Dhjetë muaj hetime i janë dashur Prokurorisë dhe Policisë së Shkodrës për të identifikuar dhe vënë në pranga autorët e vrasjes së Pavlin Prekës, në muajin shkurt, të këtij viti në kryeqendrën e Veriut.

Mëngjesin e së dielës policia tha se vuri në pranga Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçeku autorët e dyshuar të vrasjes së të riut në oborrin e shtëpisë.


Autoritetet policore thanë se, 20 dhe 43-vjeçari u kapën pas një pune hetimore disa mujore, ku u faktua se ata janë autorët që qëlluan për vdekje 20-vjeçarin.

Ngjarja e rëndë u shënua në banesën e të riut në Guci të Re, rreth mesditës, teksa ai u qëllua me armë zjarri ndërsa familja deklaroi ditën e ngjarjes se, nuk kishin hasmëri me askënd ndërsa viktima shkonte shpesh në Dukagjin.

Ishte xhaxhai i viktimës ai që zbuloi i pari vrasjen e nipit të tij, pasi po i binte telefonit dhe nipi nuk i është përgjigjur.

Më pas shkoi në banesën e nipit për të parë çfarë kishte ndodhur dhe e gjeti Pavlinin të vrarë në oborrin e shtëpisë.

Dy autorët akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.