"EMNG, ehosonografia dhe renovimet", Villa: Një vit arritjesh në Ambulancat Specialistike në Pejë

Një vit pas marrjes së përgjegjësisë për udhëheqjen e stafit në Ambulancat Specialistike të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Granit Villa ka bërë një përmbledhje të arritjeve dhe projekteve të realizuara, duke theksuar përkushtimin e tij dhe të stafit për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së shërbimeve për pacientët.
"Më 2 maj 2025, Villa mori detyrën nga Drejtori Ekzekutiv, Dr. Fahri Hasani, duke e trajtuar me seriozitet dhe angazhim të vazhdueshëm. Ai thekson se udhëheqja nuk është vetëm administrim i përditshëm, por një proces i vazhdueshëm ndërtimi, përmirësimi dhe besimi, me qëllim avancimin e institucionit dhe mirëqenien e qytetarëve", ka thënë ai.
Gjatë këtij viti, sipas tij, bashkëpunimi me Drejtorin Ekzekutiv dhe Shefen e Personelit të Mjekëve në Specialistik, Dr. Iliriana Berisha, ka rezultuar me hapa konkretë në riorganizimin dhe përmirësimin e Ambulancave Specialistike, duke i bërë ato më funksionale dhe të përshtatshme për stafin dhe pacientët.
Mbështetja nga partnerët dhe bizneset vendore ka qenë vendimtare:
Kompania Dukagjini, me pronar Ekrem Lluka, dhuroi 10 kondicionerë;
Kompania Elkos (ETC), me pronar Ramiz Kelmendi, dhuroi 6 kondicionerë;
Ujë Rugove, me drejtor marketingu Defrim Puka, dhuroi 10 mekanizma uji dhe furnizim falas me ujë të pijshëm;
Kompania Top Reklama, me pronar Dardan Lluka, mbështeti me 2 reklama informative 2D.
Villa theksoi se një bashkëpunim i rëndësishëm është arritur edhe me organizatën turke TIKA për renovimin e plotë të katit të parë të ambulancave, projekt që pritet të fillojë së shpejti dhe që do të ngrisë standardin e shërbimeve.
"Gjatë këtij viti, është vendosur në funksion aparatura EMNG për shërbime neurologjike dhe është rihapur kabineti i ehosonografisë në Radiologji me ardhjen e dy radiologëve të rinj, Dr. Ramë H. Ramaj dhe Dr. Veton Kurti, duke fuqizuar kapacitetet diagnostikuese dhe shërbimet për pacientët", u shpreh ai.
Villa ka theksuar se të gjitha këto arritje janë rezultat i bashkëpunimit dhe vullnetit të stafit, ndërsa puna do të vazhdojë me projekte të reja për të siguruar që çdo pacient të marrë shërbim dinjitoz dhe cilësor.
Ai falënderon stafin për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij rrugëtimi, duke theksuar: “Udhëheqësi i vërtetë nuk premton, ai vepron, dhe gjurmët e tij mbeten dëshmi për të ardhmen.”/Telegrafi.



















































