Enciklopedia 3 vjeçare e shqiptarëve të Maqedonisë
- Gruevski dëshiron ndarje me luftë - Gruevski edhe Georgievski kanë të njëjtin qëllim, realizimin e ndarjes së Maqedonisë sipas projektit të ASHAM-së në vitin 2001. Por, ata edhe dallohen. Frymëzimi i kryeministrit aktual vjen nga Beogradi dhe ka gjasa reale të jetësohet -
Duhet të jesh i marrë për të mos kuptuar prapavijën e politikës që udhëhiqet nga kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Pikërisht të tillë janë shumica e politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Jo rastësisht u hartua edhe enciklopedia e famshme maqedonase, prej të cilës politikanët tanë kërkojnë të distancohet kryeministri, njeriu i cili financoi këtë projekt dhe i cili bëri promovimin e tij.
Ai më 16 shtator mes tjerash kishte thënë se “ky projekt ndoshta nuk është tregues i plotë për jetën dhe zhvillimin e Maqedonisë, mirëpo kjo vepër, në mënyrë autentike skenon pikëpamjet maqedonase për të kaluarën dhe të tashmen kulturore dhe politike kombëtare dhe pretendon të jetë informatë objektive dhe integrale për ne dhe vendin tonë”.
Pavarësisht kësaj deklarate, ku ai në mënyrë të hapur pozicionohet në mbrojtje të kësaj vepre, që sipas tij paraqet “pikëpamjen maqedonase”, drejtuesit e politikës shqiptare në Maqedoni, koncentrohen me përgjegjësinë e vetëm akademikëve shqiptarë, të Bllazhe Ristevskit, të ASHAM dhe paralajmërojnë padi ndaj autorëve si dhe kërkojnë korrigjime të “gabimeve” dhe distancim nga njeriu i cili në çdo aspekt ishte munduar që kjo vepër të dalë si e tillë dhe të nxisë pikërisht këtë reaksion të shqiptarëve në rajon.
Qeveri e Beogradit
Po të analizojmë politikën trevjeçare të Qeverisë Gruevski, do të konstatojmë se për dallim nga Ljubço Georgievski, i cili frymëzohej nga Sofja, kryeministri aktual Nikolla Gruevski është përcaktuar që Maqedoninë ta çojë në Serbi.
Pas patriotit të madh maqedonas, në realitet fshihet një figurë e Beogradit, i cili ka për detyrë që të nxisë një konflikt të ri në Ballkan, ku do të përfshihej jo vetëm Maqedonia, por edhe Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Bosnja.
Qëllimi final i këtij operacioni do të duhej të ishte ridefinimi i kufijve të këtyre shteteve të Ballkanit, ku nuk do të kishte vend për Maqedoninë si shtet, por ajo do të mund të përfshihej në Serbi, si një pjesë autonome e saj.
Provokimet
Në këtë analizë do të mundohem që këtë konstatim ta argumentoj me disa fakte. Pavarësisht problemeve që ka me tre fqinjët: Serbinë, Bullgarinë dhe Greqinë, kryeministri Gruevski është koncentruar që me çdo kush të shkaktojë konflikt me shqiptarët, si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë dhe Shqipëri, pavarësisht qëndrimit të tyre tolerant për shtetin e përbashkët, identitetin e maqedonasve, gjuhën e tyre si dhe kulturën dhe ndjenjat e bashkëkombasve të vet, me të cilët po tentojnë ta shpijnë këtë shtet në NATO dhe BE.
Që të ndodhë kjo, nevojitet politikë që do të nxisë një rebelim të shqiptarëve ndaj shtetit. Deri tani ky rebelim ka qenë i pamundur, për shkak se si askush më parë, Gruevski kishte vënë nën kontroll të plotë partitë e shqiptarëve në Maqedoni dhe duke shfrytëzuar paaftësinë për të vërejtur qëllimet e politikës së tij, ata kanë bashkëpunuar me te deri sot, duke i krijuar kryeministrit pozicione superiore para rivalëve tjerë politik maqedonas, por edhe duke i dobësuar pozicione shqiptare në këtë shtet, që disa herë iu afruan edhe luftës vëllavrasëse.
