Të shtunën, kinemaja “CineStar” në Prishtinë mirëpriti artdashës të shumtë për premierën e filmit “Pasaporta”, projektin më të fundit të regjisorit të njohur Eduart Grishaj.

Salla ishte e tejmbushur me publik që priste me entuziazëm këtë vepër, e cila trajton një prej temave më të ndjeshme për shqiptarët – emigracionin. Telegrafi ishte prezent për të dokumentuar emocionet dhe mesazhet e protagonistëve që morën pjesë në këtë ngjarje unike.


Filmi “Pasaporta” përqendrohet në historinë e dy protagonistëve kryesorë – një nga Shqipëria dhe tjetri nga Kosova. Përmes tyre, regjisori eksploron sfidat, dashuritë dhe shpresat që i bashkojnë shqiptarët në të dy anët e kufirit.

Grishaj: “Ky është një film që flet për të gjithë ne”

Regjisori Eduart Grishaj ndau me ne frymëzimin për këtë projekt:

“Ky film flet për shqiptarët, kur them për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Dy protagonistët kryesorë përfaqësojnë të dyja anët, duke treguar histori të përbashkëta, të mirat, hallet dhe sfidat tona. Unë gjithmonë mundohem të bashkoj Shqipërinë dhe Kosovën në artin tim, sepse mendoj që ne kemi të njëjtën histori dhe duhet ta ndajmë bashkë”.

Mesazhi kryesor i filmit është që në vend që të largohemi, duhet të punojmë për ta ndërprerë ciklin e emigracionit dhe ta forcojmë vendin tonë.

Grishaj shtoi: “Ky është një film që çdo shqiptar do ta gjejë veten. Ai flet për plagën e emigracionit, por edhe për dashurinë dhe sakrificat që ne bëjmë për të ardhmen”.

Arbana Osmani: Nga prezantimi te aktrimi

Moderatorja e njohur Arbana Osmani debutoi si aktore në “Pasaporta”, duke luajtur një prezantuese televizive – një rol që sipas saj ishte natyral:

“Ishte një eksperiencë e re dhe e bukur. Edhe pse krejt ndryshe nga televizioni, u ndjeva në habitatin tim natyral. Më ka pëlqyer shumë sfida e interpretimit të një roli që, edhe pse i ngjashëm me punën time të përditshme, kërkonte disiplinë dhe përqendrim të madh. Kinematografia është një botë magjepsëse dhe shpresoj të kem mundësi të eksploroj më shumë në të ardhmen”.

Osmani theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me regjisorin Grishaj dhe me ekipin e mrekullueshëm të aktorëve, duke shtuar: “Ishte një udhëtim artistik që do ta kujtoj gjithmonë”.

Kaona Sylejmani: “Pasaporta - një eksperiencë e paharrueshme"

Kaona Sylejmani (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Aktorja e re, Kaona Sylejmani ndau entuziazmin e saj për pjesëmarrjen në këtë film:

“Ka qenë eksperiencë e paharrueshme dhe çdo pjesë e xhirimeve kishte veçanti të veçantë. Të punoja me një ekip kaq profesional dhe të ndaja këtë histori kaq të fuqishme ishte diçka që më frymëzoi dhe më bëri të ndihem krenare”.

Ajo theksoi se procesi i xhirimeve ishte një sfidë që e ndihmoi të rritej profesionalisht: “Secila skenë kishte emocionet e veta, dhe jam shumë e kënaqur me rezultatin. Ky film është një projekt që flet për të gjithë ne dhe jam e lumtur që jam pjesë e tij”.

Një histori që prek të gjithë shqiptarët

Në fund, regjisori Grishaj ftoi të gjithë artdashësit ta shikojnë filmin:

“Çdo shqiptar do të gjejë veten në këtë histori. Ky është një film që flet për emigracionin, dashurinë dhe sakrificat. Historia që rrëfehet në film është pjesë e jetës sonë të përbashkët dhe bart një mesazh që ne duhet ta vlerësojmë më shumë vendin tonë”.

Premiera ishte një sukses i madh, duke treguar se interesi për këtë tematikë dhe për filmin shqiptar në përgjithësi është në rritje.

“Pasaporta” tashmë është në programet e kinemave në të gjithë vendin, duke ofruar një rrëfim të fuqishëm për të gjithë ata që e ndjejnë peshën e emigracionit dhe dashurinë për atdheun. /Telegrafi/

Fotografi të tjera nga premiera e "Pasaporta" në 'CineStar':

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi