Deputetët shkojnë në pauzë (Video)

E plotësuar: Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në ora 15:30, për të vazhduar seancën e jashtëzakonshme, ku kryesisht pozitë dhe opozitë po kritikojnë njëra-tjetrën.
Më së pak që është folur në seancë, deri tash është diskutimi për parimet programore të Qeverisë. Kjo ka bërë që kabineti qeveritar në krye me kryeministrin Hardinaj ta lëshojë seancën.
E plotësuar: Deputeti i “Nisma për Kosovën”, Milaim Zeka, ka theksuar se qytetarët do ta shohin se kush ka ardhur në parlament për të bërë luftë qytetare, duke përdorur dhunën në vend të fjalës.
Ai ka thënë se në foltoren e Kuvendit të Kosovës, se “të gjitha këto do të shpalosen në këtë parlament dhe do ta shohin qytetarët, do të flasim edhe me dosje, me dokumente, me fakte”.
“Kam dosje për ty dhe bosat e tu kur në vitin 2004, me shërbimin sekret serb në Beograd. I kemi raportet e policisë, ku do t’i shohim. Unë nuk jam Kadri Veseli. Juve ju ka kriju SHIK-u për me shkatërru LDK-në, por i kanë dale nga dora. Unë nuk kam me ju duru, mu nuk mund të më ndalë askush, madje as me dhunë. Unë mundem me i ra shuplakë Albin Kurtit. Unë nuk jam rrugaç. Le ta ketë turp Rexhep Selimi, sepse ja kam mbrojtur familjen, por ai ka marrë qëndrim me mbrojt Frashërin”, ka theksuar Zeka.
Veseli e quan Selmanajn manipulues të shoqërisë civile E plotësuar: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, iu është kundërpërgjigjur deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, duke e ka quajtur “manipulues të shoqërisë civile”.
Veseli i ka thënë Selmanajt se e ka keqpërdorur shoqërinë civile, duke shtuar se “mos mendo që e ki dorën me rreh, sikurse paraardhësit tu familjar”.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se Selmanaj gjatë gjithë ditës në Kuvend thurte lavde për transparencën parlamentare si institucioni më transparent në Kosovë, ndërsa në mbrëmje dilte e shpifte në debate televizive, për çka edhe është shkarkuar nga KDI.
“E ke keqpërdorë shoqërinë civile. Me gjithë respektin për shoqërinë civile por ti je manipulator dhe je turpi i shoqërisë civile, nuk i ke thënë të vërtetat për Kuvendin por ke shpifur”, tha Veseli.
“Vinte në Kuvend në të gjitha mbledhjet dhe pastaj dilte dhe dezinformonte dhe pasi fola me partnerin USAID, ky është larguar nga projekt si manipulues i shoqërisë civile, duke shfrytëzuar shoqërinë civile dhe kaloi në politikë”, tha ai.
“Sjellja jote nuk është e mirë gjatë shoqërisë civile. Nuk ka fyerje që nuk është bërë nga ky person, nga eksperti na doli politikan. Krejt çka ka, në këtë mandat ka me u thanë ky mandat do të jetë shumë i mirë”, ka shtuar Veseli. /Telegrafi/
Selmanaj, Veselit: Vazhdimisht e ke shkelur rregulloren, punën në KDI e lëshova pse tentove të përzihesh edhe ti aty E plotësuar: Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka theksuar se shefi i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli vazhdimisht është duke e shkelur rregulloren e Kuvendit.
Ai është kundërpërgjigjur për akuzat që i ka bërë Veseli në adresë të tij, duke thënë se ai e ka lëshuar institucionin ku ka punuar KDI-në për shkak tentimit të Veselit për tu interferuara në projektet të cilat i ka fituar kjo organizatë, duke shtuar se “SHIK-u ka arritur deri në atë pikë, sa që të shpifë për familjen time”.
“Më herët PDK ikte, por tash çka po ndodhë, po ikën Qeveria. A keni pa në demokracitë parlamentare, ku Qeveria dhe shumica po ikën prej Kuvendit. E kemi çoroditë parlamentarizmin dhe jetën parlamentare. Së paku tek Ramushi kam pasur besim, se është njeri i fjalës, i besës. Por, edhe ky e ka vërtetuar se është njësoj sikur këta”. /Telegrafi/
Isufi: Lejojeni qeverinë Haradinaj që të dëshmohet në 100 ditët e para E plotësuar: Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka thënë se për çështjet kapitale të vendit duhet të ketë unitet.
Ai në seancën e jashtëzakonshme ka thënë se pozita dhe opozita duhet të jenë të bashkuar kur është fjala për çështje kapitale.
“E keni programin qeveritar, urdhëroni lexoni dhe mos kritikoni pa e lexuar. Kjo Qeveri ka filluar të punojnë me një dinamikë më të madhe dhe lejoni që qeveria të punojë 100 ditë. Haradinaj ka vepruar këto ditë me Haden, veteranët, bordet politike, zotimin për ligjin për Prishtinë, angazhimin për Trepçën dhe mos fantazoni por bazohuni në faktet”, ka thënë ai.
Krasniqi: Opozita po bën shantazh E plotësuar: Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka akuzuar opozitën në Kuvend për shantazh, derisa ka thënë se deputetët opozitarë po e shfrytëzojnë foltoren për të tjera çështje dhe nuk po respektojnë pikën për të cilën është thirrur seanca.
Krasniqi tha se seanca është thirrur për të diskutuar programin qeverisës, e jo për siç tha ai shantazhe për të mos votuar marrëveshje që janë në të mirën e vendit,
“E shantazhuan qytetarin e Kosovës që në traditën që pozitë e opozitë që kemi pasur kur është dashur të votohen çështje për të mirën e përbashkët, këta thanë se kanë më votu kundër një programi të BE-së duke refuzuar 71 milionë”, tha Krasniqi.
