LAJMI I FUNDIT:

“A e din, bre djalë, që shqiptarë ka edhe në Pakistan prej kur nuk mbahet mend… po folshin si na”

“A e din, bre djalë, që shqiptarë ka edhe në Pakistan prej kur nuk mbahet mend… po folshin si na”
Ilustrim

Departamentet e historisë në Fakultetin Filologji-Histori në Tiranë dhe në Fakultetin Filozofik në Prishtinë do të duhej të mbylleshin për një periudhë 10-vjeçare. Ky moratorium do të duhej të bëhej jo edhe aq nga fakti i mbiprodhimit të një proletariati të pavlefshëm akademik dhe mungesës së kuadrove të specializuar, por për humbjen fatale të seriozitetit dhe dellit shkencor.

Në Tiranë pranohen edhe tema diplome në nivel master e doktoraturë me tituj pretencioz ‘Enigma e shqipes’, ‘Etruskishtja dhe Shqipja’ dhe turli fantazmagorie tjetër pellazgjike.

Para një audience të huaj, kjo pseudoshkencë shkakton veçse hilaritete dhe keqardhje. Me termat e Thomas Kuhn-it, hipoteza pellazgjike nuk i plotëson as kushtet themelore që të kalojë në një paradigmë teorike si alternativë.


Ngulmimi në një hipotezë të vjetëruar të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe ringjallja e saj, nuk është gjë tjetër veçse rrënim barbar i të arriturave të albanistikës dhe punës metikuloze të sa e sa brezave të albanologëve.

Në një intervistë të bërë shumë vite më parë, profesori arbëresh Gianni Belluscio tërhiqte me të drejtë vërejtjen për manitë pseudoshkencore në mileun shqiptar.

Hipoteza pellazge që i shihte etërit e shqiptarëve si bartës të civilizimit paragrek ngjante e saktë për arritjet modeste të shkencës së rudimentuar të shekullit nëntëmbëdhjetë. Filologjia e saj kohe, ende në shpërgenjtë e saj, nuk kishte mbrehur mjetet e përqasjeve krahasimtare brenda skemës indoevropianistike.

Prej danezit Matle Brun e deri te Hahn-i shtriqej një fushë e parrahur: një grusht përkimesh gjuhësore mes shqipes dhe emërvendeve të Helladës së vjetër, bashkë me projeksione mekanike, siç bëheshin me ëndje nga dija romantike e kohës, merreshin si mbështetje për idenë që shqiptarët kishin stagnuar në kohë dhe hapësirë. Po kështu, primitivizmi i tyre social, konservatorizmi i jetës shqiptare dhe traditat e veçanta shërbenin si mbështetje shtesë se shqiptarët ishin ata që i kishin prerë kërthizën qytetërimit grek dhe atij romak.

Por siç dëshmon Eduard Saidi, filologjia krahasimtare e kuantifikoi marramendshëm vëllimin e lëndës gjuhësore të vjelë nga të gjitha gjuhët e lozës indoevropiane.

Ky ishte muzgu i hipotezave grandioze dhe agu i një gjuhësie të re që po i përkufizonte me saktësi empirike realitetet gjuhësore të Evropës së moteve klasike.

Në mungesë të komoditetit për punë më të thelluar, rilindësit tanë do të mjaftoheshin me promovimin e hipotezës pellazge, por duke anuar me më siguri kah fillesat ilire të shqiptarëve.

Jehu i fundit i hipotezës pellazge vinte nga rrethe filologësh arvanitë, meqë në Greqinë e gjysmës së dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë kishte njëfarë simpatie ideja për një shtet të përbashkët greko-shqiptar. Ky projekt aktual veçse do të fitonte një legjimitet historik me hipotezën pellazgjike.

Pellazgët janë një mirazh në kufirin e mosqenies: ata janë të papërkufizueshëm si realitet etnik dhe gjuhësor. Termi Πελασγοί (Pelasgoi) nuk është veçse një term gjenerik që emërzonte mishmashin e Helladës së epokës homerike (shekujt 12-8 para erës sonë). Dija helene, prej Homerit deri te Straboni, kishte veçse një vegim të trubulltë për popullatat e hershme në Greqi. Dhe një mendje prudente si Tukididi, që shkruante nën ndjesinë e sipranisë athinase si qendër e botës helene në gjysmën e dytë të shekullit të pestë, shprehte traditat kujtesore që vagëllonin për lëvizje migratore fisesh:

«φαίνεται γὰρ ἡ νῦν Ἑλλὰς καλουμένη οὐ πάλαι βεβαίως οἰκουμένη, ἀλλὰ μεταναστάσεις τε οὖσαι τὰ πρότερα καὶ ῥᾳδίως ἕκαστοι τὴν ἑαυτῶν ἀπολείποντες βιαζόμενοι ὑπό τινων αἰεὶ πλειόνων».

«Vendi që quhet Helladë nuk kishte popullsi të ngulitur në kohërat e vjetra. Njerëzit ishin shtegëtarë, dhe i linin shtëpitë e tyre…»

Të mbivendosesh një realitet monolit etnogjuhësor mbi këtë gjendje të errët është përtej asaj çfarë sugjerojnë tekstet e shkruara. Dhe kur Straboni në epokën helenistike e kondensonte thjeshtësisht se «Ἑλλάδος μὲν οὖν πολλὰ ἔθνη γεγένηται» (Ka pasur shumë popuj në Heladë), ai pranonte modestisht kufijtë e përjetshëm të (mos)njohjes për Helladën para se grekët ta konturizonin si botë në vete.

