LAJMI I FUNDIT:

Edhe Mali Zi në ndihmë pas tërmeteve, një ekip shpëtimi dërgohet drejt Shqipërisë

Edhe Mali Zi në ndihmë pas tërmeteve, një ekip shpëtimi dërgohet drejt Shqipërisë

Pas tërmeteve vdekjeprurëse dhe shkatërruese, banorëve të zonave të prekura në Shqipëri do tu ofrojnë ndihmë edhe një skuadër e shpëtimit nga Mali i Zi.

Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Twitter, nga Qeveria e Malit të Zi, i cili postim është shoqëruar edhe me një video.

“Skuadra speciale e shpëtimit nga Mali i Zi u dërgua në Shqipëri këtë mëngjes. Ministri i Brendshëm malazez Mevludin Nuhoxhiq: Kjo nuk i jep fund gatishmërisë së Malit të Zi për të ndihmuar. Është detyra jonë si aleat në NATO, por mbi të gjitha, është detyrë njerëzore”, thuhet në postim.


Ndryshe, pas tërmeteve të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë, sidomos në drejtim të zonave më të prekura janë duke u dërguar ndihma të shumta nga Kosova.

Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, dy tërmete të fuqishme kanë goditur Shqipërinë.

Tërmeti i parë është regjistruar në orën 04:00 me shkallë të Rihterit 6.4 në Durrës, ndërsa i dyti ishte me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit dhe u regjistrua në ora 07:10.

Si pasojë e këtyre tërmeteve, numri i viktimave po vazhdon të rritet dhe bëhet e ditur se janë rreth 600 persona të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale. /Telegrafi/