LAJMI I FUNDIT:

Formacioni i javës i futbollistëve shqiptarë nëpër botë (Foto)

Formacioni i javës i futbollistëve shqiptarë nëpër botë (Foto)

Futbollistët shqiptarë nëpër botë janë krenaria e çdo shqiptari dhe si të tillë edhe Telegrafi ka hapur një rubrikë të veçantë në dizajnin e ri për ta e cila është ‘Shqiptarët nëpër botë’.

Nga kjo javë Telegrafi do t’ua sjellë çdo të hëne formacionin më të mirë të futbollistëve shqiptarë që luajnë nëpër klubet e ndryshme botërore.

Në portë është vendosur kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani i cili mbajti portën e tij të pa mposhtur në udhëtim me Latinën e tij tek Ternana 0-0.

Vendasit kishin disa gjuajte në portë por Samiri ishte në ditën e tij më të mirë duke pritur gjuajtje dhe duke i siguruar skuadrës së tij Latinës një pikë të madhe në udhëtim.


Krahu i djathtë i mbrojtjes është i zënë nga mbrojtësi i talentuar kosovar, Florent Hadergjonaj i cili ishte asistues në golin e tretë të Young Boysit në fitoren 3-2 ndaj Sionit.

Në qendër të mbrojtjes janë dyshja e Kombëtares shqiptare, Amir Rrahmani dhe Mërgim Mavraj që shënuan fitore në udhëtim.

Rrahmani ishte i plotë te RNK Split në fitoren 0-1 ndaj Istras, ndërsa edhe Mavraj u dallua me paraqitje të mirë në fitoren e Kolnit 2-0 në udhëtim tek Hannover 96.

Jemi mësuar ta shohim në krahun e djathtë, por ai di të luaj për mrekulli edhe në të majtin. Këtë javë në pozitën e mbrojtësit të majtë është shkodrani fantastik Elseid Hysaj i cili ishte titullar me Napolin në fitoren 0-1 te Palermo. Hysaj është vlerësuar lartë për këtë ndeshje në mbrojtje, pasi Napoli kishte epërsinë dhe synonte ta mbrojë rezultatin.

Pozita e dy mesfushorëve qendror iu takon Hekuran Kryeziut të Luzernit, i cili u rikthye në fushë pasi kaloi një grip dhe asistoi në golin e dytë në fitoren 2-1 ndaj Luganos. Tandem me Hekuranin është vendosur ‘pit bulli’ i Kombëtares Amir Abrashi që me Freiburgun ka shënuar edhe fitoren e pestë radhazi në Bundesliga 2. Amiri ishte i shkëlqyer në takim ndaj FSV Frankfurtit, duke iu afruar golit në dy raste por duke qenë edhe i pakalueshëm në fazën defensive.

Treshja ofensive është me të vërtet e frikshme dhe këtë javë që të tre futbollistët kanë shënuar gola për skuadrat e tyre.

Shani Tarashaj edhe njëherë ishte më i miri në derbi duke mposhtur Zurichun me ekipin e tij Grasshopper ku kontribuoi me një gol dhe një asistim. Një tjetër yll i ri është Herolind Shala që i siguroi tri pikë të rëndësishme Liberecit të tij falë golit të vetëm ndaj Pribramit 0-1.

Bernard Berisha ia bëri sefte në Rusi me Anzhin. Reprezentuesi kosovar ishte titullar në humbjen e ekipit të tij 4-2 nga Ural, por shënoi golin e parë në ndeshje dhe asistoi tek i dyti.

Në sulm i vetëm është talenti prizrenas, Vedat Muriqi i cili nuk ndalet dot duke shënuar në ligën e parë të Turqisë me Giresunsporin. Edhe pse skuadra e tij humbi 2-1, Muriqi arriti ta realizoi një gol të bukur në humbjen 2-1. Goli i kësaj jave ishte i 14-të në kampionat për 21-vjeçarin.

Formacioni i futbollistëve shqiptarë nëpër botë:

4-2-3-1:Ujkani; Hadergjonaj, Rrahmani, Mavraj,Hysaj,Kryeziu, Abrashi,Tarashaj, Shala, Berisha, Muriqi. /Telegrafi/

Formacioni i Javes