Paulo Fonseca duket se po i kalon javët e fundit si trajner i gjigantit italian Roma.
Tekniku portugez nuk ka arritur të dërgojë Romën në mesin e katër skuadrave italiane dhe kësisoj ka dëshpëruar me rezultatet e deritanishme.
Mediat italiane kanë raportuar se trajneri portugez i ka ditët e numëruara në stolin e Romës.
Drejtuesit e gjigantit italian kanë nisur kontaktet e para me dy trajnerët e njohur, Massimiliano Allegri dhe Maurizio Sarri.
Njëri mes Allegrit dhe Sarrit shihet si zëvendësuesi adekuat i Fonsecas, i cili ka edhe një rast për ta shpëtuar sezonin.
Roma është në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, ku do të përballet me gjigantin anglez Manchester United.
Vetëm në rast se Roma fiton në Ligën e Evropës, atëherë Fonseca do të konfirmohej në krye të klubit edhe për një vit tjetër, në të kundërtën portugezi ka filluar t’i numërojë ditët në krye të bankës së Giallorosëve. /Telegrafi/