Margot Robbie ka zgjedhur tri kombinime krejtësisht të ndryshme gjatë shëtitjeve nëpër Nju Jork, duke treguar se jo vetëm që ndjek nga afër trendet, por edhe se di t’i mbajë në mënyrë perfekte çdo veshje

Këto ditë, aktorja e njohur vazhdon të tërheqë vëmendjen me zgjedhjet e saj të guximshme e të pazakonta, të cilat i qëndrojnë aq bukur sa mund të themi vetëm: mahnitëse.


Në një paraqitje elegante dhe tërheqëse, ajo u fotografua dy ditë më parë në Nju Jork, teksa dilte nga hoteli, e buzëqeshur dhe e gatshme për të pozuar me adhuruesit.

Bukuroshja e Hollivudit kishte veshur një kombinim gri, me pantallona të lirshme të frymëzuara nga xhinset dhe një xhaketë me prerje të pazakontë, nën të cilën shfaqen sytjenat minimalist të zi.

Guxim, elegancë dhe stil

Xhaketa ishte e shkurtër, por me pjesën e përparme më të gjatë dhe të mbyllur poshtë belit, ndërsa mëngët e fryra i jepnin një frymë moderne. Aktorja e famshme, e cila vazhdon të admirohet për bukurinë dhe elegancën e saj, dukej thjesht e përsosur. Dhe duhet ta pranojmë: shumë prej nesh do ta dëshironim këtë xhaketë në koleksionin tonë të vjeshtës.

Kombinimi u plotësua me një çantë të zezë, sandale klasike prej lëkure me platformë druri dhe taka, si dhe me syze dielli po ashtu të zeza, duke na treguar sërish pse ajo është një prej ikonave të modës.

Një kombinim i përsosur për vjeshtë

Margot nuk gaboi as kur u shfaq me një nga zgjedhjet më tipike për ditët e freskëta, një xhaketë të gjerë me kuadrate, që me plot të drejtë konsiderohet klasik dhe që çdo grua duhet ta ketë në gardërobën e saj.

Ky element i qëndron bukur çdo trupi dhe mund të kombinohet me gjithçka, ndërsa Margot e kishte veshur me xhinse të gjera dhe një bluzë të bardhë të thjeshtë.

Detaji më i spikatur i këtij stili ishin këpucët elegante të zeza me majë, një trend që po sundon skenën e modës dhe është i preferuar nga shumë yje.

Ky kombinim i saj i thjeshtë mund të kopjohet lehtësisht, qoftë për punë, një kafe, një dalje në mbrëmje apo një shëtitje të qetë.

Vera ende s’ka mbaruar…

Edhe pse po afrohen ditët e ftohta, Margot duket sikur na jep frymëzim për çdo stinë.

Ajo u pa në rrugët e Nju Jorkut edhe me një set lëkure në ngjyrë kafe, ngjyra absolute e sezonit. Kombinimi përbëhej nga një fund me bel të ulët prej lëkure zdrukthuar dhe një top me detaje interesante.

Ky stil nxirrte në pah barkun e sheshtë dhe linjën elegante të aktores. Për ta kompletuar paraqitjen, ajo kishte zgjedhur sandale me rripa të hollë dhe syze dielli kafe.

Ngjyra kafe, trendi i padiskutueshëm

Në të tri paraqitjet e saj, Margot kishte manikyr në ngjyrë kafe, një tjetër dëshmi se ajo jo vetëm që ndjek trendet, por di edhe si t’i mbajë ato me stil.

Dhe mos harroni: edhe një copë e thjeshtë dhe e lirë mund të duket elegante e luksoze, nëse dini si ta vishni. Margot Robbie këtë na e dëshmon vazhdimisht… /Telegrafi/