Redaktori i RTK-së, Ernest Luma, në profilin e tij në Facebook ka thënë se me fjalën “vorr” nuk ka dashur ta fyej kryeministrin Isa Mustafa.
Sipas tij, “vorr” ka shumë kuptime, p.sh. si sinonim i ftohtësisë dhe heshtjes.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë, sqarimin e tij të gjatë.
“Disa fjalë sejmenëve të Isës
(Pas çjerrjeve dhe turrjeve të tyre të djeshme)
“Ramushi e paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: ‘Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestoj Isa Mustafën’ … ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka te burgosur të “popullit”. (Kryeministri Mustafa, në profilin e tij në rrjetin social, Facebook’).
Ky ka qenë, në origjinal dhe me të gjitha disa gabimet gjuhësore, statusi i shumëpërfolur i tij, të cilin kryeministri më pas e kishte fshirë, pasi që, për pak kohë, sa e kishte në publik, ishte vënë në thumb të komenteve dhe të medieve në vend. Atij i ishte parë për të madhe kjo nguti inati, për t’iu kundërvënë ish-kryeministrit Ramush Haradinaj me po të njëjtat mjete shprehëse, me po të njëjtën gjuhë dhe me po të njëjtat shpifje e akuza, me të cilat, Haradinajt, tash e 18 vjet i ishte kundërvënë Beogradi, me prokuroritë e atjeshme dhe me krejt qeveritë e Serbisë, deri më sot.
Të njëjtin status, në fakt print-screen-in e tij nga origjinali, e publikova unë, rreth 30 orë pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Aeroportin e Baselit. E publikova në profilin tim personal në Facebook, e jo në uebsajtin e RTK-së e as në faqen e RTK-së në Facebook. E postova i nxitur nga reagimi, gjithashtu i vonshëm dhe që më tingëlloi krejt “cool”, i kryeministrit aktual të Kosovës, për ndalimin e padrejtë në një kufi evropian të një ish-kryeministri, po ashtu të Kosovës, dhe të një ish-udhqëheqësi e luftëtari të shquar të UÇK-së. Rrjedhimisht, reagimit tim ia dhash edhe cilësorin “vorr”, si atribut për atë në të cilin, vërtet, më ngjau kryeministri Mustafa. Fjala vorr (varr) na asocon në shumë kuptime, por më së shumëti në ftohtësi dhe në heshtje – i ftohtë si varri, i heshtur si varri. Unë e përdora në gegënishte: vorr.
Në ato momente, pamja e kryeministrit Mustafa në ekran m’u duk ashtu dhe më ngjau ashtu: në vorr. Pra, nuk e kisha për qëllim ta fyej. Edhe sot, ende më duket si vorr.
Pra, statusi (postimi) që ka për autor Isa Mustafën, ishte arsyeja që e çarti kryeministrin, sejmenët dhe krejt kabinetin e tij, për t’u vërsulur kundër meje gjatë krejt ditës së djeshme, ultë, me histeri dhe me fjalor rrugësh, secili prej tyre, që prej mëngjesit deri në mesnatë. Ata, duke dashur ta zhvendosin vëmendjen nga përmbajtja e ultë, ekuivalente, me emërues të përbashkët dhe në të njëjtën linjë me Beogradin, Vuçiçin, Gjuriqin etj., të statusit të kryeministrit Mustafa, m’u kapën për cilësorin “vorr”, që unë në reagimin tim ia paskam bërë atij.
Kjo është krejt historia. Ndërkaq, nëse flasim për “mjetet fyese” në fjalorin dhe shprehësinë e secilit, mund të them se kampioni është vetë kryeministri Mustafa, i cili publikisht, kohë më parë, femrat e Kosovës i ka quajtur lopë, duke dashur që, për arsye që vetëm ai i di, ta atakojë një pjesë të femrave aktive në shoqërinë civile. Po i njëjti, kryeministri Mustafa, rivalët politikë i ka quajtur gomarë e kuaj, e çka tjetër s’ka përdorur në fjalorin dhe në profilin e tij.
Jo larg tij, vjen menjëherë sejmenja e tij, deputetja Besa Gaxherri, që ka fyer disa herë luftëtarët e UÇK-së me gjuhë të ultë, ndërkohë që në një emision televiziv të burgosurit politikë i quajti njerëz të paaftë për asgjë, të sëmurë psikikë, jonormalë dhe me të meta mendore.
