LAJMI I FUNDIT:

Esat Pasha: Jam gjeneral turk, kam bërë zijafet me serbët në Lezhë, Evropa të mos interesohet për Shqipërinë

Esat Pasha: Jam gjeneral turk, kam bërë zijafet me serbët në Lezhë, Evropa të mos interesohet për Shqipërinë

Për të janë botuar disa libra dhe studime, por gjithnjë ishte i vendosur ose si patriot i kulluar ose si emblemë e tradhtisë. Ilir Ikonomi, në librin e tij studimor “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”, sjell një intervistë në gazetën italiane “Le Secolo”, me gazetarin 28-vjeçar, Luciano Magrini,, i cili ishte nisur nga Durrësi për t’u takuar personalisht me Esat Pashën, njeriun që kishte ngjallur plot hamendje dhe kërshëri në kryeqytetet e Evropës. Pjesë të kësaj bisede, mund të lexoni më poshtë:

LUCIANO MAGRINI: Ndodhem përballë mbretit të Shqipërisë, guvernatorit të Shqipërisë, apo thjesht mbrojtësit të Shkodrës?
ESAT PASHA: (Ngurron pak, pastaj buzëqesh) Ju jeni i krishterë dhe vetëm Jezu Krishti mund t’ju japë një përgjigje të saktë! (Hesht një çast) Meqenëse Fuqitë e Mëdha e krijuan Shqipërinë si shtet, ato duhet të nxitojnë për rregullimin e gjendjes. Mënyra më e mirë do të ishte që Evropa të mos përzihet më në çështjen tonë dhe t’ua lërë shqiptarëve të vendosin fatin e tyre, jetën e tyre të ardhme dhe qeverisësin e tyre. Vazhdimi i ndërhyrjes evropiane, duke mbajtur gjallë anarkinë, është vdekjeprurës për vendin tonë. Më besoni, do të ishte shumë më mirë në qoftë se Evropa nuk do të interesohej dhe do ta linte Shqipërinë të lirë, pa ndërhyrë në punët e saj të brendshme.

LUCIANO MAGRINI: Në Evropë thuhet se Esat Pasha ose është vetëshpallur mbret i Shqipërisë, ose dëshiron të shpallet i tillë. Ç’mendon Shkëlqesia Juaj për këtë?
ESAT PASHA: (Ngrihet në këmbë dhe, duke buzëqeshur, tregon uniformën që ka veshur, pastaj ngre zërin) Shihmëni me kujdes! A kam veshur ndonjë uniformë mbreti? Unë mbaj uniformën e një gjenerali turk dhe madje pa pëlqimin e qeverisë sime osmane, ndonëse e dua atdheun tim shqiptar. Vuaj kur shoh mjerim dhe grindje për shkak të paaftësisë së Qeverisë së Përkohshme që nuk përfaqëson vendin. E megjithatë nuk mund të bëj dot asgjë! Shqipëria është si një anije e madhe në një det me stuhi, pa komandë dhe pa drejtim. Disa marinarë të paditur kanë marrë në dorë timonin dhe, me paaftësinë e tyre, krijojnë rrëmujë, duke e bërë gjendjen çdo ditë e më të vështirë. Ata nuk kanë guximin të pranojnë pafuqinë e tyre, prandaj bërtasin, duke e quajtur krejt Shqipërinë të paaftë dhe duke kërkuar si shpëtim ndërhyrjen evropiane! E megjithatë, Shqipëria dhe Evropa e dinë se në bord gjendet i mënjanuar një kapiten i aftë për ta çuar anijen në port me dorë të sigurt. Shqiptarët duan kapitenin e tyre në komandë, por Evropa ndërhyn dhe e refuzon. Përse kështu?


LUCIANO MAGRINI: Pra, kapiteni nuk e merr dot komandën dhe kështu anija nuk shpëtohet dot!
ESAT PASHA: Evropa nuk do! Evropa mban qëndrim armiqësor ndaj komandantit! Nëse Evropa më beson detyrën e princit dhe të guvernatorit, betohem se brenda një muaji do të rivendos kudo qetësinë, duke e organizuar Shqipërinë nën sovranitetin e sulltanit, ashtu siç e dëshiron shumica e popullit.