Se ka pasur shkulme të vijueshme protoilirësh në Helladë mund të merret me mend, por kjo, as në skenarin më optimist, nuk përbën arsye të shëndoshë për ta vendosur shenjën e barazimit me ilirët gjenuinë të kohës klasike (ata që romakët i cilësonin si ‘Illyrii proprie dicti’).

Qasja sharlataneske po e bën Zhyl Vernin si nismëtar të absurditeteve shqiptare me civilizime të harruara, Atlandita të rigjetura, rravgime si të Schliemann-it për gjetjen e një Troje të re, mistere kabala si dhe përfytyrimin e shqipes si kod hieroglifesh dhe enigmash mijëravjeçare. A nuk është ky një dëmtim serioz i shëndetit mendor kolektiv?

Njerëz profanë, bjerrakohës e gdhë, që nuk njohin as greqishten e vjetër, madje as edhe një gjuhë indoevropiane, molloisin etimologji të dhjera e bëjnë rrokjezime si fantazistët mesjetarë, me folketimologji, duke i shpjeguar shqip muret e myshkura ciklopike, akropolet, piramidat, ziguratat, shkrimin kuineform në pllakat sumere, shkrimet sillabike të Linearit A dhe B…

Ata mendojnë se kanë kapur mëzatin për brirësh me gjetje të tilla, madje seç ndiejnë një kënaqësi sikur kanë zbuluar rrënjet e një përbetimi kundërshqiptar për të fshehur të vërtetën eskatologjike.

Rrëfimi im vetjak, si një prishtinas, e ka një konfesion përdëllimtar për një faj, një mea culpa, ose edhe autokritikë para partisë supreme. Edhe unë dikur kam notuar në këto ujëra. Ishte viti 2005, koha kur nuk kishte portale dhe Facebook, dhe forumet (forumishqiptar.com, arberiaonline.com) ishin platformat e vetme të diskutimeve virtuale. Bashkë me një grup djemsh të pasionuar, afishonim dendurisht materiale anglisht të shekullit të nëntëmbëdhjetë që tumirnin idenë pellazge.

Sot pas 16 vitesh jo që s’besojmë në to, por edhe turpërohemi nga këto fanitje me sy hapur.

Ndiej një faj të pangushllueshëm që dikur në revistën kulturore ‘Albanica’ merresha me fantashkencë për hunzakë, kalashë e pamirianë, për të cilat fusja dorën në zjarr se ishin do fise të përhumbura pellazge në Baktri e Sogdianë (Afganistan dhe Pakistan) e deri në stepat e paanë të Taxhikistanit. Veç dy vite lexime të thelluara mjaftuan që ta kuptoja humnerën e mjeruar të padijes sime dhe nonsensit të asaj që mëtoja. Dhe qershia mbi tortë është kur një ditë hipa në një taksi të qytetit, dhe taksisti një mesoburrë, diku rreth 60 vjeç, më tha me sytë që i shkëlqenin: “A e din, bre djalë, që shqiptarë ka edhe në Pakistan prej kur nuk mbahet mend…po folshin si na”.

Desha ta pyesja me thumba nëse e folmja e tyre ishte nga Puka, Drenica apo Kërçova, por taksisti plak nuk e meritonte t’i rrënohej mbretëria imagjinare e mrekullive pa ndeshtrashat e përditshme të jetës si taksist.

Kjo është kur nxirret pa dashje dreqi nga shishja!

Në trend

Më shumë
Nga Instagrami i Gjestit e konfirmojnë që ai deshi të arratisej nga shtëpia e BBVA duke kapërcyer murin?

Nga Instagrami i Gjestit e konfirmojnë që ai deshi të arratisej nga shtëpia e BBVA duke kapërcyer murin?

Magazina
Gjesti ka kapërcyer murin rrethues në shtëpinë e BBVA? Produksioni fik mikrofonat gjatë kohës që banorët e diskutojnë këtë çështje

Gjesti ka kapërcyer murin rrethues në shtëpinë e BBVA? Produksioni fik mikrofonat gjatë kohës që banorët e diskutojnë këtë çështje

Magazina

"Do të bëj një rrezikim" - Gjesti e paralajmëroi një ditë më parë 'arratisjen' nga BBVA gjatë një bisede me Eglin?

Magazina
Reagon vëllai i Besar Nimanit pas sulmit ku mbetën tre persona të plagosur

Reagon vëllai i Besar Nimanit pas sulmit ku mbetën tre persona të plagosur

Boks
Tara: Dokumenti i paraqitur në Hagë mund të rrezikojë pavarësinë e Kosovës

Tara: Dokumenti i paraqitur në Hagë mund të rrezikojë pavarësinë e Kosovës

Lajme
Vendimi i Trumpit për ish-prokurorin Smith, ekspertët flasin për ndikim në Gjykatën Speciale

Vendimi i Trumpit për ish-prokurorin Smith, ekspertët flasin për ndikim në Gjykatën Speciale

Lajme
Kalo në kategori