Të po të njëjtit nivel, me kryeministrin dhe deputeten e tyre, përkah gjuha që përdorin, vijnë këshilltarja e kryeministrit, Vlora Dumoshi dhe shefi i kabinetit të tij, Sokol Havolli, ky i fundit një vazhdimësi besnike e vijës së kuqe të SKOJ-it (Savez Komunista Omladine Jugoslavije), i cili është rehabilituar mirë nën shefin e tij ish-komunist, Isa Mustafa.
Reagimi dhe fustrimi i përnjëhershëm i këtij trekëndëshi, sikur nxori në shesh edhe redaksinë funksionale të Facebook-ut të kryeministrit Mustafa, veçanërisht për statusin e famshëm me Liqenin e Radoniqit, që pati përfunduar me “fatalitet” (i fshirë më pas nga vetë ai). Po më duket po i shoh në zyrën kryeministrore, të mbushur me mllef e inate, tek shkruajnë një status të kryeministrit. Besa Gaxherri duke diktuar ‘faktet’ (për shembull me Radoniqin), Vlora Dumoshi duke shkruar, Isa Mustafa duke ia bërë “aproved”, kurse Sokol Havolli, shpejt e shpejt, duke klikuar: “post”. Dhe, hopa, skandali i kryeministrit, që më pas iu është dashur ta fshijnë.
Faktikisht, me sa kam kuptuar, kryeministri, në krejt këtë histori, ka problem me veten e tij, e jo me mua. Ka problem me ‘kryeveprën’ e tij, Liqenin e Radoniqit, me postimin që kish me dhënë shumëçka për ta bërë të paqenë. Vetëm për ta zhdukur këtë dokument të dalë nga dora e tij, mendoj se Mustafa kish me qenë i gatshëm ta pijë ‘eks’ krejt Liqenin e Radoniqit.
Kryeministër, këtu po jua kujtoj një amanet të shkrimtarit të madh, Azem Shkrelit, i cili, në një vend, na porositë kështu: mos shkruaj “nëse nuk je i gatshëm të vdesësh për secilën fjalë, për secilin varg”.
Unë, ndoshta nuk jam i gatshëm të vdes për krejt ato që kam shkruar, por, së paku, s’i fshijë kurrë. Kurse, ti, Kryeministër Akademik Isa Mustafa, i fshinë, siç e ke fshirë disa çaste më vonë, pasi që e ke shkruar, statusin (postimin) me përrallat e Liqenit të Radoniqit, që është një storie e mbindërtuar mbi shpifjet e Beogradit kundër Ramush Haradinajt dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Deputete Besa Gaxherri,
Këshilltare Vlora Dumoshi,
Shef i Kabintetit, Sokol Havolli,
Lërini përrallat, e mos u mundoni me i mëshu’ samarit – në këtë rast cilësorit ‘vorr’, që e keni marrë si fyerje, në vend të gomarit – në këtë rast statusit të kryeminstrit për Radoniqin, që është në tangjentë të njëjtë me statuset e Gjuriqit, të Vuçiçit e të Drecunit kundër Ramush Haradinajt.
Facebook-u i Isa Mustafës është profil i Kryeministrit të Kosovës, pra është i të gjithë neve, dhe duhet të ketë kujdes se çka ai shkruan në të.
Facebook-u im është i imi personal, dhe aty unë shkruaj çka të dua.
Po ashtu, duhet ta bëni dallimin midis gazetarit/redaktorit dhe zyrtarit të RTK-së, e jo ta përzieni (siç ka bërë, më duket, Besa Gaxherri). Gazetarë-zyrtarë ka pasë veç në ish komunizëm.
Gjithashtu, mendoj se më parë se që të merreni me punën e një gazetari apo redaktori, tregojini kryeministrit Mustafa se duhet të merret me murin në Mitrovicë dhe me hapjen e rrugëve në veri të vendit, jo nga bora, por nga ata që s’po i lënë alternativë tjetër atje për të shkuar atje, pos kah rrugët e dhive.