Disa nga 100 hapat e Gruevskit
Opinionit të gjerë shqiptarë i duhej shumë kohë të kuptojë jorastësinë e shumë vendimeve antishqiptare të kryeministrit që u kurorëzuan tani me enciklopedinë maqedonase. Duke filluar me ndalimin e përdorimit të flamurit shqiptar, Ligjin për stimulimin e natalitetit vetëm të maqedonasit, Ligjin për “ndalimin” e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, vendimi i për ndërtimin e një kishe në shesh të qytetit si dhe mohimi i të drejtës për ndërtimin e xhamisë në kryeqytet, mohimi i të drejtës kushtetuese për mësim në gjuhën shqipe në Idrizovë të Shkupit, detyrimi i fëmijëve shqiptarë të mësojnë në tre ndërrime dhe në klasa me mbi 40 nxënës, detyrimi i nxënësve shqiptarë të mësojnë në gjuhën maqedonase, si pasojë e mungesës së paraleleve të mjaftueshme në gjuhën shqipe (tani për herë të parë edhe në Tetovë), diskriminimi i shqiptarëve në sferën e kulturës nëpërmjet ndarjes simbolike të mjeteve buxhetore, diskriminimi që u bëhet mediave shqiptare në ndarjen e mjeteve buxhetore për reklamimin e shpalljeve qeveritare në raport 98 për qind me 2 për qind në favor të mediave maqedonase, vendimi me të cilin fëmijët shqiptarë do të mësojnë në gjuhën maqedonase që nga klasa e parë, përdhosja e shqipes në librat shkollorë të përgatitur nga autorë maqedonas ku shprehjet, toponimet dhe ilustrimet e teksteve janë bërë në gjuhën maqedonase, shkatërrimi i arsimit shqip që nga Struga e deri në Kumanovë, lejimi dhe stimulimi i shkatërrimit të UT-së nga vetë shqiptarët, racizmi ndaj shqiptarëve në pishinën e Shkupit, objekt ky që në pronë të Qeverisë, rrahja në Nerez e grave dhe fëmijëve shqiptarë dhe “dënimi” me liri i aktorëve të këtij akti qyqar që zhvillohej para syve të policisë…
Dobësimi i votës shqiptare
Meqenëse këto akte politikanëve tanë ju dukeshin se janë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, Gruevski shkoi edhe më tutje dhe mori miratimin e partive shqiptare edhe për shumë vendime tjera që dobësonin pozitën e shqiptarëve në këtë shtet. Ata e përkrahën kryeministrin kur këtij i duhej të dobësonte rolin e votës shqiptare dhe në vend të censusit prej 50, i dhanë atij të drejtë ta reduktojë atë në 40 për qind.
Nëse më parë numri i votuesve në një zonë elektorale mund të dallohej nga zona tjetër me + - 3 për qind, që dmth 6 për qind, liderët tanë i thanë OK kërkesës së Gruevskit që dallimi mund të shkojë deri në +-5 për qind, që dmth në 10 për qind. Me këtë automatikisht ata pranuan që shqiptarët në Parlament të kenë prej 2 - 4 deputetë më pak se numri real që do të duhej të kishin nga numri i votave. Ata i dhanë Gruevskit edhe tre mandate deputetësh që të mund t’i zgjedhë me votat e diasporës së shpërndarë maqedonase.
