Familja Berisha dhe avokati i tyre Flakron Sylejmani e kanë konsideruar të dëmshme deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla se punëtori i Doganës, Luan Berisha ka bërë vetëvrasje.

Sipas familjes Berisha dhe avokatit deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetëror e në veçanti të ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre


Një ditë më parë motra e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha, i cili u gjet pa shenja jete në oborr të Doganës në prill të këtij viti, “ua ka zënë rrugën” kryeministrit dhe ministrave të tij, derisa ata po ecnin në sheshin e Prishtinës, në përkrahje të kandidatit të tyre për kryeqytet, dhe ka kërkuar zbardhjen e këtij rasti.

Para kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murari, ajo ka kërkuar të dijë nëse po punohet për zbardhjen e këtij rasti, që ajo e quajti vrasje.

Lexoni të plotë reagimin e familjes Berisha dhe avokatit të tyre:

Reagim nga avokati dhe Familja Berisha me rastin e deklarimit të Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal SveçlaLidhur me deklarimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sfeqla, të regjistruar në edicionin e lajmeve në “Klan Kosova”, më 8 nëntor 2021. Pasi që motra e të ndjerit Luan Berisha kërkoi nga qeveritarët informacione për vrasjen e vëllait, ministri Xhelal Sveçla, vetëm pasi ajo u largua i dha sqarim kryeministrit Kurti duke i thënë se “Luan Berisha u vetëvra”. Unë si avokat por edhe familja e të ndjerit Luan Berisha një deklarim të tillë e vlerësojmë të pa matur të dëmshëm dhe joprofesional. Konsiderojmë se deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetëror e në veçanti të Ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre. Deklarimet e tilla vetëm sa e komplikojnë dhe e vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar , veçanërisht kur një Ministër merr guxim për të bërë kualifikimin ligjor të një vepre. Kjo është kompetencë ekskluzive e organit të akuzës, përkatësisht e prokurorit të rastit.  Si përfaqësues i familjes ftoj të gjithë, pa dallim, që të përmbahen nga deklarimet lidhur me rastet të cilat janë në fazën e hetimeve për shkak të ndjeshmërisë qe këto raste kanë dhe për shkak të dëmit që mund t’i shkaktojnë familjarëve. Po ashtu, ftojmë Prokurorin e Shtetit që të reagoj ndaj një deklarate të tillë dhe të mos lejoj që cilësia e hetimeve të ndikohet nga deklarimet politike të zyrtarëve shtetëror apo cilitdo person tjetër. Mr.Sc "Flakron Sylejmani Avokat”. /Telegrafi/