LAJMI I FUNDIT:

Ford do të rikthehet në Formula 1 në vitin 2026

Ford do të rikthehet në Formula 1 në vitin 2026

Me 10 kampionate të fituara nga konstruktorët dhe 13 kampionate të fituara nga shoferët, Ford është prodhuesi i tretë i motorëve më i suksesshëm në historinë e Formula 1-shit, dhe tani ka njoftuar rikthimin për sezonin 2026.

Kanë kaluar afro 20 vjet prej se kur Ford u largua nga F1 në vitin 2004 gjatë kohës kur ishte furnizues i motorëve për ekipin Jordan. Pozicioni që Ford pritet ta merr në vitin 2026 do të jetë përsëri si furnizues i motorëve dhe nuk pritet që të futet si ekip i ri.

Në një deklaratë, Ford tha: “FIA dhe F1 e kanë bërë një angazhim për qëndrueshmëri me rritjen e përdorimit të energjisë elektrike e gjithashtu edhe të derivateve të qëndrueshme – e që është një nga arsyet kyçe të kthimit të Ford në Formula”, raporton Auto Express, përcjell Telegrafi.


Ky ndryshim thuhet se është gjithashtu një motiv kyç për Audi, të cilët gjithashtu planifikojnë që t’i bashkohen F1-shit në vitin 2026 në një bashkëpunim të bërë publik së fundmi me Sauber Group.

Presidenti i FIA, Mohammed Ben Sulayem komentoi mbi vendimin e Ford, duke thënë: “Janë disa prodhues që kanë një histori të famshme në garat automobilistike si Ford, kështu që rikthimi i tyre në Kampionatin Botëror të FIA Formula Një është një lajm i shkëlqyer”.

“Ky rikthim nënvizon tutje suksesin e Rregulloreve të Njësisë së Energjisë për vitin 2026”, shtoi tutje ai. /Telegrafi/