Whitney Houston ka qenë një prej këngëtareve më të mëdha të të gjitha kohërave, prandaj jeta dhe karriera e saj vazhdon të jetë e paharruar.
Diva e muzikës u gjet e vdekur në vaskë në një hotel në Beverly Hills në shkurt të vitit 2012, pasi kishte marrë kombinim të kokainës, kanabisit dhe disa tableta të tjera. Problemet me drogën e kishin përcjellë gjatë karrierës, ndërsa ajo kishte folur haptas në vitin 2009 rreth vartësisë, të cilin nuk kishte arritur ta shmangte deri në vdekje.
Megjithatë, jeta e saj vazhdon të jetë një mister dhe kohë pas kohe dalin detaje nga më të ndryshmet. Një prej tyre ka qenë një e fshehtë e errët familjare, me të cilën kishte luftuar gjithë jetën.
Këtë sekret, Whitney ia kishte rrëfyer asistentes shumëvjeçare, Mary Jones, të cilës i ka treguar për të gjitha keqtrajtimet që i ka përjetuar si fëmijë edhe atë nga një anëtare femër e familjes së saj.
“Whitney më shikoi dhe më tha: ‘Mary jam keqtrajtuar në fëmijëri. Por, këtë nuk e ka bërë ndonjë mashkull, ka qenë femër’, ma tha këtë me sytë e mbushur me lot dhe shtoi se nëna e saj nuk e kishte idenë se çfarë kishte ndodhur, dhe se asaj nuk i kishte thënë kurrë për këtë gjë”, ka rrëfyer Jones në filmin dokumentar “Whitney”.
Megjithatë, ajo asnjëherë nuk kishte treguar se për kë ishte fjala, edhe pse gjysmëvëllai i këngëtares, Gary Garland, ka ngritur dyshime se ishte fjala për kushërirën e tyre, Dee Dee Warwick (motra e këngëtares Dionne Warwick), e cila e kishte keqtrajtuar edhe atë.
Megjithatë, Dionne i ka përgënjeshtruar këto pohime, ndërsa të vërtetën Whitney e ka marrë me vete në varr, pasi nuk i ka treguar askujt se për kë ishte fjala. /Telegrafi/