga propozimi i Putinit që Ukraina të vihej nën administrim të jashtëm, me zgjedhje të mbikëqyrura nga OKB-ja.

Tani ShBA-ja duhet të provojë një qasje tjetër. Trumpi mund të thotë se bëri gjithçka që mundi për të ndalur gjakderdhjen në muajt e parë të presidencës së tij, por kokëfortësia e Putinit tani kërkon taktika të tjera.

Cilat do të ishin këto taktika? Të tentohet paqja, ndërkohë që njëkohësisht të dyfishohet mbështetja ushtarake e ShBA-së për Ukrainën dhe të ushtrohet presion mbi aleatët evropianë që të bëjnë të njëjtën gjë. Ishte udhëheqja ngurruese e Bidenit që lejoi shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore, si dhe ShBA-në, të bëjnë më të paktën. Kjo duhet të ndryshojë dhe tashmë kemi parë se si qasja këmbëngulëse e stilit Trump mund t’i detyrojë evropianët të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtje - si gjatë mandatit të tij të parë, edhe më shumë në të dytin.

Rinovimi i përkushtimit amerikan ndaj NATO-s do të ndihmonte gjithashtu në inkurajimin e liderëve evropianë. Do të dërgonte një mesazh të fuqishëm edhe për Putinin, objektivi kryesor strategjik i të cilit është përçarja e Perëndimit. Duhet të lëvizim përtej dhënies së ndihmës së mjaftueshme Ukrainës, vetëm sa për t’u mbrojtur, por kurrë aq sa për të fituar. Përpjekja e nevojshme për ta dëbuar Rusinë plotësisht nga Ukraina ndoshta është diçka e tepërt për t’u pritur, por qëllimi do të ishte t’i mundësohej Kievit të shkaktonte edhe më shumë dëme forcave ruse, duke e detyruar Putinin të rishqyrtojë përllogaritjen e tij aktuale se mund ta lodhë Ukrainën dhe ta tejkalojë mbështetjen e Perëndimit.

Ndër kufizimet më të dëmshme që Bideni i ka vendosur Ukrainës ishte ndalimi i përdorimit të armëve të furnizuara nga ShBA-ja për të sulmuar territorin sovran rus. Kjo vinte si pasojë e frikës së tij nga përshkallëzimi rus, qoftë kundër Ukrainës, qoftë kundër vendeve të NATO-s. Kjo i lejoi Putinit të vazhdonte ta mbronte popullsinë ruse nga konflikti, duke e mbajtur të kufizuar në një “operacion special ushtarak”. Por, Kievi nuk u përmbajt, duke lëshuar dronë artizanalë në territorin rus dhe madje duke ndërmarrë pushtimin e parë të territorit të saj që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sulmi më i fundit spektakolar me dronë ndaj Rusisë, i cili shkatërroi në tokë një pjesë të madhe të forcës së saj strategjike ajrore, tregon se çfarë mund të arrihet. Disa thonë se ShBA-ja dhe vendet evropiane duhet të distancohen nga kjo, nga frika e hakmarrjes së Moskës. Por, pavarësisht qëndrimit diplomatik që zgjedhin të mbajnë, ato duhet të bëjnë të kundërtën: t’i japin Ukrainës atë që i duhet për të kryer sulme të tjera, për të dobësuar kapacitetin ushtarak rus, për ta sjellë luftën në shtëpinë e popullit dhe për ta poshtëruar Putinin.

Trumpi duhet të shkaktojë dëme të vërteta ekonomike ndaj Rusisë. Shumëçka mund të arrihet përmes veprimeve më efektive ushtarake, duke rritur shkallën e humbjeve në armë dhe pajisje, gjë që potencialisht mund ta detyrojë Putinin ta kalojë ekonominë në regjim të plotë lufte.

Sanksionet e vakëta kundër Rusisë nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe vendet evropiane kanë paguar më shumë për hidrokarburet ruse sesa kanë dhënë ndihmë për Ukrainën. Duhet të shtrëngojmë vidat përmes masave më të ashpra ndaj sektorit energjetik rus, ta shkëpusim më në fund Moskën nga sistemi bankar ndërkombëtar dhe të ndërpresim flotën e anijeve që i ka mundësuar të rrisë të ardhurat nga nafta. Një goditje e rëndë gjithashtu do të ishte sekuestrimi i tërësishëm i 330 miliardë dollarëve të aseteve të ngrira të Rusisë në vendet perëndimore, për të financuar luftën - ose të paktën të planifikohet një veprim i tillë, në varësi të negociatave.

Putini tregoi edhe një herë në Stamboll se nuk ha karota, prandaj Trumpi tani duhet ta veprojë drejt një marrëveshjeje të vërtetë duke përdorur një shkop shumë të madh. /Telegrafi/