LAJMI I FUNDIT:

As Franca nuk mund të shpëtojë nga kalbja kulturore e Perëndimit

As Franca nuk mund të shpëtojë nga kalbja kulturore e Perëndimit

Nga: Tim Stanley / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Në Lojërat Olimpike shpeshherë këndohet [kënga] Imagine, që përmban vargun, “Paramendo se nuk ka shtete” … Epo, nëse nuk do të kishte shtete, nuk do të kishte Olimpiadë, e kjo do të ishte diçka e mrekullueshme. Kush dëshiron të shikojë për dy javë gratë me muskuj duke garuar me njëra-tjetrën në sporte të rënda? E vetmja gjë argëtuese është ceremonia e hapjes. Britania bëri një hapje të mirë në vitin 2012; aq të mirë saqë hyri në folklor – së bashku me Kupën e Botës më 1966 dhe me Dankërkun. Kur nipërit tanë pyesin: “Çfarë keni bërë gjatë përplasjes së qytetërimeve?”, ne do të përgjigjemi: “E nxorëm [mbretëreshën] Elizabeth II jashtë helikopterit [me parashutë]”.

Parisi, në anën tjetër, na ofroi mbretëreshat e dregut [drag queens – zakonisht kur mashkulli përdor veshje dhe grim për të imituar dhe ekzagjeruar tiparet e gjinisë femërore] duke bërë parodi të Darkës së Fundit – duke fyer të krishterët, duke tallur Zotin. Kur ia përshkrova këtë skenë një prifti, ai u përgjigj: “Pra, kjo e shpjegon rrebeshin e shiut”.


Sigurisht, ishte blasfemi, por ishte gjithashtu e pavlerë; krim estetik dhe fetar. Për herë të parë në jetë e ke shansin t’ua shesësh turistëve vendin tënd dhe çfarë bëri Franca? Një duzinë e burrave – njëri me mjekër – duke u përdridh [twerk] me [këngën] Freed from Desire. Kultura e vërtetë kërkon disiplinë dhe shije. Në shekullin XXI, njerëzit thjesht “festojnë”, sepse kjo kërkon zero përpjekje dhe këtë çdo idiot mund ta bëjë.

Të godasësh të krishterët është punë shumë e lehtë, sepse nuk kemi fuqi dhe, kur jemi të zemëruar, nuk turremi me aeroplanë. E, megjithatë, disa njerëz nuk mund të na lënë të qetë. E kanë një nevojë për të tallur besimet tona dhe për të përmbysur imazhet tona, për ta tërhequr Krishtin zvarrë deri në degradim – sikur nuk u mjafton se atë një herë e kanë kryqëzuar.

Ndoshta është kështu sepse besimi është gjë e bukur. Njerëzit nuk dinë si të reagojnë ndaj kësaj. Kur rritesh në shëmti, përballja me bukurinë e thellë dhe me transcendenten e Darkës së Fundit mund të ta ngjall habinë; po, por edhe frikën. Mendoni për ata majmunët e egër të cilët e shikojnë monolitin misterioz në [filmin] 2001: A Space Odyssey. Bukuria shpërthen iluzionin e ekzistencës së rehatshme banale.

Paramendoni sikur në vend të parodisë së mbretëreshave të dregut ceremonia të bënte pauzë për të shfaqur pikturën e vërtetë të Leonardo da Vincit. Pa muzikë. Pa fishekzjarrë. Thjesht Krishti me miqtë [Jesus&Co]. Miliona njerëz do ta kishin fikur televizorin – sepse pa dyshim do ta shihnin si të mërzitshme, por edhe të çuditshme, shqetësuese dhe ndoshta fyese. Do të kishte mijëra ankesa. Tërë ekzistencën e kemi projektuar rreth kënaqësisë dhe shpërqendrimit. Ndaleni vallen për një minutë dhe njerëzit heshtjen mund ta mbushin me mendime, madje edhe me lutje … ose mund të bëjnë trazira.

Sidoqoftë, revolucionin e keni në duart tuaja dhe grupet e caktuara atë nuk mund ta kenë.

Organizatorët kanë kërkuar falje për çdo ofendim të shkaktuar, por sarkastikët këmbëngulin se gjithë kjo ishte një shaka tipike franceze të cilën bota nuk e kupton. Por, sa franceze ishte ceremonia në përgjithësi?