Edhe shumë e shumë punë të tjera keni për të bërë, para se me u marrë me mua dhe vendin ku punoj. Apo, vetëm deri aty pretendoni të shtrihet pushteti dhe takati juaj. Kur flasim për fjalorin dhe fyerjet që po i pretendoni, pastrojani gojën, së pari kryeministrit, pastrojini gojët, duart dhe fytyrat tuaja, secili prej jush, dhe, tek pastaj, merreni kurajon të drejtoheni kah unë.
Kurse, kur flasim për të kaluarën apo ngjyrimet politike, si pengesë, sipas jush, për të qenë në disa institucione e përgjegjësi publike, mund t’ju them se ngjyra e kuqe e të kaluarës së Isa Mustafës kish me qenë pengesa reale për të, për të marrë rol në shoqërinë kosovare, e jo ngjyra ime e të kaluarës aleanciste, për të qenë pjesë në mediumin publik. Tregojini shefit tuaj, se dallojmë epokalisht në këtë segment.
Sa i përket RTK-së, çjerrjeve dhe ultimatumeve tuaja në këtë adresë, dua t’jua kujtoj se ky medium aq sa është i juaji, është edhe i imi dhe i secilit prej nesh në Kosovë.
Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së nuk e kanë asnjë lidhje me profilin tim personal në FB, e as profili im në FB, nuk ka as edhe një lidhje me RTK-në. Janë dallime të qarta, këto, që bëhen dhe njihen kudo në botën e sotme. Mendoj që edhe secili prej jush duhet t’i dini këto.
Sa për të shkruar, do të shkruaj gjithmonë, sepse me këtë “zeje” merrem qysh prej mijëvjeçarit të kaluar. Nënshtrimin s’e njoh, as shantazhin e as kërcënimin, si formë që erdhi në shprehje vazhdimisht edhe mbrëmë, nga ju dhe njerëzit tuaj, gjithandej nëpër rrjetet scoiale dhe te unë.
Unë dhe Kryeministri Akademik Isa Mustafa kemi të përbashkëta, por edhe dallime. Të përbashkët e kemi pasionin pas Facebook-ut dhe rrjeteve sociale. Por, dallojmë në atë se Facebook-u im është privat dhe personal, kurse Facebook-u i Mustafës është profil i kryeministrit të vendit.
Dallojmë edhe në diçka: Unë shkruaj, dhe nuk i fshij postimet e as nuk e mbylli Facebook-un. Isa, po, të dyjat i bën. Sikurse ka bërë edhe në këtë status.
Në fund, për secilin prej jush: “…jam e vërteta, jo rrena.”
Ernest Luma
P.s. Bashkëngjitur është statusi i Kryeministrit Akademik Isa Mustafa, që pati përfunduar me “fatalitet” (e pati fshirë). Pikërisht kjo e vërtetë, që e nxjerrë atë në një vijë me akuzat, statuset, profilet dhe deklarimet e Serbisë kundër Ramush Haradinajt dhe UÇK-së, e çarti atë dhe krejt kabinetin e tij, që m’u turrën dje, krejt ditën” (sic.), ka shkruar Luma. /Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëLaert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Vdes edhe personi i dytë pas të shtënave me armë në Klinë
Veliu: Askush dhe asnjë forcë nuk mund të më largoj nga LDK-ja
Mendimi paralajmëron shi dhe borë të enjten - temperaturat në rënie
Gjuajtje me armë në Klinë, një i vrarë dhe një i plagosur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Xheneta i heq çmimit të madh 10 mijë euro, dëgjon fjalët që Xuxi tha për familjen e saj: E degjeneruar, e ka lënë nëna kur i ka pasur një vjet
Trump zgjedh shefin e ri të CIA-s
Tifozët e Barcelonës i luten Laportas ta transferojë sensacionin e këtij sezoni që ngjan me lojën e Messit
Gjashtë fitore nga gjashtë duele profesionale - Benjamin Imeri është i gatshëm të dhurojë spektakël këtë fundjavë
Shoferi besnik i Princeshës Diana flet për herë të parë pas 27 vitesh: Më pushuan nga puna pa arsye, po të vozisja unë në natën tragjike ajo sot do të ishte gjallë
Gjiganti amerikan i naftës del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk duhet të largohet nga Marrëveshja e Parisit