Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, pasi serbët u deklaruan se do të braktisin institucionet e Republikës së Kosovës.

Mandl e ka pyetur presidentin serb Aleksandar Vuçiqi se pse po e kërcënon fqinjin e tij, Kosovën.


“Pse gjithmonë eskalim, shkatërrim, president Vuçiq? Pse Serbia nuk tërhiqet nga të gjitha lidhjet me Putin-Rusi? Pse kërcënoni fqinjin tuaj herë pas here? A nuk keni absolutisht asnjë njohuri për mësimet nga historia? #Serbi #Kosovë #Evropë”, ka shkruar Mandl, në një postim në Twitter, transmeton Telegrafi.

Reagimi i eurodeputetit austriak vjen në ditën kur Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.

Pas vendimit – të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan - dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri. /Telegrafi/