Ferizaj inauguron Qendrën e Mjekësisë Familjare nr.2 me kushte moderne

Sot është përuruar Qendra e Mjekësisë Familjare nr.2 në rrugën “Remzi Hoxha”, një nga objektet më moderne shëndetësore në rajon. Ceremoninë e përurimit e ndoqën drejtorë të institucioneve lokale, si dhe Ahmad Al Ashal, drejtor i organizatës “Qatar Charity” – zyra në Prishtinë, së bashku me dhjetëra punonjës shëndetësorë.
Objekti është i pajisur me aparatura të avancuara për kujdesin primar shëndetësor, dhoma pune për stafin dhe për trajtimin e pacientëve sipas standardeve më të larta, përcjell Telegrafi.
Qendra është e gatshme të ofrojë shërbime për mijëra qytetarë të Ferizajt dhe synon të përmirësojë cilësinë e kujdesit shëndetësor në rajon.
Financimi i këtij projekti është bërë nga organizata “Qatar Charity”, në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt, duke treguar angazhimin për rritjen e aksesit në shërbime shëndetësore cilësore për komunitetin lokal.
Ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimit të kujdesit për pacientët në Ferizaj. /Telegrafi/

















