Haradinaj: Me Listën Serbe, kemi bërë marrëveshje që e respekton Kushtetutën e Kosovës E plotësuar: Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk ka marrëveshje tjetër me Listën serbe përveç marrëveshjes për bashkëqeverisje, siç ka me partitë tjera.
Haradinaj tha se nuk ka asnjë shkronjë të nënshkruar nga ai që e turpëron familjen e tij dhe shtetin.
“Programi është ky që është, kur të dëshironi të flasim do të vi dhe do ta prezantoj, por jo debat jashtë këtij programi”, tha ai.
Haradinaj, tha se derisa opozita nuk e ka respektuar kërkesën për debat, gjatë seancës së kaluar parlamentare, as ai nuk do ta respektoj lojën që sipas tij, po e bën opozita në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk vi në seanca, sepse kam qenë këtu dhe ju kam dërguar programin qeverisës brenda javës, që jeni të gatshëm me diskutu për programin qeverisës”.
Haradinaj ka theksuar se në marrëveshjen me Listën Serbe, nuk ka marrëveshje tjetër pos qeverisjes me përgjegjësi.
“E vetmja marrëveshje me këtë listë, është të punojmë dhe t’i marrim përgjegjësitë. Betimi është dhënë me Kushtetutën e vendit dhe nuk ka një germë në këto marrëveshje që e turpëron Ramushin Haradinajn, familjen dhe vendin. Tani i kisha lut me mirëkuptim deputetët. Ditën e mirë se kam punë”, ka shtuar ai.
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe anëtarët e kabinetit të tij janë larguar nga seanca e Kuvendit.
Hoti: Nëse Haradinaj nuk jep llogari para deputetëve, nuk e votojmë IPA-n E plotësuar: Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në ratifikimin e marrëveshjes së IPA, nëse kryeministri i vendit Ramush Haradinaj nuk jep llogari para deputetëve të Kuvendit.
Hoti ia kujtoi Haradinajt se pa opozitën ligjet që kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve nuk do të arrijnë të miratohen, nëse sipas tij kryeministri injoron partitë opozitare.
“Nëse ju nuk qëndroni për të dhënë llogari si është formuar qeveria, për pazaret politike, ne nuk do të qëndrojmë për votimin e marrëveshjes IPA që kërkon 2/3 votat e opozitës”, tha Hoti.
“Kryeministri i ka injoruar 59 deputetë të opozitës. Ju ftoj që të silleni në mënyrë konstruktive, nëse jo këto janë pasojat me të cilat do të përballeni”, paralajmëroi ai.
Veseli, Glauk Konufcës: Nuk je Zoti E plotësuar: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i është kundërpërgjigjur deklaratave të shefit të GP-së të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
Veseli pas fjalimit të shefit të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, iu drejtua Konjufcës me “O Glauk Konjufca nuk je Zoti. Ulu pusho mbaje rregullin sepse nuk je Zoti me ia ba çdokujt me dorë...”
Konjufca: Qeveria u krijua për t’i rehatuar dostat, Teuta Rugova e Zafir Berisha janë ‘siguresat’ e saj E plotësuar: Shefi i Grupit parlamentar i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se seanca e jashtëzakonshme është dashur të mbahet para tri javëve.
“Kur qeveria Mustafa e shpërfillte opozitën me 30 deputetë, Haradinaj e kundërshtonte këtë, ndërsa tash e bën vet, dhe kjo bëhet nga njerëzit parimor dhe i gjykojnë proceset sipas pozicionit që e ka”, tha Konjufca.
Ai tha se qeveria Haradinaj ka shpikur ministri për t’i rehatuar personat e tyre. “Këtu kemi ministri që janë shpikë me akomodu dosta. Nga frika që kur të hiqen deputetët që bëhen ministra, atëherë vijnë me radhë deputetë nga partitë tjera, PDK është detyru që asnjë deputet mos me bë ministër”, shtoi Konjufca.
Ai tha se edhe disa vota ‘të sigurta’ për Qeverinë të cilat sipas tij, janë si lloj ‘siguresash’. Për këto vota, Konjufca e përmendi Teuta Rugovën e Zafir Berishën.
Betohen deputetët e rinj E plotësuar: Pas marrjes së detyrave nga ana e disa deputetëve në postet qeveritare, ata do të zëvendësohen nga kolegët e tyre, të cilat janë radhitur më numrin e votave menjëherë pas tyre.
Pozitën e Ramush Haradinajt do ta zë deputeti i koalicionit PDK – AAK dhe Nisma, Nait Hasani, derisa Rrustem Berishën do ta zëvendësojë Gani Dreshaj.
Behgjet Pacolli do ta zëvendësohet nga deputeti Imer Rrahmani, ndërsa Pal Lekaj do të zëvendësohet nga deputeti Bekë Berisha.
Fillon seanca e jashtëzakonshme, diskutohet për programin qeveritar
Ka filluar të mbahet seanca e jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës është debati parlamentar lidhur me parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.
Seanca kohë më parë është thirrur nga opozita, por nuk iu është përgjigjur pozita, me arsyetimin se debati parlamentar për programin qeverisës duhet të bëhet në momentin e finalizimit dhe prezantimit të tij nga ana e Qeverisë.
Vazhdimi i kësaj seance është vendosur nga Kryesia e Kuvendit, e cila po ashtu ka vendosur që të martën të mbahet një seancë tjetër, ku pikë e rendit të ditës është interpelanca e kryeministrit, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të LDK-së për ta informuar Kuvendin mbi akuzat publike të shfaqura ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.





















