Celine Dion është kanadeze. Lady Gaga është nga Shtetet e Bashkuara. “Kjo është Franca!”, shkroi Emmanuel Macron në Twitter – në anglisht, diçka që nuk mund të paramendohej kurrë se do të bënin [Charles] De Gaulle apo [François] Mitterrand. Në fakt, ky version i Francës disi duket amerikan, ndërsa mbretëresha e dregut është një tjetër import.

Për humor, burrat për shekuj të tërë janë veshur si gratë, dhe kjo mund të vazhdojë edhe më gjatë. Por, atmosfera aktuale e formës së artit u promovua nga Ru Paul – padyshim i ndikuar nga voguingu [stili i vallëzimit që lindi nga grupet LGBTQ në Harlem në vitet 1980] – dhe nocioni se mbretëreshat e dregut janë apostuj të përparimit është 100 për qind “i krijuar në ShBA”.

Jam mjaft i vjetër për të kujtuar kohën kur mbretëresha e dregut nënkuptonte një djalë, shpeshherë të martuar, i veshur si [shkrimtarja angleze] Barbara Cartland dhe i cili tregonte shaka të ndyra për të huajt në taverna. Jenkit e kanë integruar këtë subkulturë, duke e transformuar në produkt masiv të konsumit, gjë që ishte një tjetër arsye për të simpatizuar e jo për t’i fishkëllyer dishepujt. Ky material, 20 vjet më parë pushoi së qeni i guximshëm ose i papërshtatshëm. Ashtu si flamuri i ylberit (i projektuar nga një amerikan) ose Parada e Krenarisë (projektuar në Amerikë), është banal sepse është i kudondodhur.

Pra, britanikët nuk duhet të habiten me lojërat vulgare franceze. Nëse do t’i mbajmë sot, do t’i bëjmë të njëjtat gabime. Ceremonia jonë do të ishte gjithashtu manifestim i diversitetit – çdo komb perëndimor është bërë i larmishëm deri në masën sa duken krejtësisht të njëjtë – sepse diversiteti është diçka që njeriu promovon kur humb besimin në identitetin historik. Kur përcaktohesh se gjithçka që ke bërë para vitit 1960 ishte racizëm, dhe kur ndalon së shkruari romane të shkëlqyeshme, së kompozuari simfoni ose duke bërë piktura përtej standardeve të shkollës fillore.

Perëndimi po vdes kulturalisht. Duket i gjallë vetëm sepse po kërcejmë mes relikteve të asaj që dikur e bënim mirë – dhe jemi aq të turpëruar nga këto arritje të së kaluarës, saqë ndihemi të shtyrë për t’i tallur idealet e saj.

Ceremonia e Parisit, natyrisht, e shfaqi një Marie Antoinette pa kokë. Le të qeshim me viktimën e eksperimentit të mëparshëm të egalitarizmit. Është interesant se si gjinia gjithmonë ndjek debatet rreth qytetërimit. Më 1790, Edmund Burke – filozofi i cili ka shkruar para ekzekutimit të Maries – parashikoi se mungesa e kavalerisë së treguar ndaj mbretëreshës do të sjell katastrofën për të gjitha gratë dhe për gjithë Francën. Në një botë pa etiketa apo pa dallime, tha ai, “mbretëresha është veçse një grua; një grua është veçse një kafshë – dhe një kafshë jo nga rendi më i lartë”. Abuzimi me monarkët, si djegia e librave, gërryen dinjitetin dhe inkurajon vrasjen.

Rënia e Francës nuk është asgjë e veçantë. Në disa aspekte është përpara nesh; në të tjerat është prapa. Puna dëshpëruese është se kjo tashmë është bërë përditshmëri. Këto Olimpiada janë shpërfytyruar nga tensioni racor, nga paaftësia, shija e dobët, hekurudhat jo të besueshme, uji i ndotur i lumenjve dhe moti i tmerrshëm. Fati i Francës është më i keq se vdekja: ajo është bërë Britani e Madhe. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
KANGË

KANGË

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
DURIMI

DURIMI

Fjala+
Kalo në kategori