LAJMI I FUNDIT:

Filmi i keq, skenari i keq, regjisori edhe më i keq

Filmi i keq, skenari i keq, regjisori edhe më i keq

Nuk ka film të keq, ka skenar të keq dhe regjisor të keq! Të paktën kështu mendoj unë si adhurues i madh i filmave dhe serialeve të shumtë. Por, jo rrallëherë ka mundësi që edhe filmi, edhe skenari , e edhe regjisori të jenë të këqij! Një film i keq me një skenar të keq, me një regjisor mosvet të keq, na u shfaq ditë më parë, pa dashje, para ekraneve tona duke na bërë konfuzë, krenarë, të hareshëm, të mjegulluar, në delirium, patriotë, kuazipatriotë, nacionalistë e atdhetarë njëkohësisht! Ishte ky filmi i quajtur “Marko Gjuriq dhe sakrifica e tij”!

Me shumë gjasë, skenari i këtij filmi ishte shkruar nga dyshja Thaçi-Vuçiq në Bruksel, por me disa ndërhyrje të vogla edhe të vetë protagonistit kryesor në këtë film, Marko Gjuriqit.Kur një darkë sekrete ishte ngrënë një natë në Bruksel, përveç dyshes Thaçi-Vuçiq, pjesë e kishte qenë edhe vetë Marko Gjuriqi, i cili u arrestua nga autoritetet kosovare sipas një skenari të përgatitur paraprakisht nga Thaçi e Vuçiqi, porse me pajtimin e vetë Marko Gjuriqit! Pra, Marko Gjuriç ishte pajtuar që të jetë protagonist i skenarit (maskaradës mediale) të shkruar dhe përgatitur nga dyshja në fjalë për arrestimin e, tij porse jo gjithçka kishte shkuar sipas skenarit!


Çuditërisht, me gjithë paralajmërimin se do të arrestohej nëse do të futej në territorin kosovar, me gjithë praninë e madhe të policisë kosovare në pjesën veriore, në hyrjet kufitare me Serbinë, dhe me gjithë përgatitjet e duhura për ta parandaluar hyrjen e zyrtarit të Serbisë, Marko Gjuriq në Kosovë, ky i fundit ia kishte arritur të futet në Kosovë pa kurrfarë problemi!

Për më shumë, ky kishte arritur që me shumë siguri të ishte e pjesë e takimit me politikanë serbë, zëvendëskryeministra e ministra të qeverisë kosovare, si dhe me politikanë lokalë serbë nga pjesa veriore e Kosovës. Me gjasë, skenari i Brukselit ishte përgatitur asisoj ku Gjuriq, kuptohet duke e ditur paraprakisht, do të arrestohej nga Policia e Kosovës në mënyrë të qetë, pa bërë bujë dhe kaos, pa hedhur shok bomba dhe pa përdorim të forcës, pastaj do të dërgohej shkurtimisht në pjesën jugore të Mitrovicës apo edhe ne stacionin policor në anën veriore të Mitrovicës, do të mbahej larg mediave dhe publikut dhe pastaj pas disa minutave do të lirohej duke u përcjell jashtë territorit kosovar nga vendkalimi kufitar në Merdare.

Me këtë skenar, të dy presidentët kishin planifikuar të arrinin efektin faktik, juridik dhe psikik në të dy popullatat respektive. Vuçiq do ta kishte një alibi më shumë para popullit të tij se, megjithatë, pjesa veriore e Kosovës nuk është krejtësisht në kontrollin e aparatit shtetëror serb dhe se një kompromis do të ishte zgjidhja më e duhur. E, kompromisi për atë pjesë, siç e dimë të gjithë, do të ishte formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, respektivisht të një autonomie me kompetenca të mëdha të komunitetit serb në Kosovë ose, më e keqja, ndarja e Kosovës në trajektoren përgjatë lumit Ibër! Në anën tjetër, presidenti do ta kishte përdorur si argument faktin se, në mënyrë që Kosova të fusë nën kontroll dhe ta integrojë plotësisht pjesën veriore të Kosovës, do të duhej të formohej sa më shpejt Asociacioni si një përmbushje e obligimit që Kosova – respektivisht vetë presidenti dikur e kishte marrë përsipër për ta kryer. Ky Asociacion, sipas presidentit dhe pasuesve të tij të verbër, do të ishte plotësisht nën juridiksionin dhe kontrollin e plotë të autoriteteve kosovare!
Kaq!

