Fotoreporteri Ridvan Slivova ndan pamje të rralla: James Rubin në Kodrën e Trimave, dhjetor 1991

Fotoreporteri i njohur kosovar, Ridvan Slivova, ka publikuar sot disa fotografi të rralla historike, të cilat dokumentojnë vizitën e ish-zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin, në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, në dhjetor të vitit 1991.
Pamjet, të publikuara për herë të parë në rrjetet sociale paraqesin Rubin në një vizitë diskrete, në një kohë kur tensionet politike dhe represioni serb ndaj shqiptarëve të Kosovës po intensifikoheshin.
Në fotografitë e publikuara nga Slivova, Rubin shihet i shoqëruar nga përfaqësues lokalë dhe disa qytetarë të zonës, ndërsa ecën nëpër rrugicat e Kodrës së Trimave.

“Këto janë momente që i kam mbajtur me kujdes për më shumë se tri dekada. Vizita e Rubin në Prishtinë në dhjetor 1991 ishte një ngjarje që ndodhi pa shumë bujë, por me domethënie të madhe politike për kohën”, tha Slivova për Telegrafin.
Sipas tij, vizita kishte karakter informues dhe politik, dhe ndodhte në një periudhë kur SHBA-të po ndiqnin nga afër zhvillimet në ish-Jugosllavi dhe lëvizjet politike të shqiptarëve të Kosovës drejt vetëvendosjes.
Publikimi i këtyre fotografive vjen vetëm disa ditë pasi James Rubin dëshmoi në Hagë në rastin kundër Hashim Thaçit, ku ai përmendi edhe takimet me liderë shqiptarë dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në ndihmën ndaj çështjes së Kosovës në fund të viteve '90.
Në fotografi shihen Gazmend Pula - përfaqësues i zyrës së Komitetit Kosovar të Helsinkit dhe Sejdi Veseli, ish i burgosur politik dhe udhëheqës i luftës së zonës së Gollakut. /Telegrafi/



































