Nga: Annabel Nugent / Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Në mëngjesin kur e vërteta nisi të shpërbëhej, Leonardi ndjeu një dridhje të lehtë tradhtare, sikur bota ishte pajtuar të anonte paksa në anën e tij.


Nëse po mendoni, mirë, kjo tingëllon goxha si fjalia hapëse e një romani të ri të Ian McEwanit, do të kishit gjysmë të drejtë. Më saktë, është një fjali e shkruar në stilin e Ian McEwanit, e gjeneruar nga një platformë e lirë për përdorim të inteligjencës artificiale [IA]. Duhet pranuar se proza është paksa e zbukuruar për një autor që përdor stilolapsin. E, megjithatë, në sipërfaqe dhe për një lexues mesatar, është imitim i pranueshëm i veprës së tij.

Mund ta kuptoni pse - sipas një studimi të ri nga Universiteti i Kembrixhit - më shumë se gjysma e romancierëve të botuar në Mbretërinë e Bashkuar, pajtohen që ka të ngjarë që IA-ja të zëvendësojë plotësisht punën e tyre. Kjo nuk është gjë e re: për muaj, në mos vite, romancierët kanë shprehur gjithnjë e më shumë shqetësimin e tyre në lidhje me shpejtësinë dhe shkallën e depërtimit të IA-së në botën letrare. Jepeni një komandë për çdo autor me një bibliografi, dhe do të merrni një lloj imitimi të kënaqshëm të shkrimit të tyre: Margaret Atwood, Stephen King, Sarah Maas, Haruki Murakami etj. Jo vetëm që kjo ndodh për disa sekonda, por është plotësisht falas. Një libër i tërë, 10 libra, 100 libra, 1 000 libra për një total madhështor prej zero paund.

Sigurisht, ekzistojnë pafund probleme me këtë - për të mos përmendur pasojat financiare për autorët dhe vjedhjen e pronës intelektuale të tyre - por, një pyetje veçanërisht shqetësuese u ngrit nga Dr. Clementine Collett, kërkuesja kryesore dhe autorja e raportit të Kembrixhit dhe vetë romanciere: A mund të krijojë përhapja e romaneve të gjeneruara nga IA-ja një sistem me dy nivele në botën letrare? “Ky është një shqetësim real nga krijuesit letrarë”, tha ajo në episodin e së enjtes të programit Today në Radio 4. “Ku vepra e shkruar nga njerëzit do të jetë një artikull luksoz, më i shtrenjtë, dhe përmbajtja e gjeneruar nga IA-ja do të jetë e lirë ose falas”.

Duhet pranuar, duket disi e larët ideja që të gjithë, përveç të pasurve, do të jenë të dënuar me një bibliotekë të mbushur me libra të rremë, të zhveshur nga mendimi, ndjenja dhe zemra njerëzore. Por, kështu kanë qenë edhe shumë gjëra që janë realizuar muajt e fundit: përhapja e marrëdhënieve me AI-në, format e ndërmjetësuara nga IA-ja për këshilla për pikëllimin. Konceptet që dikur dukeshin si nga Black Mirror janë në rrugë të shpejtë për t’u bërë pjesë e zakonshme.

Merreni parasysh faktin që tashmë shumë njerëz janë goxha të kënaqur të lexojnë materiale të gjeneruara nga IA-ja, veçanërisht kur bëhet fjalë për veprat që nuk janë letrare. Kjo ka kuptim në një farë mënyre; ato, për nga përkufizimi, janë faktike, dhe çfarë është më faktike sesa një përmbledhje me zemër të ftohtë nga një robot (pa përmendur gabimet faktike që përgjigjet e tij mund të përmbajnë)? Por, një ndarje e tillë harron që autorët më të mirë të tillë i mbledhin ato fakte po aq ndjeshëm, me emocion dhe me kujdes si çdo autor i letërsisë.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se letërsia e zhanrit - veçanërisht ajo e romancës dhe krimit - janë më të rrezikuarat për shkak të strukturës së tyre, e cila zakonisht është më me formë dhe kështu më e lehtë për IA-në për ta përsëritur. Një supozim, thotë Dr. Collett, që nuk pranon të njohë shkrimtarët e zhanrit që janë të mrekullueshëm në sjelljen e elementëve të befasisë dhe risisë. Por, e vërteta është se kërkesa për këtë lloj të romaneve është e madhe - ndoshta shumë e madhe, mund të thuhet, edhe për autorët më të frytshëm për t'u përshtatur me ritmin që lexuesit duan. Më shumë, më shumë, më shumë dhe më shpejt, më shpejt, më shpejt, duket të jetë urdhri i konsumit sot. Nëse një autor nuk mund ta dorëzojë, IA-ja është aty me 400 faqe të gatshme. Nuk kam asnjë dyshim se, po të ekzistonte IA-ja vite më parë, do t’i kisha kërkuar një vazhdim tjetër të sagës Twilight - pasi mbarova kapitullin e fundit të sagës me lot në sy, aq e dëshpëruar isha për një tjetër shije të romancës adoleshente me vampirë.

