LAJMI I FUNDIT:

E ardhmja e paqartë e dialogut Kosovë-Serbi

E ardhmja e paqartë e dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti Hashim Thaçi kërkon vazhdimin e dialogut me Serbinë në nivel presidentësh. Por të nominuarit për kryeministra – Ramush Haradinaj, Albin Kurti, Avdullah Hoti – kanë mendim tjetër:

Njëra ndër çështjet me të rëndësishme njëkohësisht edhe më të ndjeshme, me të cilën do të përballen institucionet e Kosovës është dialogu me Serbinë, i nisur në vitin 2011, por që akoma nuk ka arritur qëllimin final – normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Udhëheqësit kosovarë në një seri intervistash për DW, kanë shprehur mendime të ndryshme sesi duhet zhvilluar tashmë ky dialog.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë në nivel presidentësh. Ramush Haradinaj, nga koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA) mendon se Serbisë i duhen vënë kushte. Albin Kurti nga Vetëvendosje nuk do të bisedojë me Serbinë, por me serbët lokalë. Ndërsa, Avdullah Hoti nga LDK (koalicioni LDK-AKR-Alternativa) do përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.


Thaçi, i cili të martën në Bruksel takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një takim joformal është i bindur se dialogu Kosovë-Serbi duhet të kalojë në nivel presidentësh.

“Dialogu do të kalojë në nivel të presidentëve, do të zhvillohet në Bruksel, do të punohet në një qasje që të kemi sa më shpejtë një kornizë të gjerë politike të marrëveshjes që do të qonte drejt një fqinjësie të mirë, bashkëpunimi, normalizimi dhe pajtimi ndërshtetërorë, që do të thotë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, thotë Presidenti Thaçi.

Gjatë Samitit për Ballkanin që u zhvillua të më 1 korrik në Dubrovnik, ai tha se “është zotim i Kosovës, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”.

“Jemi të vetëdijshëm se kemi ardhur në një pikë, në një proces të ri, i cili duhet të përfundojë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Thaçi.

Haradinaj thotë se formati i deritashëm i dialogut Kosovë-Serbi, duhet ndryshuar, sepse nuk ka sjellë rezultate.

“Serbisë i duhet vënë kusht zbatimi i marrëveshjeve dhe masa e reciprocitetit”, thotë ai. “Mendojmë se dialogu duhet të kalojë në një etapë tjetër, ne kemi një qëllim në marrëdhëniet me Serbinë që është njohja reciproke dhe nëse ndodh dialogu që nuk jemi kundër dialogut, nuk mundet që të vazhdojë logjika e deritashme në dialog, ku vërtetë është biseduar për temat e brendshme të Kosovës. Por nuk është respektuar reciprociteti dhe nuk është respektuar fare fakti që Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur prej shumë vendeve të botës”.

Po ashtu, Haradinaj thekson se nuk mund të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, në atë formë si është arritur në vitin 2013.

” Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se ajo marrëveshje nuk është në frymën kushtetuese të Kosovës”, thotë Haradinaj.

Ndërsa, Hoti thotë se stabiliteti i rajonit është shumë i rëndësishëm dhe përmbyllja me sukses e dialogut Kosovë-Serbi, është e një rëndësie te veçantë.

“E para është në interes të Kosovës dhe stabilitetit në rajon që bisedimet me Serbinë të përmbyllen suksesshëm. Dialogu duhet të zhvillohet në nivel kryeministrash dhe të gjitha temat që do të diskutohen me Serbinë do t’i nxjerrim në tavolinë, dhe do të kërkojmë vendosjen e afatit kohor ku duhet të përfundojë procesi, sepse ne kemi negociuar për ato marrëveshje dhe pastaj kemi negociuar sërish për zbatimin e atyre marrëveshjeve. Do të ketë dialog me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, por me përfshirje të drejtpërdrejt të SHBA-së, për t’i dhënë një shtytje të re dialogut me Serbinë”, thotë ai.

Hoti kundërshton zhvillimin e dialogut me Serbinë në nivel presidentësh. Madje ai ka ftuar partitë politike që t’i bashkohen LDK-së, që ta kundërshtojnë Thaçin, që të zhvillojë dialogun Kosovë-Serbi.

Një mendim krejt tjetër për dialogun me Serbinë, ka i nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai thotë se para se të bisedohet me Serbinë duhet zhvilluar dialog me serbët e Kosovës, sepse, sipas tij, Serbia nuk mund të flasëpër punët e brendshme të Kosovës.

“Qëllimi i Beogradit ka qenë në fakt krijimi i “zajednicës” së komunave me shumicë serbe. Këtu nuk ka dialog, ndaj nuk mund të thuhet që Vetëvendosja do të ndërpriste dialogun, sepse ai nuk ekziston. Ne mendojmë se para çdo dialogu me palën serbe, ka nevojë për dialog të hapur me serbët e Kosovës për zhvillim. Ndërsa sa i përket dialogut me Beogradin, nuk mund të bisedojmë më pa kurrfarë parimesh, dhe nuk mund të pranojmë që Serbia ta përcaktojë gjithmonë agjendën”, thotë Albin Kurti.

Kurti është i bindur se dialogu me Serbinë që nga fillimi nuk është zhvilluar në interes të Kosovës. Ndërsa, njohës të politikave ballkanike nga ana e tyre shohin vështirësi në zhvillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pikërisht për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta për dialogun të kandidatëve kosovar për kryeministër.

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika tha se Bashkimi Evropian qartë dëshiron që dialogu Kosovë-Serbi të zhvillohet në nivel presidentësh. Sipas tij, “ideale do të ishte që dialogu të zhvillohen me nga dy përfaqësues të vendeve, presidentët dhe kryeministrat.

“Në rastin e Kosovës do të ketë shumë vështirësi, duke pasur parasysh sesi do të ndërtohen marrëdhëniet ndërmjet Haradinajt dhe Thaçit (nëse Haradinaj është kryeministër), apo marrëdhëniet ndërmjet Kurtit dhe Thapit (nëse Kurti bëhet kryeministër), sikundër Hotit dhe Thaçit (nëse Hoti është kryeministër). Pra, në të gjitha rastet mund të ketë vështirësi në këtë bashkërendim veprimesh. Ajo që e shoh unë te kandidatët për kryeministra të Kosovës është që megjithë deklarimet e tyre, ata kanë shumë pak hapësirë që ta kundërshtojnë dialogun dhe nuk shihet në horizont një angazhim i freskët i Statedepartamentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Naim Rashiti.

Dialogu Kosovë-Serbi për përmirësimin e raporteve ka filluar në vitin 2011, ndërsa, marrëveshja formale u nënshkrua me 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daqic. Kjo marrëveshje përmbante 15 pika, ku ndër më të rëndësishmet cilësohej krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shuarja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë gjë që akoma nuk ka ndodhur plotësisht. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, akoma nuk është themeluar, sepse Prishtina zyrtare këmbëngulte që pa shuarjen e plotë të strukturave paralele serbe, nuk do të nisë krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. /DW/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori