Federata sportive në Kosovë janë takuar me Qeverinë për të diskutuar rreth të arriturave, por edhe nevojave që duhen plotësuar.

Kryetari i Federatës së Xhudos, Driton Kuka ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se është kërkuar ndërtimi i një palestre sportive, duke u bazuar edhe në sukseset e xhudos kosovare, transmeton Koha.net.


“Para disa ditësh kemi pas takim Federatat sportive me Qeverinë për të diskutuar për të arriturat, por edhe nevojat e sportit. Kërkesa jonë si Federatë e Xhudos ishte që të ndërtohet për sportin tonë një palestër duke besuar që me sukseset e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit dhe të tjerëve e meritojmë”, ka thënë Kuka.

Ai ka thënë se, “çështja e dytë që ne si Federatë e kemi ngrit ishte sa mund të ndikojë niveli qendror në Komuna për përkrahjen e sportit, duke marr parasysh diskriminimin e klubeve sportive nëpër Komuna”.

Kuka ka thënë se tani duan një palestër moderne për xhudo, në mënyrë që të ndjejnë dorën e shtetit në infrastrukturë.

“Ministri Shala ka mbajtur fjalën për çështje jetike në përmirësim të funksionimit të federatave.
Kemi nevojë për një palestër moderne për sportin e xhudos, është investuar në stadiume e palestra, por tani edhe ne duam të ndjejmë dorën e shtetit në Infrastrukturë. Shpresoj që do të ndodh. Besoj që e meritojmë?”, ka shkruar Kuka.

telegrafi sport app