Ky ishte skenari Thaqi-Vuçiq e të cilin e dinte dhe për të cilin paraprakisht ishte pajtuar të jetë pjesë vetë Marko Gjuriq!

Por, çfarë ndodhi në të vërtetë? Kush e ndryshoi dhe ku ndryshoi skenari?

Për shkak të rejtingut në rënie e sipër si dhe për shkak të ngjarjeve të fundit kur u votua demarkacioni, për shkak të gjetjes së një shkaku për të rinisur punën e tij për formimin e Asociacionit me shumicë serbe, si dhe për shkak të manisë së tij të sëmurë që t’i vë kundërshtarët e tij para aktit të kryer (Ramush Haradinajn në këtë rast), presidenti vendos të ndryshojë pjesë të skenarit dhe të veprojë ndryshe. Duke qenë në bashkëpunim vetëm me ish-bashkëpartiakun e tij, Kadri Veselin, dhe duke anashkaluar krejtësisht institucionet e Kosovës, respektivisht kryeministrin Haradinaj, përmes marionetave të tij brenda Policisë së Kosovës, Thaçi jep urdhër që Marko Gjuriq të arrestohej me bujë të madhe, të sillej në Prishtinë, të ekspozohej para publikut dhe mediave (kujtoni pamjet kur zyrtarë policorë i thërrasin mediat televizive që të afrohen sa më afër Gjuriqit në mënyrë që kamerat të kapin sa më mirë sjelljen e tij, ecjen e tij gati 200-metërshe) deri tek Stacioni i Policisë Qendër. Çuditërisht, Policia e Kosovës kësaj radhe kishte vendosur të mos e përdorte hyrjen e veçantë nga prapa (ngjitur me Kafet e Vogla) për të dërguar të arrestuarin brenda ambienteve të policisë, ashtu siç i transporton zakonisht, porse kishte vendosur që të arrestuarin Gjuriq ta sillte nga rruga kryesore, respektivisht nga “Bulevardi Policor” – siç quhet ndryshe kjo rrugë.

Gjuriq sillet në Prishtinë, dhe pas një ultimatumi disaminutësh dhënë nga Vuçiqi, mbahet për pak minuta dhe përcillet jashtë kufirit të Kosovës përmes vendkalimit kufitar Merdare. Syri i publikut të shumtë dhe kamerat televizive kapin pjesën (lajmin) kryesor të ditës dhe me kaq përfundon saga e arrestimit të Gjuriqit, por jo edhe reagimet e shumta si dhe lufta mediale nga distanca.

Personalisht deklaroj se nuk jam e nuk kam qenë asnjëherë kundër arrestimit të Marko Gjuriqit apo të ndonjë politikani serb që hyn e del në Kosovë pa marrë lejen paraprake nga autoritetet kosovare. Përkundrazi, ky meriton arrestimin sa herë qe hap gojën dhe vjell retorikën e tij nacionaliste antishqiptare, por jam kundër skenarit të ndarjes që po fillon pikërisht sot e pikërisht me arrestimin e Gjuriqit, sepse Gjuriq ka hyrë dhe ka dalë në dhe nga Kosova me dhjetëra herë tashmë duke shpërfillur secilin urdhër për mos hyrje në Kosovë nga autoritetet kosovare!

Efekti medial arrin kulminacionin e vet, reagimet e qytetarëve janë prej duartrokitjes deri në delirium dhe hallakatje! Presidenti arrin qëllimin e tij prej politikani i cili gjithmonë arrin ta bëjë “krenar” popullin e tij! Megjithëse nuk e kishte thënë deklarativisht, presidenti kishte lënë të nënkuptohej se ishte ai i cili kishte qenë prapa këtij aksioni për arrestimin e Gjuriqit!

Gjatë gjithë natës dhe të nesërmen, në Kosovë dhe në Serbi, reagimet mediale dhe ato të publikut janë të shumta dhe të ndryshme: kërcënuese, frikësuese, patriotike, emocionale, kuazipatriotike, falsoretorike etj.

Me gjithë faktin se politikanë serbë hyjnë e dalin nga Kosova me dhjetëra herë brenda muajit duke shpërfillur secilin urdhër policor dhe institucional nga Kosova, prapë, brenda natës, entuziazmi për shtet të ligjit, shtet që mbron territorin dhe kufijtë kishte arritur kulminacionin!