LUCIANO MAGRINI: Por, nëse Evropa nuk ia jep këtë detyrë dikujt dhe rrezikohet mbytja e anijes, çfarë do të bëjë kapiteni?
ESAT PASHA: I thirrur nga populli, kapiteni do ta ndiejë se rreziku i madh për atdheun po afron, do të flakë tej çdo ngurrim dhe do të vrapojë i vetëm te timoni për të marrë në dorë anijen! Ata që e krijuan Shqipërinë duhet ta zgjidhin situatën shpejt, duke i lënë shqiptarët të veprojnë lirisht. Evropa e njeh gjendjen, e njeh edhe njeriun e aftë për t’i dalë zot. Qeveria e Përkohshme e Vlorës, pa aftësi organizimi, mund të administrojë një qark, por jo një shtet! Ismail Qemal beu pothuajse ka marrë arratinë nga Vlora dhe qeveria ka marrë fund. Ajo jeton me kreditë e Evropës, por këto kredi nuk mjaftojnë që ajo të zgjerojë ndikimin dhe të rrisë autoritetin. Secila krahinë është më vete. Disa prej tyre e grisën flamurin e autonomisë, që iu dërgua nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës!

LUCIANO MAGRINI: Po Tirana, përse nuk e ngre flamurin e autonomisë?
ESAT PASHA: Tirana nuk varet nga Vlora. Unë jam tani gjeneral turk. Vrasja e Njazi beut dhe paaftësia e Qeverisë së Përkohshme për të arrestuar fajtorët, që shëtisin të pashqetësuar në rrugët e Vlorës, madje që bëjnë pjesë në forcat mbrojtëse të qeverisë, dëshmon qartë paaftësinë e qeverisë, e cila mbrohet dhe mbahet në këmbë nga Evropa. Dhe ju kërkoni që unë dhe Tirana të njohim një qeveri të tillë?

LUCIANO MAGRINI: Nëse Evropa zgjedh një princ evropian, a do të ishit i gatshëm ta ndihmonit dhe të kontribuonit për rivendosjen e rendit në vend?
ESAT PASHA: Zotëri, unë nuk mund të bëhem shërbëtor i një princi evropian! (Hesht pak dhe vazhdon) Jam kundër një princi evropian. Mund të punoj për Shqipërinë, por jo për një princ të huaj dhe meqenëse Evropa pranon dhe njeh një qeveri autonome, po ashtu duhet të pranojë një shqiptar si mbret ose guvernator. Evropa ka pranuar situata edhe më të ndërlikuara se kjo. Për shembull, Franca, Anglia dhe Rusia, pasi e bënë ishullin Samos të pavarur me flamurin e vet, e lanë nën sovranitetin e Sulltanit, të cilit iu rezervua e drejta e kontrollueshme për zgjedhjen e princit. Emërimi im do të zgjidhte keqkuptimet mes shqiptarëve dhe mosbesimin mes vetë Fuqive evropiane, që do të ishte i pashmangshëm nëse do të zgjidhej një princ i huaj. Por, tani për tani, nuk mund të bëj dot asgjë pa konsensusin e Fuqive dhe për t’i mbetur besnik vullnetit të sulltanit.

LUCIANO MAGRINI: A keni menduar të krijoni një fakt të kryer mes jush dhe Fuqive evropiane?
ESAT PASHA: (E vëzhgon gjatë gazetarin) Jo gjithmonë faktet e kryera e arrijnë qëllimin. Unë jam thjesht një gjeneral osman në pritje që Evropa të rregullojë gjendjen në vendin tim.

LUCIANO MAGRINI: Kur do të largohet ushtria turke dhe a do të niseni edhe ju bashkë me ushtrinë?
ESAT PASHA: Nuk e di se kur do të bëhet nisja. Megjithatë, do t’u bindem urdhrave të Stambollit e do të nisem edhe unë bashkë me ushtarët. Por, nëse qeveria osmane vendos që trupat tona të dërgohen në Bagdat ose në Jemen, atëherë do të kërkoj një leje të shkurtër dhe do të qëndroj në Tiranë për të vëzhguar zhvillimin e gjendjes.

LUCIANO MAGRINI: Ç’mendoni për akuzën e përhapur në shtypin evropian se ju e bëtë marrëveshjen me serbët dhe malazezët për të marrë mbështetjen e tyre në favor të aspiratave tuaja në Shqipëri?
ESAT PASHA: Për të pohuar këtë duhen prova. Le të vijnë këtu serbët e malazezët dhe ta shohim nëse jam miku i tyre! Unë jam një gjeneral turk.

LUCIANO MAGRINI: Thuhet se Shkëlqesia Juaj ka bërë një zijafet me serbët në Lezhë.
ESAT PASHA: Është e vërtetë. Ishte një akt mirësjelljeje që, sipas zakonit, nuk mund të refuzohet mes ushtarakëve pas luftës. Por pimë vetëm nga një gotë të vogël konjak dhe unë hëngra një biskotë të vetme, duke i trajtuar serbët ftohtë, sepse e dija që nuk ishin sjellë njerëzisht me popullsinë shqiptare.