Erërat e forta shkaktojnë dëme materiale në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se si pasojë e erërave të forta që kanë qenë prezente gjatë mbrëmjes, në disa zona janë shkaktuar dëme të lehta materiale.
Sipas njoftimit, ekipet e Zjarrfikësve të Kryeqytetit kanë dalë në terren dhe po vazhdojnë angazhimin e tyre, duke mbuluar edhe territorin e Komunës së Fushë Kosovës, me qëllim menaxhimin e situatës dhe parandalimin e rreziqeve të mëtejme.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë lëvizjes në hapësira të hapura dhe në afërsi të objekteve apo strukturave të paqëndrueshme, të cilat mund të paraqesin rrezik për sigurinë.
Në rast të situatave emergjente, qytetarët janë ftuar të kontaktojnë numrat emergjentë të Kryeqytetit për ndihmë dhe asistencë të menjëhershme. /Telegrafi/




















