Të nesërmen, politikanë serbë, respektivisht Lista Serbe, pjesë e qeverisë së Kosovës, në marrëveshje me padronin e tyre në Serbi, Vuçiq, merr vendim të largohet nga Qeveria Haradinaj dhe kërcënon se nëse autoritetet kosovare dështojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe deri me 20 Prill 2018, ata vetë do ta bëjnë një gjë të tillë.

Skenari i Brukselit u përmbyll suksesshëm! Vuçiqi dhe Gjuriqi (ndonëse ky i dyti jo ashtu siç e kishte pritur) arrijnë qëllimin e skenarit të tyre i cili e delegon vendimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga autoritetet kosovare tek autoritet e Serbisë, respektivisht tek Lista Serbe e cila merr përsipër formimin e Asociacionit duke shpërfillur autoritetet kosovare dhe duke u dhënë atyre ultimatum disaditor dhe, në anën tjetër, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli heqin nga vetja barrën e formimit të Asociacionit për të cilin u kishin garantuar bashkësisë ndërkombëtare, si dhe konfrontimin e tyre me popullin e Kosovës.

Për më shumë, presidenti arrin, për të tretën herë, ta djegë politikisht Haradinajn duke e vënë kësaj radhe në pozitën e spektatorit para ekranit, ashtu sikurse mijëra e qindra mijëra spektatorë tjerë kosovarë, gjatë kohës kur skenari i Brukselit Thaçi-Vuçiq po gjente zbatim në ditën e 26 marsit 2018 në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në Prishtinë pak më vonë.

Tri ditë më vonë, një aksion i ngjashëm për nga skenari, por jo edhe për nga realizimi u shfaq papritmas në qytezën e Lypjanit, kur mediat televizive dhe portalet elektronike njoftuan se gashtë shtetas turq ishin arrestuar nga Policia e Kosovës dhe ishin deportuar menjëherë për në Turqi me kërkesën e autoriteteve turke. Siç njoftonin mediat, këta gjashtë turq ishin pjesë e gylenistëve, pra përkrahës të Fetullah Gylenit, një lider shpirtëror turk, kundërshtar i madh i presidentit aktual turk Recep Tayyip Erdogan. Sikurse në aksionin për arrestimin e Gjuriqit, edhe këtë herë shefi i Qeverisë, Haradinaj, ishte totalisht out në lidhje me atë se çfarë kishte ngjarë, kush ishte arrestuar, kush kishte dhënë urdhër për arrestim dhe deportim të shtetasve turq! Pra, edhe njëherë kryeministri kosovar kishte qenë vetëm spektator televiziv i ngjarjeve për të cilat do të duhej të ishte informuar paraprakisht dhe në vazhdimësi.

Marrë parasysh faktin se vetë kryeministri e mohoi menjëherë se ai qëndronte prapa këtyre arrestimeve dhe kur të njëjtën gjë e bëri edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, atëherë me automatizëm u kuptua se prapa kësaj maskarade të radhës qëndronte askush tjetër pos Hashim Thaçi! Ndoshta presidenti do ta kishte marrë përsipër autorësinë e këtij skenari nëse reagimi i qytetarëve do të ishte në favor të arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq. Mirëpo, kur masa e gjerë e popullatës dënuan një aksion të tillë dhe reagimet në rrjetet sociale kundër këtij aksioni ishin të mëdha, atëherë, si zakonisht, si një dinak i pashoq, në një postim tijin në Facebook, presidenti e mohoi kategorikisht përfshirjen e tij në këtë aksion!

Pra, për dallim prej aksionit të parë ku masa e qytetarëve ishte në ekzaltim e delirium kuazipatriotik, presidenti nuk ngurroi të nënkuptohej se ishte ai skenaristi i atij aksioni, përderisa në aksionin tjetër, kur masa e qytetarëve ishte e revoltuar dhe ishte kategorikisht kundër një aksioni të tillë, la të nënkuptohej se nuk ishte ai skenaristi i këtij aksioni dhe nuk kishte të bënte asgjë me këto arrestime dhe deportime.

Pra, në ditën kur Marko Gjuriq u arrestua, u soll në Prishtinë dhe u ekspozua para mediave dhe qindra qytetarëve të ekzaltuar e të hallakatur nga gëzimi e krenaria, “Gjarpri” (Hashim Thaçi) ekspozoi këmbët e tija dhe me mburrje la të kuptohej se ishte ai që dha urdhër për arrestimin e zyrtarit serb në Kosovë, ishte ai që po mbron Republikën nga Serbia dhe zyrtarët e saj, ishte ai që po mbronte Republikën dhe pacenueshmërinë e territorit të Republikës. Ndërkaq, kur shtetasit turq u arrestuan dhe u deportuan për në Turqi, kur qindra mijëra qytetarë shprehen pakënaqësinë dhe mospajtimin e tyre, shprehen revoltën e tyre për këto arrestime dhe deportime, “Gjarpri” fshehu këmbët e tija dhe mohoi kategorikisht përfshirjen e tij në këtë maskaradë.

