Edicioni i parë i Festivalit të Poezisë “Respoetica” do të mbahet në Prizren, më 4, 5 dhe 6 tetor, me pjesëmarrjen e krijuesve nga Prizreni dhe Shkodra.
Sipas organizatorëve ky edicion përqendrohet në lidhjet mes këtyre qyteteve, raporton Telegrafi.
“Ky edicion i kushtohet kryesisht lidhjeve të dy ish-kryeqyteteve të dikurshme shqiptare Prizren-Shkodër, si ringjallje e zakoneve tradicionale me lidhje të forta kulturore, ekonomike, tregtare dhe patriotike”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se në këtë edicion janë ftuar krijuesit: Primo Shllaku, Ledia Dushi, Stefan Çapaliku, Arjola Zadrima, Leon Mirakaj dhe Denata Rroji nga Shkodra, si dhe Ilire Zajmi, Fahredin Shehu, Taner Gyçlytyrku, Vjollca Bajraj dhe Festim Avdyli nga Prizreni.
“Theks të veçantë duam t’i japim ceremonisë së çmimit për kontribut jetësor në fushën e gjuhës, të kulturës dhe të artit. Me këtë rast duam t’ju njoftojmë se bordi i organizatës “Social Creativity”, bordi i festivalit “Respoetica”, në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit, ka vendosur që laureat i Edicionit të 1-rë të Festivalit “Respoetica” të shpallet krijuesi nga Shkodra, Primo Shllaku, si një personalitet i rëndësishëm dhe me peshë të veçantë në sferat e letërsisë, të gjuhës, të kulturës dhe të artit në përgjithësi”, shkruan në njoftim, raporton Telegrafi.
Gjatë 3 ditëve të festivalit, sipas njoftimit, do të organizohen: dy takime poetike; promovimi i librit të shkrimtarit Primo Shllaku, “Pesha e padurueshme e pafajësisë”; hapja e ekspozitës së artistit të fotografisë, Fahredin Spahija “Shpirti dervish”; shfaqje baleti “Dimnat e fëminisë” nga Vjollca Llugiqi dhe Fisnik Smani; pika muzikore; Ligjëratë, Jeton Jagxhiu “Djathi i sharrit, kulturë e veçantë e qytetit të Prizrenit”; ceremonia e ndarjes së çmimeve si dhe ceremonia e vendosjes së pllakës Personaliteti i 1-rë i Festivalit “Respoetica” në Sheshin Shadërvan.
Edicioni i 1-rë i Festivalit të Poezisë “Respoetica” që organizohet nga shoqata për diplomaci kulturore “Social Creativity” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Komuna e Prizrenit dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren. /Telegrafi/