Për të gjitha këto vendime politike të theksuara më lartë, gazetarët tanë me kohë kishin informuar opinionin, por ka munguar reagimi i shoqërisë shqiptare. Në vend të tyre, me shkrimet e gazetës KOHA janë marrë më shumë diplomatët dhe misionet e tjera ndërkombëtare në vend. Shembull për këtë është numri prej 200 mijë votave fiktive, me të cilat zakonisht manipulojnë partitë maqedonase, për të cilën heshtin partitë shqiptare. Pas argumentimit të pohimeve tona, kjo u mor në konsideratë nga Misioni vëzhgues i OSBE-së, i cili i dha për obligim kësaj qeverie që ta pastrojë listën e votuesve deri në zgjedhjet e ardhshme.
Armatosja për paqe
Paralelisht me këtë shkatërrim të shqiptarëve në Maqedoni, Gruevski bleu tre helikopterë për nevojat e forcave policore, duke i pajisur ato me armatim super modern. Përveç shqetësimit të gazetës KOHA dhe diplomatëve të huaj në vend, për këtë dukuri nuk u mërzitën aspak politikanët tanë shqiptarë, të cilët heshtën edhe blerjen e 200 transportuesve luftarak po nga kjo qeveri. Askush prej tyre një herë nuk e shtroi pyetjen, për çka do t’i përdorë kryeministri Gruevski këto armë.
Enciklopedia 3 vjeçare
Kjo është vetëm një pjesë e enciklopedisë 3 vjeçare e politikës antishqiptare të kryeministrit Gruevski, i cili çuditërisht vazhdon të ketë përkrahje, herë nga njëra, e herë nga partia tjetër shqiptare. Më pastaj liderët shqiptarë të Maqedonisë, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë priten njëri pas tjetrit me nderimet më të larta nga politikanët dhe autoritetet shtetërore të këtyre dy vendeve, duke legjitimuar kështu në mënyrë indirekte edhe politikën antishqiptare që udhëhiqet nga Shkupi dhe që kamuflohet nga pushtetarët tanë.
Jo rastësisht mungon edhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, ndaj për këtë shkak Maqedonia përbuzë presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe në fund e gjithë kjo kurorëzohet me një enciklopedi maqedonase, ku sipas Gruevskit, shprehen pikëpamjet e maqedonasve ndaj gjithë të tjerëve, në këtë rast ndaj shqiptarëve në Ballkan, si dhe amerikanëve dhe britanikëve, gjegjësisht NATO-s.
Lidhjet serbe
Prej ardhjes së Gruevskit në krye të Qeverisë, afër tij është instaluar krejt rryma proserbe që ekziston në këtë shtet. Afër tij është Llatasi, i cili dikur përkrahte djegien e Ambasadës amerikane në Shkup, pranë tij janë profesorët Shkariq, Bllazhe Ristovski dhe bija e tij, deputetja Liljana Popovska, afër tij janë antishqiptarët Vanço Shehtanski, Todor Petrov, Partia Radikale Serbe, këtu janë lidhjet e ripërtërira me Shërbimet Sekrete Serbe, këtu janë takimet e shumta të fshehta të qeveritarëve në Beograd. Me një fjalë, afër tij janë gjithë armiqtë e shqiptarëve, NATO-s dhe BE-së. Por, aty është edhe vetë Gruevski, i cili dikur ishte këshilltar në Qeverinë e Beogradit.
Për këtë shkak, nëse duan të mbijetojnë, shqiptarët në Maqedoni duhet të ndihmohen nga Prishtina dhe Tirana. Gruevski ka forcuar policinë, ka forcuar armatën, por edhe ka dobësuar si asnjëherë më parë shqiptarët në këtë shtet. Të shpresojmë se lufta të cilën po kërkon ta fillojë, do të fitojë përgjigjen e duhur si nga shqiptarët në rajon, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ku disa prej ambasadorëve, me inferioritetin e treguar ndaj këtyre problemeve, bashkë me partitë shqiptare, ndihmuan në krijimin e një “monstrumi” i cili do t’i vejë zjarrin Ballkanit.
/KOHA, Shkup/

















