Për fund: Personalisht deklaroj se nuk jam e nuk kam qenë asnjëherë kundër arrestimit të Marko Gjuriqit apo të ndonjë politikani serb që hyn e del në Kosovë pa marrë lejen paraprake nga autoritetet kosovare. Përkundrazi, Gjuriqi meriton arrestimin sa herë qe hap gojën dhe vjell retorikën e tij nacionaliste antishqiptare, por jam kundër skenarit të ndarjes që po fillon pikërisht me arrestimin e Gjuriqit, sepse Gjuriqi ka hyrë dhe ka dalë nga Kosova me dhjetëra herë tashmë duke shpërfillur secilin urdhër për mos hyrje në Kosovë nga autoritetet kosovare! Po vërehet mirë se kjo maskaradë mediale-politike i shkon për shtati vetëm një pushteti, një politikani i cili është në djegie e sipër dhe kërkon të djegë edhe shtëpinë e tij – gjithkçka pas tij.

Dy skenarët e lartcekur, i pari në bashkautorësi, ndërsa i dyti si autor i vetëm, shpërfaqin tendenca populiste, retorikë false si dhe kuazipatriotizëm të dy presidentëve karshi popullit të tyre. Në rastin e parë populizmi dhe euforia nacionaliste i dha presidentit kredit kuazipatriotik, por jo edhe në rastin e dytë. Në rastin e dytë presidenti mori kreditin e një politikani që për interesa personale arreston dhe deporton brenda ditës qytetarë kosovarë, qytetarë tjerë që jetojnë dhe punojnë legalisht në Kosovë. Këto raste shpërfaqin pasigurinë dhe frikën që mund ta ndjejë secili qytetar i Kosovës.

Qëllimi final i skenarit të parë ishte përgatitja, si për opinionin kosovar e po ashtu edhe për atë serb, për një kompromis të dyanshëm që, me shumë gjasë, pritet të ndodhë brenda 2-3 viteve të ardhme: një kompromis për një ndarje të Kosovës përgjatë trajektores së lumit Ibër, apo për një Asociacion me baza etnike e cila do të funksiononte sikur një republikë brenda një republike tjetër, e ku të dyja vendet do të duhej të digjnin diçka nga vetja e tyre. Serbia do të digjte krenarinë e saj shumëvjeçare për ta njohur fshehurazi shtetësinë e Kosovës dhe pranimin, prapë në heshtje, që Kosova të bëhet me ulëse në OKB apo, edhe më keq për neve, të ketë rolin e vëzhguesit në OKB, përderisa kompromisi apo djegia nga ana kosovare do të ishte heqja dorë prej pjesës veriore matanë lumit Ibër apo lejimin e krijimit të një krijese të tillë sikurse Asociacioni në baza etnike, e cila ndryshe do të funksiononte si një mini-republikë e pavarur brenda Republikës së pavarur të Kosovës.

Qëllimi final i skenarit të dytë ishte implementimi i marrëveshjes sekrete ndërmjet Thaqit dhe Erdoganit për arrestimin dhe deportimin e të gjithë shtetasve turq për në Turqi, të cilët në mënyrë direkte apo indirekete janë të lidhur me organizatën e kundërshtarit politik të Erdoganit, Fetullah Gylen.

Si në rastin e parë, si në të dytin, shpërfaqet politika e mbrapshtë nga presidenti i vendit në dëm të interesave afatgjate të Kosovës. Gjate gjithë mandatit te tij te deritashëm, presidenti ka përfaqësuar çdo gjë tjetër përveç unitetit të vendit. Ai është një president i cili në kushte normale do të duhej të ishte simbol i unitetit. Përkundrazi, Presidenti është skajshmërisht polarizues dhe antagonist. Të paktën gjatë pesë ditëve të kaluara, si president i vendit, ai e ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit. Në rastin e parë duke inskenuar arrestimin e një zyrtari serb në veri të vendit, kurse në rastin e dytë, prapë, duke shkelur Kushtetutën e vendit ka autorizuar kidnapimin dhe deportimin e shtetasve te huaj jashtë Kosovës.