Është e frikshme, vërtet, sa shpejt kemi nisur të (edhe pse me hezitim) ta pranojmë IA-në në art, një vend që më parë mendohej të ishte një fortesë kundër shtrirjes së tij në fusha të tjera të jetës. Po, kishte indinjatë të drejtë në vitin 2023 kur u zbulua se Marvel-i kishte përdorur IA-në për kreditet hyrëse të serialit të tij në Disney+ - Secret Invasion - por, vetëm dy vjet më vonë ai zemërim po shuhet. Kur Netflix-i konfirmoi për herë të parë se kishte përdorur pamje të gjeneruara nga IA-ja në një nga serialet e tij, duke e përdorur për të paraqitur shembjen e një ndërtese në fantashkencën The Eternaut, pati pak ankesa, por shumë më pak tituj kryesorë. (Duhet pranuar se kishte zemërim të gjerë për prezantimin këtë vit të aktores së IA-së, Tilly Norwood, por ky duket si një nivel tjetër ekstremi.)

Një treg me dy nivele në botën letrare, është një koncept i tmerrshëm. Mund të thuhet se një ndarje tashmë ekziston: leximi është privilegj i atyre që kanë kohë, dhe librat mund të jenë paksa luks - me një në pesë fëmijë në Angli që nuk kanë një libër të vetin, sipas një sondazhi të vitit 2022. Dhe, kështu, ta zgjerojmë këtë ndarje edhe më tej është diçka e rrezikshme.

Jo të gjithë janë të shqetësuar. “Nuk mendoj se librat njerëzorë do të zhduken”, thotë Tobi Coventry, një përzgjedhës librash për ekranizim, romani debutues i të cilit, He’s the Devil, do të jetë një nga botimet më të bujshme të vitit të ardhshëm dhe që mendon se fokusi tek AI-ja është një cikël vetëpërjetësues. “Dhe, në shumë mënyra, përpiqem të mos mendoj shumë për këtë, sepse mendoj se nëse futesh në gjithë atë ide, atëherë mund t’i ndalojë njerëzit së shkruari. Nëse na thuhet tashmë se gjysma e librave do të jenë nga IA-ja, atëherë njerëzit s’do të shkruajnë më. Dhe, mendoj se mënyra e vetme për ta luftuar këtë është të vazhdosh të shkruash”.

Në fund të ditës, sado që një fjali e gjeneruar nga AI mund të duket dhe tingëllojë si një fjali e Ian McEwanit, ajo kurrë nuk do të jetë e tillë. Një jetë me libra të IA-së për shkak të kostos së alternativës njerëzore është diçka që duhet të parandalohet me çdo kusht. “Do të kishte pasoja të mëdha shoqërore”, paralajmëron Dr. Collett, duke i bërë thirrje qeverisë të vendosë kufizime rreth IA-së për të mbrojtur industrinë.

Coventry është optimist. “Mendoj se njerëzit gjithmonë do të duan ata zëra njerëzorë dhe të dinë se dikush është ulur, ka menduar për këtë, ka ardhur nga truri dhe zemra e tyre dhe po futet te ti si lexues”, thotë ai. “Nuk mendoj se kjo do të zhduket ndonjëherë”. /Telegrafi/